Të mësojmë nga Donald Rumsfeld: Mbrojtja më e mirë është sulmi

Bashkëbisedim me gjeneralin Liu Yazhou e Aviacionit të Ushtrisë Popullore Çlirimtare Kineze, dhënë gazetarit Dai Xu, gazetar i revistës ushtarake “Shkenca Ushtarake e Aeronautikës”.

Çfarë mësimesh mund të nxirren nga fushata amerikane në Irak?
Kjo luftë përfaqëson vetëm një pikënisje. Pavarësisht se trajtohet si konflikt rajonal, ajo ka kontribuar shumë në modifikimin substancial e ekuilibrave botërorë. Shekulli i XX është dominuar nga konfrontimi midis dy blloqeve: ish Bashkimit Sovjetik dhe Shteteve të Bashkuara. Këto kanë zhvilluar dy filozofi ushtarake midis tyre antietike, që nga ana e tyre kanë plazmuar organizimin dhe teknikat e thuajse të gjitha ushtrive të botës. Të gjitha luftërat e shpërthyera nga mbarimi i Luftës së Ftohtë kanë parë përballë këto dy filozofi ushtarake, trashëgimi e kundërvënies së dy blloqeve. Lufta irakene ka demonstruar dështimin total e qasjes ushtarake sovjetike: me këtë konflikt mund të thuhet se humbjes ekonomike të bllokut lindor i është shtuar edhe disfata totale ushtarake e tij. Midis gërmadhave në tym të Bagdadit shpalosen imazhet e Luginës al-Biqa‘ në Liban, të Bejrutit, të ish Jugosllavisë, të Afganistanit… Konflikte të tilla paraqesin analogji të habitshme: faktikisht të gjitha këto vende qenë aleatë të ish Bashkimit Soivjetik ose gjithësesi territore subjekte në mënyra të ndryshme ndaj influencës sovjetike. Të gjitha përdornin armë dhe teknika luftarake sovjetike.

Ngjarjet e Bagdadit kanë demonstruar se një ushtri fleksibël, edhe pse me përmasa të reduktuara, mund t’i shkaktojë humbje të mëdha një ushtrie të konsiderueshme, por konceptualisht e tejkaluar. Pikërisht, Iraku është një vend forcat e armatosura e të cilit – ushtri, marinë dhe aviacion – qenë të pajisura me armatime sovjetike, midis të cilave raketat Scud, gjuajtësit Mig dhe tanke të prodhimit sovjetik. Këto armatime qenë ajka e asaj që teknologjia ushtarake sovjetike kishte prodhuar dhe qenë pranuar në Irak në sasira të mëdha, bashkë me teknikat dhe filozofinë ushtarake sovjetike. Ushtria irakene ishte numerikisht imponuese dhe në linjë me teorinë sovjetike e «forcës goditëse» në vijë të parë. Iraku ka grumbulluar në kufi sasi të mëdha trupash dhe materialesh artilerie, duke i përqëndruar në tërësi komandat. Rezultati ka qenë se vijat mbrojtëse e armatave të frikshme irakene janë shpërbërë brenda pak ditësh përballë avancimit të trupave amerikane. Atëhere vëzhguesit ushtarakë rusë më së fundi e kanë kuptuar se «Shtetet e Bashkuara kanë rishkruar paradigmat ushtarake».

