Si Rama humbi toruan kur u pyet nga gazetari për tenderin e policisë: S’jam shitës kapelesh, s’kam unë punë…

Nëse dje dëgjuam një kryeministër të shqetësuar për abuzimet me tenderat në bashkitë që drejtohen prej vartësve të tij, disa javë më parë, qëndrimi i kryeministrit Edi Rama për tenderin e uniformave dhe abuzimet e denoncuara nuk ishte i njëjtë. Dosja.al risjell një nga debatet më të komentuara, që ndodhi 6 ditë para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021, kur kryeministri ishte i ftuar në studion e gazetarit Ilir Babaramo.

Ndryshe nga sa u shfaq dje, tejet i gatshëm për të denoncuar në SPAK çdo indicie për abuzim, kur u pyet sesi kishte mundësi që zyrtarët e Ministrisë së Brendshme kishin realizuar një tender ku vetëm një kapele polici kushton 350 euro, Rama e humbi toruan.

Në video mund të shihni tonalitetin e zërit që ngrihet teksa i shpjegon gazetarit se ai nuk shet kapele dhe se nuk ka asnjë punë që e lidh me këtë tender, akuzat për të cilin i quajti “thashetheme dynjaje”. Këto “thashetheme” sot janë provuar si të të vërteta, së paku nga SPAK, që deklaron se 9 zyrtarë i dhanë 280 milionë lekë të reja, një kompanie gërmimi që s’ka lidhje me rrobaqepësinë dhe se uniformat që iu dorëzuan policëve janë jashtë çdo lloj standarti.

Edi Rama: Të lutem shumë se unë s’kam ardhur këtu për kapelen e policëve

Ilir Babaramo: Po flasim për fonde publike, për 24 milionë euro

Edi Rama: Do të them mirupafshim të dashur teleshikues, ta bëj unë rolin tënd dhe të largohem

Ilir Babaramo: Ok, vazhdojmë më tej.

Edi Rama: Jo i dashur, s’kemi si vazhdojmë ne më tej, unë jam kryeministër i Shqipërisë, s’jam këtu për muhabet dhe thashetheme.Të lutem shumë, s’kam ardhur tëkomentoj thashethemet e dynjasë, më bëj pyetje të të jap përgjigje.

Ilir Babaramo: Pse s’janë pyetje këto?

Edi Rama: Po ça pyetje është kjo, kapelja e policit kushton kaq, ça lidhje kam unë, ku hyj unë këtu mor zotëri? Unë jam kryeministër i Shqipërisë, të dielën shqiptarët do të votojnë…Di gjë ti se unë bëj kapele policësh, di gjë ti se unë mbaj kapele policësh? Ku hyj unë këtu? Po flet me shitësin e kapelerisë? Apo po flet me prodhuesin e kapeleve? Se kjo që po bëjmë ne falë teje, kjo është skena e një teatri absurd ku bëhet parodi për gazetarin që merr në intervistë kryeministrin.

Ilir Babaramo: Nejse, e tejkalojmë këtë, ka një shembull. Por ju si piktor psh, a ndiheni mirë për logon e operas.

*Rama mbyll gojën dhe s’pranon më të përgjigjet. Përshëndet shikuesit me duar dhe largohet nga studioja.