Dështimi i Iluminizmit

Studiuesi francez Philippe Descola denoncon falimentimin e hipotezës së një progresi të vazhdueshëm të bazuar mbi rritjen e resurseve materiale. «Nuk reziston më dallimi midis natyrës dhe kulturës: popujt amazonas tregojnë se një raport ndryshe me mjedisin është i mundur. Ne i përkasim Tokës, nuk është Toka ajo që na përket ne».

Pas një qëndrimi të gjatë e të detyruar në një lokalitet alpin në jugperëndimin francez, Philippe Descola sapo është kthyer në Paris. I ka shpëtuar virusit, një praktikë familjare për atë që quhet Achuar, një shoqëri amerindiane që antropologu francez, nxënës i Claude Lévi-Strauss, e studion nga vitet Shtatëdhjetë. Kanë qenë pikërisht qëndrimet e përsëritura shkencore në Amazoni ato që i kanë sugjeruar një drejtim kërkimor që më pas e ka çuar përpara gjatë gjithë karrierës së tij akademike dhe që ka të bëjë me mënyrën sesi shoqëritë njerëzore kanë menduar e vepruar në mjedisin ku jetojnë. Nga këtu ka nisur një rrugëtim, që duke vënë në dialog antropologjinë kulturore me filozofinë dhe historinë e mendimit perëndimor, e ka bërë që të vërë radikalisht në diskutim kundërvënien midis natyrës dhe kulturës që karakterizon mendimin tonë. Sot Descola është një prej pikave të referimit e ambientalizmit të «ri», që «La Lettura» e ka quajtur «Koinocene»; utopia e një bote ku, me rënien e unicitetit njerëzor, Toka bëhet një terren i përbashkët, i përbërë nga ndërvarësi midis qenieve njerëzore e jonjerëzore, të gjalla e jo të gjalla, që e banojnë.

Historia e njerëzimit apo e shoqërive të caktuara njerëzore karakterizohet nga një vullnet i pandërprerë për të kaluar kufij, për të njohur të renë, për të eksploruar dhe dominuar botën. Kriza mjedisore dhe virusi sinjalizojnë ndoshta se ka ardhur momenti që t’i jepet fund kësaj shtytjeje prometeike?
«Bëtë shumë mirë që saktësuat “e disa shoqërive të caktuara”, pasi lidhur me këtë nuk ka asgjë universale. Janë të shumta shoqëritë ql kanë një horizont relativisht të kufizuar. Shoqëritë ekspansioniste janë perandoritë e lashta e basenit mesdhetar, e Lindjes së Afërt, janë edhe perandoritë si për shembull ajo e inkasve që në harkun e rreth një shekulli kanë arritur të zënë një shtrirje të konsiderueshme. Por pjesa më e madhe e shoqërive, përpara ekspansionit të madh kolonial të ‘500, kishin një horizont mjaft të kufizuar, nuk kishin ambicje për ta përshkuar botëm dhe më pak akoma ta dominonin atë. Një gjë që godet shumë atë interesohet për të ashtuquajturën luftë primitive, domethënë për konfliktet midis shoqërishë jomoderne, është se luftëra të tilla shumë rrallë janë objektiv pushtimi territorial. Faktikisht ato kanë objektivin e kapjes së armiqve, nganjëherë të siguronin trofe (gra, bagëti), por shumë rrallë aneksimin e territoreve. Me fjalë të tjera, kjo dëshirë për dominim është karakteristikë e asaj që e ka pasur nisjen duke filluar nga shekulli i XVI dhe që është quajtur një kombinim midis dëshirës së njohjes dhe dëshirës së posedimit. Kolonializmi është pikërisht ky. Kolonizatorët e parë iberikë të Amerikave, por edhe të një pjese të Juglindjes Aziatike, kanë pasur objektiva të lidhura në mënyrë të pazgjidhshme midis tyre: pushtimi, dominimi, sigurimi pasurishë, ushtrimi kontrolli mbi krahun e punës, por njëherazi të njihnin edhe njerëzit që nënshtronin. Në një farë kuptimi, antropologjia i detyrohet kësaj lëvizjeje të Europës, që ka konsistuar në mënyrë të pandashme në nënshtrim dhe, njëherazi, në njohje».