Sipas jush, cilët kanë qenë pikat kryesore të dobëta e ushtrisë ruse karshi asaj amerikane?
Hendeku ishte i dyfishtë: në teknologji ushtarake dhe në filozofinë e luftës. Sidomos për sa i përket të parës, Shtetet e Bashkuara u kanë zbatuar sistematikisht forcave të tyre të armatosura përparimet e pandërprera teknologjike, duke arritur që të mund t’i dislokonin armët e tyre më shkatërrimtare në vendet më të largëta në kohë të shkurtër. Gjatë luftës në Kosovë, në një ditë të vetme, Shtetet e Bashkuara kanë hedhur më shumë bomba se të gjitha raketat që Kina ka vendosur ndonjëherë në bregun juglindor të saj. Gjatë luftës në Afganistan, Shtetet e Bashkuara kanë ndërtuar një bombë të re termobarike, në gjendje të vrasë të strehuarit e një hapësire të mbyllur – një ndërtesë, një bunker apo një prej mijëra shpellave të maleve afganase, pa i shkaktuar dëmtime substanciale strukturës. Konceptimi dhe realizimi me shpejtësi i llojeve të reja të armatimeve sipas nevojave luftarake të momentit përfaqëson në vetëvete një armë. Krahasuar me to, ne kemi përdorur kundër Vietnamit të njëjtat torpedinierë, të njëjtit eksplozivë dhe të njëjtat pajisje radiotransmetuese të përdorura në luftën e Koresë.

Ndryshe nga ajo amerikane, teknologjia ruse ishte menduar dhe zbatuar vetëm në aspektin ushtarak dhe, edhe këtu, nuk ishte aspak e sistematizuar. Rusët kanë luftuar në Çeçeni me armatime konvencionale dhe fluksi i informacioneve midis zinxhirit komandues dhe teatrave operative ishte absolutisht i pamjaftueshëm. Midis forcave ruse dhe atyre çeçene nuk kishte hendek gjeneracional: nga këtu mungesa e një avantazhi teknologjik rus ndaj milicive çeçene dhe, për pasojë, pamundësia për rusët që të bënin një luftë asimetrike si ajo e bërë nga Shtetet e Bashkuara në Afganistan dhe në Irak.

Përballë një aviacioni mbizotërues kundërshtar, një lëvizshmëri e lartë është shpëtimi i vetëm për trupa me fuqi zjarri të dobët. Është pikërisht mungesa e lëvizshmërisë ajo që ka shkaktuar humbjen e shpejtë e trupave irakene dhe, më parë, të milicive afganase. Një prej objektivave themelorë të modernizimit luftarak amerikan është në fakt zhvillimi i sistemeve që kufizojnë sa më shumë të jetë e mundur lëvizshmërinë e armikut.

Në çfarë mënyre realizohet ky kufizim?
Qasja amerikane konsiston thelbësisht në kapjen e numrit më të madh të informacioneve, duke nxjerrë ndërkohë jashtë përdorimit sistemet e komunikimit të armikut. Le të shohim me shpejtësi disa të dhëna. Në betejë, quhet «sekuencë e sulmit» tërësia e operacioneve të nevojshme për të kryer një sulm të shënjestruar ndaj një objektivi të caktuar. Këto operacione përfshijnë individualizimin e shënjestrës, vendndodhjen e saktë të saj, vendosjen e sistemeve të armës, sulmin dhe vlerësimin ex post të operacionit. Në luftën e parë të Gjirit, një sekuencë e tillë realizohej për 100 minuta nga forcat amerikane; kjo kohë është ulur në 40 minuta në Kosovë, 20 në Afganistan dhe afërsisht 10 në Irak, ku thuajse është realizuar ekuivalenca «zbulim (i objektivit) = shkatërrim». Në këto rrethana, armiku rezulton praktikisht i çmobilizuar. Rritja eksponenciale e fuqisë luftarake amerikane konfiguron kështu një dominim të pakundërshtueshëm ushtarak amerikan në nivel botëror. Është një skenar absolutisht ngjethës.

Duke ju dashur ta klasifikoni luftën irakene në bazë të elementëve të indvidualizuara derë këtu, si do ta përkufizonit?
Lufta e dytë irakene ka qenë në thelb një luftë ajrore. Pavarësisht se Amerika ka përdorur në pushtim një numër jo pak të konsiderueshëm trupash tokësore, jam fuqimisht i bindur se forca ajrore ka qenë elementi përcaktues i këtij konflikti, siç nga tjetër ka qenë në të gjitha luftërat e kohëve të fundit të bëra nga Shtetet e Bashkuara, si lufta e parë e Gjirit, Kosova dhe Afganistani.

