Qeveria fut biznesin në kaos me fiskalizmin, rrezikohet bllokimi

Nga 1 korriku 2021 nisi fiskalizimi për 34 mijë biznese që lëshojnë transaksione mes tyre pa para në dorë.

Një javë pas nisjes të procesit bizneset janë të paqarta për procedurën që duhet të zbatojnë në lëshimin e faturave elektronike, kur duhet të ndërveprojnë me biznese të pafiskalizuara. Problematika më e mprehtë aktuale sipas kontabilistit Sotiraq Dhamo është mosnjohja e TVSH-së dhe shpenzimeve të zbritshme për blerësin i cili është i detyruar të pranojë edhe fatura tatimore të lëshuara nga blloqet.

Shqetësime të tjera me të cilat po përballen këto ditë bizneset, sipas kontabilistit Sotiraq Dhamo janë që nga mosbërja e faturës së eksportit, importet dhe për pagesat me bankë. “Probleme janë krijuar edhe për fiskalizmin e faturave në rastet kur pagesa bëhet me bankë, kush do ta paguajë klientin në kohë, pasi siç shprehen bizneset nëse pagesa nuk bëhet në kohë nuk shfaqet në platformë”.

Kontabilisti Sotiraq Dhamo ngre si shqetësim edhe për kompanitë e certifikuara për programet softëare, ku disa prej tyre nuk janë në gjendje të hartojnë faturën në formatin e duhur dhe për të përcjellë të dhëna në formatin e duhur.

“Shumë kompani të certifikuara për zgjedhjet softëare nuk janë të certifikuara për të gjitha transaksionit dhe kjo po krijon probleme te biznesi, pasi nuk di si të veprojë. P.sh një program i blerë nga biznesi nga kompanitë e certifikuara nuk është në gjendje të nxjerrë fatura shoqëruese, ose të eksportit. Në këtë rast është përgjegjësi e drejtorisë të tatimeve që ka publikuar një listë me kompanitë e certifikuara që nuk janë në gjendje të kryejnë të gjitha shërbimet e fiskalizmit. Pra në këtë rast administrata tatimore duhet të ndante llojet e kompanive të certifikuara, në ato për faturat elektronike, ato për nxjerrjen e faturave me pagesa në dorë, për faturat me kasa etj”.

Bizneset që punojnë me programet e kontabilitetit janë të detyruara të bëjnë përditësimin e tyre që të realizohet ndërlidhja me zgjedhjet softëare. Sotiraq Dhamo thotë se ata që do të vazhdojnë të qëndrojnë me të njëjtin program mund të riskojnë të mos bëjnë pasqyrat financiare deri në këtë periudhë, pasi zbatimi i këtyre ndryshimeve në mes të vit sjell këto probleme. “Disa kompani duhet të ndryshojnë komplet programin, ndërsa disa kompani të tjera mund të punojnë me programin aktual deri në 30 qershor, ta mbyllin atë dhe t’i çelësh nga para (i njëjti program, por me funksionalitete të ndryshme) dhe kjo do të sjellë që viti të ndahet në dy pjesë”, tha Dhamo.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë në total parashikon që procesi i fiskalizimit të zbatohet për mbi 100 mijë biznese. Në fazën e dytë sipas të dhënave të tatimeve do të përfshihen 34 mijë biznese. Nga 1 shtatori fiskalizimi do të zbatohet për biznesin e vogël për transaksionet me para në dorë.

As fiskalizim, as blloqe, bizneset rrezikojnë bllokimin e aktivitetit

Kontabilisti Arman Mala thotë se një tjetër problem që është shfaqur lidhet me blloqet e faturave. Bizneset që kanë nisur procesin e fiskalizimit, pra që janë në fazën që kanë aplikuar për certifkatën dixhitale por nuk u është miratuara akoma, po paraqiten në Tatime për të tërhequr blloqe. Por, nga tatimet nuk u jepen më blloqe, me argumentin se janë në proces të fiskalizimit. Kjo, thotë Mala, është më e rëndë sesa gjoba që do falin, pasi bizneset rrezikojnë bllokimin e aktivitetit.

Edhe subjekte të tjera ankohen se prej një jave Drejtoritë Rajonale nuk kanë në magazina blloqe TVSH-je, ndërkohë që nuk është ndaluar përdorimi i tyre!