Ju jeni një prej specialistëve më të mëdhenj të Amazonisë dhe sidomos i Achuar-ëve. Çfarë impakti të drejtëpërdrejtë ka Covid-19 mbi popujt amerindianë e Amazonisë?
«Duhet kujtuar se popujt amerindianë dhe jo vetë ata të Amazonisë e kanë pësuar shokun e parë të madh epidemiologjik të planetit në shekullin e XVI, kur kolonizatorët e parë kanë mbrritur dhe kanë transmetuar sëmundjet e tyre infektive ndaj të cilave ata nuk qenë të imunizuar. Në disa rajone, sidomos të Amazonisë, në harkun e një shekulli është zhdukur 90% e popullsisë: po them 90%. E lehtë të kuptohet se çfarë do të thotë krahasuar me vdekshmërinë, në thelb relativisht e ulët, e pandemive të mëdha e kohëve të fundit, gripin spanjoll apo Covid-19: nënkupton një shkatërrim të përbindshëm, të paimagjinueshëm. Megjithatë, qysh atëhere këta popuj kanë adoptuar disa teknika me qëllim mbrojtjeje. Duke e pasur të kuptuar mjaft mirë parimin e infektimit, sapo në një komunitet amerindian dikush sëmurej, i gjithë komuniteti shpërndahej. Por nuk ka mjaftuar. Pastaj, aktualisht shpërndarja është shumë më e vështirë dhe pasojat janë katastrofike: unë jam ende në kontakt me Achuar-ët dhe më ka ardhur lajmi se njerëz të ndryshëm që kam njohur kanë vdekur nga Covid-19. Veç kësaj, në përgjithësi popullsitë amazonase jetojnë larg qendrave shëndetësore dhe, për pasojë, kanë shumë vështirësi në sigurimin e kurave të disponueshme. Ka mundësi janë më pak të ekspozuar nga sa do të ishin në përqëndrimet e mëdha urbane, por ama janë, siç jemi të gjithë».

Çfarë kujtimi ruani nga kërkimet tuaja të para në terren? E pse pikërisht Achuar-ët ju kanë goditur deri në atë pikë sa t’i kushtoni një jetë të tërë kërkimi dhe refleksioni pak mijëra njerëzve?
«Jam tërhequr nga Amazonia prej një motivi të përgjithshëm, domethënë prej karakterit enigmatik të këtyre shoqërive. Qysh nga zbulimi dhe nga pushtimi i rrafshultave të Amerikës së Jugut, sidomos të bregdetit, përpara atij që është sot Brazili dhe më pas, në anën tjetër, asaj perëndimore, domethënë territorit që shtrihet në rrëzën e Andeve, europianët janë gjendur përballë shoqërishë që kishin vështirësi të mëdha për t’i kuptuar: nuk kishin monarkë, nuk kishin sovranë, nuk ekzistonte një religjion i dukshëm – nuk kishte tempuj, nuk kishte priftërinj – nuk kishin një sistem tregu; për më tepër, fshatrat qenë shumë të largët me njëri tjetrin dhe nganjëherë edhe habitati ishte i hallakatur. Kështu që europianët nuk e kuptonin se në çfarë konsistonte shoqëria në këto komunitete amerindiane të rrafshultave. Kjo paqartësi ka vazhduar gjatë, në një farë kuptimi deri në ditët tona: amerindianët konsideroheshin (dhe ky është versioni rozë dhe i praruar, qëndrimi, për shembull, i Montaigne) ose si fëmijë lakuriq, filozofë që arësyetonin probleme komplekse metafizike dhe jetonin e frutat që një natyrë bujare u siguronte atyre; ose, në të kundërt, si kanibalë të këqinj që vriteshin midis tyre. Në një farë kuptimi qenë të vërtetat të dyja gjërat. Për 4 apo 5 shekuj europianët kanë përdorur në filozofinë e tyre këtë imazh të shoqërive amazonase».

