Dëshmia e “Dajës”: Kishim garanci nga policia shqiptare për ambalazhimin dhe trafikimin e drogës

Zbardhen detaje të reja nga dosja hetimore që çoi në finalizimin e operacionit ndërkombëtar “Shpirti” me 38 urdhër-arreste të prera. Sipas deklarimeve të bashkëpunëtorëve të drejtësisë Mariglen Shusha dhe Donial Drolli, rezulton se kreu i grupit kriminal që merrej me trafikun e drogës nga Shqipëria në Itali, Ilirjan Duçellari (Zaimi), njihej edhe me pseudonimin “Daja”.

Sipas dy të penduarve ai njihej si personi që vendoste strategjitë operative të trafikimit dhe financonte kostot në Shqipëri dhe Itali duke marrë përsipër personalisht rreziqet dhe kostot e humbjes.

“Mariglen Shusha dhe Donial Drolli, me bashkëpunimin e tyre kanë bërë të mundur të identifikohet i sipërpërmenduri me emrin “Daja” dhe të gjithë pjesëtarët e grupit kriminal shqiptar, përgjegjës për trafikimin e lëndës narkotike në dy plantacionet e të sekuestrimit të saj në Bari, duke dhënë rrethana për faktin penal dhe bashkëpunëtorët e përfshirë në këtë aktivitet kriminal”.

“Shusha dhe Drolli kanë konfirmuar rrethana fakti se pjesën më të madhe të lëndës narkotike të sekuestruar nga D.I.A. në Bari më 17 dhjetor 2016, e zotëronte drejtuesi i grupit kriminal shqiptar Ilirjan Duçellari Zaimi, i njohur në Shqipëri si Lani e “Sybardhi” e i thirrur “Daja” nga pjesëmarrësit e grupit kriminal barez, të cilën e përdorte për të arritur objektivin e përbashkët ë shpërndarjes së lëndës narkotike në Itali, si formë respekti për funksionin komandues që luante a për pozicionin që kishte në furnizimin me lëndë narkotike; ishte “sponda” shqiptare për grupet kriminale bareze, në gjendje të furnizonin e të garantonin lëndën narkotike në qytetin e Barit në Puglia e në krahinat e tjera në mënyrë konstante e të vazhdueshme”.

“E kanë përshkruar si ai që vendoste strategjitë operative të trafikimit e financonte kostot në Shqipëri e në Itali duke marrë përsipër personalisht rreziqet, humbjet e mundshme, u jepte urdhra pjesëtarëve të grupit kriminal shqiptar për kryerjen e aktiviteteve të lidhura me të, nëpërmjet Mariglen Shushas vendoste e drejtonte aktivitetet e shkarkimit, ruajtjes dhe shpërndarjes së lëndës narkotike në Itali”, thuhet në dosje.

Në 8 mars të vitit 2017 ata kanë transportuar 1.200 kg lëndë narkotike kanabis me një gomone oqeanike. Në momentin e mbërritjes në Itali janë arrestuar nga policia. Drejtuesi i grupit ku ata bënin pjesë ka marrë përsipër shpenzimet për mbrojtjen duke paguar 4000 euro avokatin Italian.

Elton Hamza i ka thënë hetuesve se, kishin garanci nga policia lokale për transportimin dhe ambalazhimin e lëndës narkotike dhe trafkimin nga brigjet shqiptare në Itali.

“Bashkëpunëtori i drejtësisë Elton Hamza ka deklaruar faktin e sigurisë dhe garancisë nga policia lokale për kultivimin e bimëve narkotike, transportimin e lëndës narkotike, kultivimin e lëndës narkotike në rrugë tokësore nga vendi ku ishte ambalazhuar deri tek vendi ku ngarkohej në mjetin lundrues si dhe gjatë realizimit të trafikimit të lëndës narkotike nga brigjet shqiptare në Itali”, thuhet në dosje.