Ballina Bota & Rajoni Helmimi nga uji në Deçan, ndërrojnë jetë dy persona, mbi 800 të...

Helmimi nga uji në Deçan, ndërrojnë jetë dy persona, mbi 800 të tjerë në spital

Situatë tragjike me helmimin nga uji në Deçan të Kosovës! Raportohet se kanë humbur jetën dy persona, ndërsa mbi 800 të tjerë kanë përfunduar në spital.

Prokuroria Themelore e Pejës ka njoftuar se, kanë ndodhur dy raste të “Vdekjes së dyshimtë”, për shkak të situatës së krijuar në atë rajon.

Lajmin e ka konfirmuar për mediet fqinje zëdhënësi i kësaj prokurorie, Shkodran Nikçi.

“Gjatë 24 orëve të fundit, kanë ndodhur dy vdekje të dyshimta në komunën e Deçanit. Për shkak të situatës se krijuar në atë rajon, Prokurori kujdestar i Departamentit të Krimeve të Rënda, ka urdhëruar që trupat e pajetë të dërgohen për obdukim në IML për të kuptuar me shumë lidhur me rrethanat e vdekjes se tyre”, ka thënë ai.

Nga hetimet e para dyshohet se shkak i helmimit mund të jetë uji i ujësjellësit, por megjithatë priten ende analizat mikrobiologjike të ujit.

Kryetari  Komunës së Deçanit Bashkim Ramosaj, hedh dyshime se ngjarja mund të jetë e qëllimshme, ndërsa thotë se kjo është hera e dytë brenda një muaji që ndodhin helmime. Ai u shpreh se është vendosur që uji të mos përdoret më, deri sa të dali përgjigjja e analizave.

“Është hera e dytë brenda një muaji që po raportohet e njëjta skenë që na bën të mendojmë se ngjarja mund të jetë e qëllimshme. Prokuroria dhe hetuesit po merren me ngjarjen. Nëse analizat mikrobiologjike e nxjerrin ujin të dëmshëm, për personat përgjegjës do të ndërmerren masa ndëshkuese politike, ligjore e administrative”, tha ai.

Rastet e helmimit filluan që para dy ditësh, ku persona nga fshatrat Irzniq, Prilep e Lugu i Branit, kërkuan ndihmë në spital, pas shfaqjes së simptomave, ndërsa dyshimet janë te uji për shkak se këto fshatra furnizohen të gjithë nga i njëjti ujësjellës.

Edhe banorët janë shprehur se rrjeti i ujësjellësit është i amortizuar dhe ka shumë probleme. Furnizimi me ujë në këto fshatra është ndërprerë deri në daljen e përgjigjes së analizave.

Exit mobile version