Po ju çfarë përshtypje keni krijuar?
«Ajo mënyrë e çuditshme e të qënit, domethënë i të jetuarit në diçka që ngjan me një gjendje natyrale – e nënkuptuar si në filozofinë politike europiane – domethënë ku nuk ka krerë, nuk ekziston një sistem kohezioni siç mund të jenë linja trashëgimore, klani apo gjëra të kësaj natyre, më kishte goditur shumë. Duhej të ishte diçka që mundësonte të kuptohej fluiditeti i këtij organizimi social dhe ai raport i veçantë me natyrën. Domethënë, isha nisur nga ajo hipotezë, që ishte produkt i një nuhatjeje dhe është pikërisht ajo çka kam zbuluar midis Achuar-ëve. Ama më është dashur kohë. Në analizë të fundit, ajo botë më ka stimuluar, në kuptimin se aty, me një farë naiviteti i caktuar, kam zbuluar për herë të parë se ai i “natyrës” nuk është një koncept universal, se ata njerëz nuk jetonin “afër me natyrën”, pasi për ta “natyra” nuk ekzistonte: bimët, kafshët, shpirtërat, të gjitha qeniet jonjerëzore formonin një lloj shoqërie, bile shoqërishë, me të cilat ruanin një ndërveprim, një negociim, një konkurrencë konstante. Në thelb është kjo ajë që ka stimuluar të gjithë punën time rë mëpasme kërkimore. Në vitet ku me shoqen time, Anne-Christine Taylor, kemi kryer investigimin tonë etnologjik, në realitet kemi kuptuar se Achuar-ët ruajnë një lloj dialogu konstant me qeniet jonjerëzore duke ju kërkuar këngë që janë forma ndërlidhjeje, mjaft poetike, drejtuar zemrës apo brendësisë së bimëve, të kafshëve, të shpirtërave. Qysh kur kemi filluar ta kuptojmë këtë, ka qenë e vështirë të flitet, për shembull, për “natyrë” e për “kulturë”, pasi në thelb për Achuar-ët bimët dhe kafshë qenë për ta po aq “kulturorë” të kulturës së tyre të përditshme».

Lidhur me këtë, mund të thuhet se ju jeni ndër frymëzuesit e një ekologjizmi të ri, që në masë të madhe prishet me idenë se do të ezistonte një «natyrë» e konceptuar deridiku si diçka e ndarë nga «kultura» dhe nga qenia njerëzore. Si do ta shpjegonit me fjalë të thjeshta këtë vizion të ri?
«Ky vizion i ri është thjesht një kthim reflektiv dhe kritik lidhur me përvojën e modernizmit, domethënë të përvojës së modernizmit, domethënë të përvojës së atij që e kam quajtur “natyralizëm”, që është një mënyrë shikimi të gjërave e cila fillon të zhvillohet shumë shpejt – shikohet në imazhet duke filluar nga shekulli i XV — dhe më pas formalizohet në gjirin e elitave filozofike e shkencore duke filluar nga shekulli i XVII, sipas të cilit qeniet njerëzore do të ishin kafshë si të tjerat, por do të dalloheshin prej faktit se kanë një brendi, një vetëdije, një subjektivitet që do ta bënin diçka krejtësisht të veçantë në botën e qenieve organike dhe inorganike. Dhe kjo është diçka absolutisht e jashtëzakonshme që ka ndodhur në Europë gjatë disa shekujve dhe më pas, me kalimin e kohës, është përhapur me ekspansionin kolonial, me imperializmin dhe, në vijim, me tregëtinë e ideve dhe të mallrave. Ama duhet nënvizuar se deri në çfarë pike një vizion i tillë është i jashtëzakonshëm. Me pak fjalë, propozoj të kërkohet të mos shikohet më ajo që e quajmë “natyrë” si një magazinë resursesh të jashtme për humanët, por si një botë ose, në thelb, si më e mira e botëve, ku qeniet njerëzore janë të integruar në tërësinë e qenieve me të cilat ndërveprojnë».