Atëhere pse Shtetet e Bashkuara kanë përdorur trupa tokësore qysh në fazët e para?
Pa përdorimin e forcave tokësore do të kishte e qenë e pamundur të arriheshin objektivat e deklaruara të konfliktit – «përmbysja e Saddam» dhe «çlirimi» i irakenëve. Nëpërmjet përdorimit të trupave tokësore, Shtetet e Bashkuara kanë dashur të dërgojnë qysh në fillim t’i dërgojnë një sinjal të paekuivok Irakut: «Kemi ardhur këtu për të qëndruar gjatë».

Vendimi amerikan për të përdorur trupa tokësore qysh në fazët e para i përgjigjej kështu më shumë nevojave politike sesa ushtarake?
Saktësisht. Nuk është rastësi që Shtetet e Bashkuara kanë bërë që shtypi botëror, përfshi atë kinez, ta dokumentonte me hollësi avancimin e trupave të koalicionit dhe marrjen e Bagdadit. Qysh nga fillimi, strategjia mediatike dhe ushtarake i përgjigjet projektit të Lindjes së Mesme të Madhe.

Përtej kësaj, a kishte arësye ngushtësisht ushtarake për përdorimin e trupave tokësore?
Po ju përgjigjem me një analogji. Forca ajrore përfaqëson rkahët e njeriut, që mund të përdoren për të thyer ndonjë xham dritareje apo thyer derëln e një shtëpie. Ama në rast se dëshirohet të pushtohet në mënyrë që qëndrueshme shtëpia, atëhere është e nevojshme të hyhet në të me gjithçka, me të dy këmbët – forcat tokësore – dhe të qëndrohet. Natyrisht, prej tri forcave të armatosura – marinë, ushtri dhe aviacion – kjo e fundit është absolutisht më e zhdërvjellta, më pak e kufizuar në punën e saj nga karakteristikat morfologjike e teatrit të aksionit. Është për këtë që Shtetet e Bashkuara synojnë gjithnjë e më shumë tek kjo si forcë me impakt të parë në konflikte.

Në luftën jugosllave e 1999, Shtetet e Bashkuara përdorën forcën ajrore jo vetëm për të goditur objektiva ushtarakë, por në përgjithësi për të nxjerrë jashtë loje të gjitha infrastrukturat kryesore strategjike të vendit, duke ja dobësuar kështu rezistencën. Në luftën e dytë irakene, Shtetet e Bashkuara e kanë përdorur forcën ajrore saktësisht në këtë mënyrë, me diferencën që roli i saj ka qenë shumë më i dukshëm. Ky përdorim i aviacionit përfaqëson fillin e kuq që lidh qasjen ushtarake amerikane në 10 vitet e fundit: nga lufta e parë në të dytën e Gjirit, duke kaluar nëpër Bosnje, sulmet ajrore mbi Irak të lidhura me kontrollin e no fly zone, Kosovë dhe Afganistan, «rrethimi ajror» i finalizuar në paralizën totale e kundërshtarit përfaqëson tiparin themelor e qasjes së re luftarake amerikane. Një qasje bazat e së cilës u hodhën gjatë konfliktit të dytë botëror dhe falë të cilit, qysh atëhere, Amerika nuk ka regjistruar kurrë një numër viktimash më të madh se ai i armikut. Dora dorës që teknologjia luftarake e Amerikës rritet në kompleksitet, strategjia e saj tenton që të thjeshtohet. Ajo mund të përmblidhet në sloganin: «Fitore sa më shpejt të jetë e mundur me koston më të vogël të mundshme».

Lidhur me kostot, Shtetet e Bashkuara duket se i kushtojnë një vëmendje të madhe kostot së konflikteve.
Dhe bëjnë shumë mirë. Nga kjo pikëpamje, Shtetet e Bashkuara përbëjnë patjetër një shembull të rëndësishëm për Kinën, nga momenti që janë vendi i vetëm i cili arrin të nxjerrë fittime ttë konsiderueshme nga konflikte në vetëvete mjaft të kushtueshëm. Amerika ka filluar ta trajtojë luftën si biznes pas aventurës në Vietnam. Qysh atëhere, jo vetëm që kërkon sistematikisht të lidhë vende të tjera në ndërmarrjet luftarake të saj, për të ndarë kostot, por fut në dorë resurset e shtetit të mundur, në rindërtimin e të cilit shpesh kontribuon edhe me shitjen e sasive të mëdha të armëve për t’i rindërtuar forcën ushtarake.

