Hitzfeld: Low duhet të dalë në pension dhe të bëhet analist i futbollit në TV

Joachim Low duhet të heqë dorë nga puna e trajnerit dhe të bëhet analist i futbollit në televizion, pasi u largua nga posti i trajnerit të Gjermanisë, sipas Ottmar Hitzfeld.

Low e udhëhoqi për herë të fundit ekipin kombëtar gjerman javën e kaluar, kur ekipi i tij pësoi disfatë 2:0 kundër Anglisë në 1/8 e finales në Kampionatin Evropian 2020.

Ish-trajneri i Stuttgartit dhe Fenerbahces i kaloi 15 vjet në krye të ekipit kombëtar të Gjermanisë dhe përflitet tashmë se ka klube të interesuara për të.

Por ish-trajneri i Bayern Munich dhe Zvicrës, Hitzfeld beson se 61-vjeçari do të haste në vështirësi nëse do t’i kthehej punës si trajner i ndonjë klub, prandaj e ka këshilluar të punësohet si analist futbolli.

“Nuk e di nëse për të do të ishte mirë të përjetonte përsëri stres me rreth 60 ndeshje në vit, ka shumë stres”, tha Hitzfeld për Sportbuzzer.

“Spanja, Italia, Anglia, Franca, nuk i përshtaten. Analist në TV është puna që unë e këshilloj atë ta bëjë”, shtoi ai.