Bëhet fjalë për një kthesë radikale?
«Sigurisht që nuk është një vizion i ri: kështu ishte në Mesjetë, që ishte si të thuash ekocentrik apo biocentrik, me teori si ajo e zinxhirit të madh të qenies. Por ndryshimi i madh i Mesjetës – Mesjetës europiane – është se kjo jo ndarje e qenieve njerëzore dhe jonjerëzore nuk duhej mbështetur mbi një hierarki midis qenieve, siç qe dikur apo siç është në sisteme të tjera. Prandaj duhet të gjejmë një mënyrë të ndërvepruari me johumanët, ku në thelb njëra palë të mos ushtrojë dominimin e saj mbi të tjerët pavarësisht statusit ontologjik të tyre, por është për t’u shpikur një filozofi e re, bile edhe një politikë e re. Është kjo ajo që e bën kaq ekzaltuese epokën aktuale: sepse, mendoj që e kemi plotësuar një cikël të filluar me Rilindjen dhe që tani, siç është e qartë, ndërpritet në mënyrë shembullore me ngrohjen e planetit dhe me vënien në pikëpyetje e rolit të qenieve njerëzore në ekuilibrin në sipërfaqe të Tokës».

Nëse virusët sigurisht që nuk e çlirojnë njerëzimit, pandemia mund të na hapë sytë dhe të na nxjerrë nga verbëria jonë e madhe, siç thotë Amitav Ghosh, përballë shkatërrimit të shkaktuar planetit nga kapitalizmi liberal?
«Hëm, mund të shpresohet që të jetë kështu. Në fund të fundit, çfarë është virusi? Është një qenie që jeton me resurset e mikpritësit të tij, që e shkatërron gradualisht dhe, në një farë kuptimi, kjo është pikërisht ajo që bën kapitalizmi liberal, pra që është edhe ai një virus. Vështirësia është se një kthesë nuk do të ndodhë lehtë, nuk do të ndodhë prej negociimit. Mendoj se kapitalizmi, që në këtë moment ngjyroset me të gjelbër, domethënë përdor të gjithë fjalorin tipik e mbështetshmërisë, nuk e ka as qëllimin më të vogël që të heqë dorë nga ekspansioni i tij dhe sidomos nga ajo ide e rritjes që është krejtësisht e çmendur, sepse siç e dimë, çdo vit dhe në një moment gjithnjë e më të parakohshëm të vitit ne – ne njerëzimi — ezaurojmë resurset që Toka mund të na sigurojë në 12 muaj. Ama do të doja njëlloj të këmbëngul mbi këtë fakt të rëndësishëm: është e vërtetë, shpesh flitet për Antropocenin, domethënë thuhet se raca njerëzore është bërë një forcë gjeologjike që influencon ndaj klimës dhe bën gradualisht zhdukjen e specieve të gjalla, ndotjen dhe kështu me radhë. Ama ajo që e bën nuk është raca njerëzore si e tillë: është një sistem që e bën. Sepse disa përfaqësues të këtij njerëzimi që njoh, në Amazoni apo tjetërkund, me këtë proces shkatërrimi nuk kanë të bëjnë aspak. Kështu që është kundër sistemit që nevojitet të luftohet dhe jo të akuzohet njeriu në përgjithësi».