Në këtë mënyrë Shtetet e Bashkuara kanë hyrë në një lloj «qarku luftarak», sipas të cilit sa më shumë luftëra bëjnë dhe sa më shumë pasurohen, aq më tepër, anasjelltas, sa më shumë pasurohen dhe sa më shumë luftojnë. Kjo formë varësie ekonomike nga lufta sigurisht që është e rrezikshme, megjithatë është i pamohueshëm avancimi nga pikëpamja konceptuale. Në luftimin e hegjemonisë amerikane, Kina njëkohësisht duhet ta përvetësojë këtë konceptim strategjik.

Lufta Yjore e Reagan, planet për «mburojat yjore» NMD e TMD e presidencave Clinton e Bush i përmbahen të gjithave strategjisë së luftës ajrore. Për më tepër, faktikisht ato e ngrinin konceptin e luftës ajrore në luftë hapësinore. Mendoni se forcat ushtarake tokësore janë të destinuara që të zhduken?
Më shumë sesa të zhduken, të reduktohen progresivisht në numër dhe në rëndësi. Proces që, nga ana tjetër, është tashmë plotësisht në zhvillim. Vende të ndryshme e kanë tejkaluar prej kohesh konceptin e «fitores përmes numrave» dhe i kanë reduktuar përmasat e forcave të tyre tokësore. Ushtria amerikane ka kaluar nga mbi 2 milion në 1 milion njerëz, ajo franceze nga 560000 në 400000. National Strategy Institute i Londrës vlerëson se në 1985 totali botëror i ushtarëve ishte 30 milion; qysh atëhere e deri më soot, një numër i tillë ka zbritur në pak më shumë se 20 milion.

Brenda 2020, duke filluar nga teknologjia e bombarduesve Stealth (të padukshëm nga radarët, shënimi im.), Shtetet e Bashkuara do të kenë zhvilluar 4 platforma ajrore: B-2, F-22, aeromobilët sulmues të kombinuar dhe dronët pa pilot. Një pjesë e konsiderueshme e parimeve strategjike dhe të teknologjisë në themelin e këtij evolucioni janë hartuar gjatë luftës së fundit irakene, sidomos për sa u përket përdorimit të bombarduesve Stealth dhe të dronëve. Nga pikëpamja teknologjike, për shumë kohë akoma Kina nuk do të jetë në gjendje të barabitet me evolucionin e makinës ushtarake amerikane. Me më shumë arësye, për ne është vendimtare t’i asimiliojmë risitë strategjike dhe konceptuale: në këtë nuk mund t’i lejojmë vetes të mbesim shumë prapa.

Çfarë roli ka pasur informatika në luftën e dytë irakene?
Informatizimi është pjesë e vetë natyrës së kësaj lufte, siç ka qenë me konfliktin e parë iraken më 1991. Nëse në të kaluarën premisa themelore e fitores luftarake ishte një forcë ushtarake mbizotëruese, tani një premisë e tillë qëndron kryesisht në nivelin shkencor dhe teknologjik. Kështu që për zhvillimin teknologjik e një vendi është themelore që të gjitha zbulimet dhe novatorizmat shkencore kryesore që realizohen në të të përdoren parasëgjithash në luftë, po qe e nevojshme nëpërmmjet përdorimit të shtrëngimit. Në të kundërt, forcat e armatosura do të jenë sektori që do të vuajë më shumë nga prapambetja shkencore dhe teknologjike. Armët e përdorura nga Shtetet e Bashkuara në Irak përdorin maksimumin që vendi ka prodhuar deri më tani në fushat më të ndryshme shkencore, përfshi mekanikën kuantike, dinamikën, elektrodinamikën, fizikën relativiste, kiminë organike e inorganike dhe informatikën, sa për të përmendur disa.

