Ballina Aktualitet Prokuroria e mori të pandehur, Gjykata refuzoi arrestimin e vartësit të Veliajt

Prokuroria e mori të pandehur, Gjykata refuzoi arrestimin e vartësit të Veliajt

“Janë çuar për ndjekje penale fshatarë në zona të humbura për një avlli dhe janë toleruar veprimtari kriminale”. Kjo deklaratë e kryeministrit Edi Rama në lidhje me ndërtimet pa leje në kryeqytet dhe në mbarë vendin duket se nuk vlen për vartësin e Erion Veliajt, Mariglen Qato, i cili është marrë i pandehur nga prokuroria për shpërdorim detyre.

Megjithëse akuzohet se ka lejuar një kat shtesë në një pallat 5-katësh në Tiranë, dhe prokuroria kërkoi ndaj tij masën arrest me burg, Qato i shpëtoi prangave pasi gjykata e la në detyrim paraqitje.

Rasti duket i paprecedent, pasi zyrtari i bashkisë së Tiranës ka lejuar kryerjen e një vepre penale që është kthyer në shqetësim edhe për vetë kryeministrin.

Veç kësaj, sipas prokurorisë, Mariglen Qato duhet të lihej në masën arrest me burg pasi për t’iu shmangur hetimit, ka paraqitur raport mjekësor nga data 07.06.2021 deri me date 09.06.2021 dhe ne vijim nga data 09.06.2021 deri me datë 21.06.2021, duke pretenduar se ishte sëmurë, ndërkohë nga këqyrjet e kamerave të sigurisë në ambientet e IMT-se dhe Policisë Bashkiake, del se në datat 7, 8 dhe 9 qershor është paraqitur në punë.

Prokuroria thekson në dosjen e dorëzuar në gjykatë se ndonëse i veshur me funksionin publik, Mariglen Qato me dashje i është shmangur paraqitjes në organin e prokurorisë dhe në tërësi vënies së tij në dispozicion të hetimit.

Megjithatë shtesa e pallatit 5-katësh, deklaratat e kryeministrit që i cilëson ndërtimet pa leje si tumore në trupin e Shqipërisë, por edhe shmangia nga hetimi dhe lejimi i ndërtimit pa leje për një periudhë 1-vjeçare, nuk e kanë bindur gjykatën e Tiranës për caktimin e masës së kërkuar nga prokuroria, arrest me burg ndaj kreut të IMT në bashkinë e Tiranës, Mariglen Qato.

Gjyqtari që ka shqyrtuar kërkesën e prokurorisë, ka refuzuar masën arrest me burg me argumentin se zyrtari i bashkisë së Tiranës është me arsim të lartë.

“Shtetasit nën hetim nuk dyshohet të ketë precedentë penalë të mëparshëm (nuk ka asnjë pretendim të tillë në aktet e fashikullit), janë me arsim të lartë dhe se nuk ka mundësi të dëmtojnë marrjen e provave”.

Ndërkohë që bën këto konstatime, gjykatësi në vendimin e tij pranon se deri në këtë fazë të hetimeve, sidomos për shtetasin Mariglen Qato, është konstatuar se mund t’i shmanget paraqitjes në organin procedurës, e megjithatë vlerëson se duhet të vendoset masa e sigurimit “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” me qëllim që ata të vendosen në dispozicion të organit të drejtësisë dhe të mos pengojnë vijimin e hetimeve apo gjykimit.

Një vendim i tillë nga gjykata e Tiranës, duket me dy standarde pasi fatin e zyrtarit të bashkisë së Tiranës, Mariglen Qato, nuk e kanë pasur 293 qytetarë të Tiranës, të cilët janë dënuar me vendim fajësie për akuzën e ndërtimit të paligjshëm sipas statistikave zyrtare nga 1 janari i vitit 2020 deri në 20 korrik 2021./ORA

Exit mobile version