Ballina Sport Sterling reagon pas akuzave se simuloi për penalltinë kundër Danimarkës

Sterling reagon pas akuzave se simuloi për penalltinë kundër Danimarkës

Raheem Sterling ka këmbëngulur se ishte goditur nga Joakim Maehle në incidentin e penalltisë e cila e dërgoi Anglinë në finale të Kampionatit Evropian 2020 të mërkurën.

Anglia do të përballet me Italinë të dielën, pasi e mundi 2:1 Danimarkën për ta arritur finalen e parë të madhe që prej triumfit në Kupën e Botës më 1966.

Kur gjithçka po shkonte baras 1:1 edhe pas 90 minutave lojë, skuadra e Gareth Southgate e mori lojën nën kontroll ndaj danezëve të lodhur në kohën shtesë. Maehle u penalizua për një ndërhyrje të palejueshme ndaj Sterlingut në zonën daneze.

Sterling u fut nëpër mbrojtjen e Danimarkës dhe u rrëzua në zonë pas një kontakti minimal. Megjithëse ndërhyrja ndaj tij ishte e butë, gjyqtari dha shenjë për penallti dhe, edhe pse Kasper Schmeichel e mbrojti penalltinë e Harry Kane, kapiteni i anglezëve e shënoi nga topi i kthyer për t’i dërguar tre luanët në finalen e së dielës në Wembley.

Anësori i Manchester City, i cili ka histori simulimi, u akuzua pas ndeshjes se u rrëzua tejet lehtësisht dhe bëri gjithçka për ta fituar një penallti të padrejtë.

I pyetur pas ndeshjes nëse ishte penallti, Sterling tha: “Ishte penallti, patjetër”.

“Unë u futa në zonë dhe ai më goditi këmbën e djathtë dhe m’i preku këmbët, prandaj ishte penallti e pastër”, shtoi ai.

Exit mobile version