Cilat janë efektet më të rëndësishme e një zbatimi masiv të informatikës ndaj evolucionit të armatimeve?
Mendoj se efektet janë të tri rendeve: zhvillimit të sistemeve të armëve elektronike me potencialitete më parë të paimagjinueshme; rritjes eksponenciale të nivelit të ndërveprueshmërisë të sistemeve; rëndësisë së re strategjike e luftës psikologjike. Prej këtyre tri faktorëve, i fundit ka mundësi që është ai më i barsuri me implikime strategjike. Ofensiva psikologjike e Shteteve të Bashkuara në Irak është planifikuar me shumë kujdes dhe nisja e saj i paraprin fushatës ushtarake në kuptimin e vërtetë të fjalës. Ajo e ka pasur fillimin në Shtetet e Bashkuara, me aksionin intensiv diplomatik e mediatik në nivel botëror të prirur që ta perceptojë si gjithnjë e më të pashmangshme luftën dhe rrëzimin pasues të Saddam. Njëkohësisht, Shtetet e Bshkuara grumbullonin me shpejtësi mjete dhe trupa në afërsi të Irakut, duke përdorur një sinergji efikase midis përdorimit masiv të aparatit modern të mediave dhe dislokimit të plotë e të shpejtë të forcës së tyre ushtarake, që më pas janë mbështetur respektivisht. E gjitha kjo ka në themel një përdorim masiv e sistematik, në aspekt ushtarak e civil, të teknologjisë informatike.

Më 18 prill 2004, New York Times botonte një artikull të titulluar «Këshilltarët kinezë e Saddam», ku nënvizohej fakti që ushtarakët kinezë vazhdonin me kokëfortësi të shfaqnin një mentalitet demode, që i përkiste luftës së çlirimit popullor. Artikulli konkludonte se me premisa të tilla ushtria kineze nuk përbënte kërcënim për askënd.
Ky është vetëm opinioni i një eksponenti të elitës politiko – ushtarake perëdimore dhe në vetëvete nuk provon asgjë. Pengesat e shumta ndaj modernizimit tonë ushtarak janë të pamohueshme dhe midis këtyre vonesat konceptuale përfaqësojnë problemin kryesor. Por të bashkëekzistosh me një gjigand ushtarak si Shtetet e Bashkuara është për ne njëherazi hendikap dhe fat. Hendikapi qëndron pikërisht në forcën ushtarake amerikane, që për momentin duket jashtëzakonisht e madhe; fati konsiston paradoksalisht në vetë këtë disproporcion forcash, që i bën Shtetet e Bashkuara një rivalin tonë potencial dhe na detyron ta ndjekim në rrugën e modernizimit, duke na ofruar ndërkohë një term referimi të vlefshëm. Po ta shikosh mirë, shtylla mbajtëse e forcës ushtarake amerikane, aviacioni, paraqet kufizime serioze: ndërsa avionët e tyre bëhen teknologjikisht gjithnjë e më të avancuar, teknikat e tyre luftarake tentojnë anasjelltas që të ngurtësohen, pasi për momentin dhe, ka të ngjarë, edhe për shumë kohë akoma, mungesa thuajse totale e rivalëve nuk i imponon aviacionit amerikan një përpjekje të vazhdueshme azhurnimi të teknikave të luftimit.

Pavarësisht kësaj, novatorizmi në fushën ushtarake nga ana e Shteteve të Bashkuara vazhdon pandërprerje dhe, pavarësisht se jo domosdoshmërisht gjithçka është tradicionale rezulton në vetëvete anakronike, vonesa jonë në aspektin ushtarak si në terma teknologjie, ashtu edhe mentaliteti, është e qartë. Është pikërisht për këtë që duhet t’i përqëndrojmë energjitë tona mbi modernizimin radikal e strategjisë tonë ushtarake. Gjatë Luftës së Ftohtë , strategjia ushtarake amerikane ndryshonte rreth çdo dekadë; sot ndryshon çdo 2 apo 3 vjet dhe na duhet të përshtatemi me këtë ritëm. Në këtë përpjekje, forcat e armatosura kineze nuk duhet të bien në gabimin e importimit pasivisht të teknikave amerikane, por të përpunojnë modelet e tyre. Në këtë optikë mendoj se doktrina ushtarake maoiste çuditërisht rezulton ende e dobishme.