Shumë mendojnë se konceptet dhe praktikat e mjedisit ose diversitetet kulturore e popujve indigjenë janë gjëra të së kaluarës dhe, për pasojë, mund të shihen në mënyrë nostalgjike, por në thelb janë të papërshtatshme me botën bashkëkohore. Në të kundërt, pse dhe në çfarë kuptimi diversiteti i shoqërive njerëzore mund të përshtatet në mënyrë kreative me botën tonë?
«Përvojat historike nuk barten. Për pasojë, është iluzive të mendosh se Achuar-ët, Inuit-ët apo banorët e Guinesë së Re – Papua mund të na ofrojnë mësime për të tashmen. Kurse ajo që mund të na ofrojnë – dhe është për këtë që antropologjia vazhdon të jetë një shkencë e çmuar dhe politikisht e dobishme – janë në fakt alternativat ndaj mënyrës së konceptimit të së tashmes, domethënë si trampolina konceptuale. Ne kultivojmë një iluzion dhe me ne kam parasysh euro – amerikanët, shumë prej të cilëve jetojnë në bollëk duke menduar se fati final i racës njerëzore është ai të pasurit gjithnjë e më shumë bollëk, gjithnjë e më i pasur, gjithnjë e më i lumtur, të jetojë sa më gjatë. Ka qenë kjo ide, që në thelb ka lindur me filozofinë e Iluminizmit, që ka ndërthurur në mënyrë të pazgjidhshme dëshirën për emancipim me dëshirën për pasuri ose, gjithësesi, mirëqenie. Por në thelb kjo ndërthurje po zgjidhet, po zhbëhet. Është e qartë se idealet e kësaj filozofie iluministe, që kanë qeverisur edhe lëvizjet e mëdha socialiste, dhe që mendimtarët e mëdhenj socialistë e shekullit XIX i kanë shtyrë përpara, nuk janë më të mbështetshëm. Kështu, nga kjo pikëpamje, gjithçka që mund t’i mundësojë vitalitetit intelektuale të përpiqet të imagjinojë të ardhme të ndryshme nga kjo që ndodhemi është mirë. Nën këtë profil, e përsëris, nuk bëhet fjalë për të bartur përvoja historike që nuk janë të bartëshme, por për t’i përdorur që të shikohet sesi janë konceptualizuar dhe si vazhdojnë të konceptualizohen – pasi nuk po flasim për të kaluarën: për shumë popuj po flasim akoma për të tashmen – raportet me Tokën, raportet midis qenieve njerëzore, raportet me përshtatshmërinë, për shembull. Ideja bazë është se është Toka ajo që i posedon qeniet njerëzore dhe jo qeniet njerëzore që e posedojnë Tokën».

Si e keni përjetuar periudhën e pandemisë? Çfarë reflektimesh ju ka frymëzuar kjo pauzë e gjatë e detyruar?
«Hëm, unë jam i privilegjuar. Parasëgjithash, jam në pension dhe kështu që nuk kam nevojë as të shkoj në zyrë çdo ditë, as të jap leksione çdo ditë. Shkoj në universitet, por jam në pension dhe kështu që kam mundur ta kaloj periudhën e izolimit në një shtëpi të familjes në jugperëndimin e Francës, një rajon shumë i bukur, dhe këtu kam shoqëruar stinët. Sepse është një kënaqësi absolutisht e jashtëzakonshme të shohësh të ndryshojnë peizazhet ditë pas ditë, të shohësh të lulëzojnë lule të reja, të shohësh tek vijnë specie të reja zogjsh, të shohësh ciklin hënor… gjëra kështu, shumë të thjeshta. Kështu që këtë përvojë e kam përjetuar mjaft mirë. Por njëherazi jam i vetëdijshëm se nga shumë është përjetuar keq dhe këtu në Francë është në rajonet dhe në zonat më të dendura me popullsi, sidomos në ato më pak të lulëzuara në planin ekonomik, që virusi është përhapur në mënyrën më dramatike».

Çfarë do të thotë kjo?
«Do të thotë se në thelb virusi ka ndezur dritat mbi një gjë themelore, domethënë mbi jetëgjatësinë e pabarazive. Disa i njihnim tashmë: pabarazi në planin e arësimit, pabarazi ekonomike, por ka edhe pabarazi në planin shëndetësor. Unë nuk mendoj se bota e paspandemisë do të jetë shumë ndryshe nga ajo e mëparshmja, sepse nuk do të jetë sigurisht një virus ai që do të ndryshojë botën. Ndoshta ky virus do të na bëjë më të vetëdijshëm për pabarazinë e thellë që ekziston në gjirin e vendeve të pasura dhe, natyrisht, akoma më shumë midis këtyre vendeve të pasura dhe atyre që janë shumë më pak. Pak më parë ju keni përmendur diversitetin. Mendoj se diversiteti duhet të jetë një vlerë normative, domethënë jo subjekt diskutimi, në kuptimin që duhet të orientojë gjithë sjelljet tona. Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për diversitetin biologjik, bëhet fjalë edhe për diversitetin e gjuhëve, diversitetin e mënyrave të veprimit, diversitetin e mënyrave të mendimit. Pra një botë gjithnjë e më e diversifikuar është një vlerë ndaj së cilës duhet të tentojmë».
(nga La Lettura)

Përgatiti
ARMIN TIRANA