Në prizmin e disproporcionit midis forcës tonë ushtarake dhe asaj amerikane, e mendoni të mundshme që në të ardhmen Shtetet e Bashkuara mund ta pushtojnë Kinën siç kanë bërë me Irakun?
Do të isha shumë i matur në dhënien e përcaktimeve gjenerike dhe sempliste, që si të tilla shpesh rezultojnë totalisht të gabuara. Megjithatë, është e vërtetë se rreziku që të pushtohemi nga Shtetet e Bashkuara varet në një masë të mirë nga vetë ne: sa më e qëndrueshme dhe e frikshme të duket strategjia jonë e frikësimit, aq më shumë Shtetet e Bashkuara do të jenë të matura në vlerësimin e hipotezës të një ndërhyrjeje ushtarake. Ajo që është e sigurtë është se nëqoftëse do të vazhdojmë ta mbështesim strategjinë tonë ushtarake në mbrojtjen e thjeshtë e kufijve tokësorë, me anë të një përdorimi masiv të këmbësorisë dhe të artilerisë tokësore, do të ekspozohemi ndaj humbjesh të parashikueshme nga dora e armiqve që kanë aviacionin armën kryesore sulmuese të tyre.

Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara do të bëjnë gjithçka me qëllim që armiku i tyre ta perceptojë kërcënimin si të ardhur nga toka. Në këtë mënyrë, ai do t’i përqëndrojë mbrojtjet e tij mbi territor, duke ja lëshuar hapësirën ajrore dhe atë detare forcave amerikane, nga të cilat do të rezultojë praktikisht i shembur përtokë. Shtetet e Bashkuara kanë kuptuar nga lufta në Kore dhe ajo në Vietnam sesa të kushtueshme dhe të rrezikshme janë fushatat ushtarake tokësore dhe kanë vepruar për pasojë, duke e përqëndruar forcën e tyre sulmuese tek aviacioni. Edhe ne duhet ta përvetësojmë sa më mirë këtë mësim.

Me pak fjalë, cilat duhet të jenë linjat drejtuese e zhvillimit të ardhshëm të forcave tona të armatosura?
Thelbësisht dy. Parasëgjithash, duhet ta bëjmë absolutisht tonin konceptin e «fitores dërrmuese». Në praktikë, kjo implikon kalimin nga një mentalitet në thelb mbrojtës në një kulturë strategjike që e ka vatrën e saj në zhvillimin e një aftësie të konsiderueshme sulmuese, që e tejkalon me shumë kapacitetin e mbrojtjes pasive. Detyra nuk është aspak e thjeshtë. Mbrojtja dhe rezistenca kanë qenë për mijëra vjet aksioma të padiskutueshme të mendimit strategjik kinez të mendimit strategjik kinez, i influencuar thellësisht në këtë nga relievi i vendit, ku vargmalet e Jugperëndimit e të Veriperëndimit dhe Deti Kinës Lindore dhe i asaj Jugpre kanë siguruar gjithmonë një mbrojtje natyrale. Në pjesën e vetme të vendit të ekspozuar ndaj pushtimeve, Veriun, është ende sot i dukshëm monumenti i pafundëm i këtij mentaliteti: Muri i Madh, që nuk e ka ndaluar në fakt askënd përveç vetes tonë. Në radhë të dytë, forcat tona të armatosura kanë absolutisht nevojë t’i japin vlerë elementit njerëzor, që nga ana e tij ka 3 implikime, të përmbledhura në po kaq formula:

1) Dhënia vlerë cilësive individuale: Përpara hapjes së vendit ndaj ekonomisë së tregut nuk është se në Kinë mungonin talentet dhe idetë. Thjesht individëve që i shprehnin, njëlloj me mjedisin ku vepronin, u mungonte shpirti modern individual i biznesit, për të cilin energjitë dhe intuitat shtypeshin ose gjithësesi nuk u jepej vlera e duhur. Diçka e ngjashme ndodh në forcat e armatosura, duke e kufizuar qasjen e individëve të veçantë ndaj progresit të tyre.
2) Promovimi i talenteve: Për mijëra vjet, mobilizimi i masave ka qenë instrumenti kryesor me të cilin Kina ka bërë luftërat e saj: fitorja varej nga numri i njerëzve që vendi ishte në gjendje të mobilizonte. Kjo qasje, thelbësisht e bazuar tek numrat, duket autentike respektivisht teorisë së Donald Rumsfeld, e zbatuar me efikasitet në Irak, që ja beson sulmin trupave të zgjedhura, numerikisht të pakta, por të pajisura mrekullisht dhe akoma më mirë të arësimuara e të stërvitura. Ushtria jonë ka një problem serioz në termat e arësimimit dhe stërvitjes së trupave: niveli arësimor i nënoficerëve tanë është më i ulët nga ai i vetë oficerëve kinezë, për të mos folur të atyre amerikanë. Procesi i reduktimit dhe i riorganizimit të ushtrisë tonë kërkon që të ngrihet një nivel mesatar i tillë.

3) Shpirti i tolerancës: Asimilimi i detyruar i mendimit të vartësve ndaj atyre të hierarkive ushtarake është një manifestim tjetër i qëndrimit me superioritet përçmues i kuadrove tanë. Kjo i ka shtyrë gjithmonë hierarkitë që të promovojnë, sidomos në momentet më kritike, qëndrime servilizmi dhe nënshtrimi, të konsideruara si shfaqje «ndershmërie». Zhou Wei, Drejtor Ekzekutiv i IBM në Kinë, ka thënë: «Në rast se, si shefi i një strukture, nuk toleron diversitetin e pikëpamjeve dhe promovon vetëm ide e menatalitete të ngjashme me të tuat, atëhere përfundon për t’i dhënë jetë një ekipi me persona që mendojnë dhe veprojnë saktësisht si ty. Kjo është shumë e rrezikshme, pasi me çdo gjasë këto persona nuk do të jenë në gjendje të të ndihmojnë kur të mungojnë, pasi ka mundësi që njëlloj do të jenë edhe ata».

Kongresi Kombëtar i XVI i Partisë Komuniste Kineze ka diskutuar çështje të tilla si «teoria e novatorizmit» dhe ajo e «zhvillimit me etapa të detyruara», për t’u zbatuar edhe tek forcat e armatosura. Ju çfarë mendoni?
Ushtria Popullore Çlirimtare është një trupë e lavdishme, që ka luftuar me sukses armiq të shumtë. Ama duhet të kuptojmë se, krahasuar me sektorë të tjerë, reforma e forcave të armatosura ecën me një ritëm të pamjaftueshëm dhe idetë që e frymëzojnë nuk janë mjaftueshëm të guximshme. Në se një vonesë e lehtë në këtë sektor mund të jetë ende e pranueshme, një vonesë konsistente paraqet probleme serioze. Modernizimi i sistemit tonë të mbrojtjes kombëtare është një shtyllë e modernizimit tërësor kinez. Siç vërente Giulio Douhet një shekull më parë: «Fitorja u buzëqesh gjithmonë atyre që kanë parashikuar dhe u kanë paraprirë ndryshimeve në mënyrën e bërjes së luftës». Në fillimin e një shekulli, atij të XXI, që paralajmërohet aspak paqësor, Kina mund të aspirojë për fatin e mirë lidhur me të cilin flet Douhet?
(Kjo intervistë është bërë në vitin 2005 dhe është botuar në revistën Limes)

Përgatiti
ARMIN TIRANA