Basha, mesazh të ndjerë për ndarjen nga jeta para kohe të ish-drejtuesit të PD

Kreu i PD, Lulzim Basha ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta para kohe të ish-drejtuesit të PD-së, Alfons Muça.

Basha shkruan në mesazhin e tij se, sot u ndamë për herë të fundit me mikun tim të shtrenjtë, Alfons Muça

Mesazhi i kryetarit Basha

Sot u ndamë për herë të fundit me mikun tim të shtrenjtë, Alfons Muça.

Bashkë na bëri beteja për ndryshim 16 vjet më parë. Vitet që pasuan ishin plot me sfida dhe gëzime, por në çdo rast Fonci ishte i njëjti, kolos i papërkulshëm nga askush dhe asgjë përveç zemërdhembshurisë për të vobektët dhe këdo që përjetonte padrejtësi.

Me vlerat e mbruajtura nga familja e tij fisnike, me forcën dhe durimin e tij, me dashurinë për njerëzit dhe shpirtin e sakrificës, ai spikaste në çdo situatë si njeriu i duhur, në çastin e duhur.

Epike janë betejat e tij me dhe për demokratët dhe qytetarët e Laprakës e mbarë Tiranës.

Vetëm një mendje dhe zemër si e tij mund ta përballonte kaq gjatë dhe plot dinjitet e paqe këtë betejë të fundit që na e rrëmbeu në lule të moshës vëllain tonë Fonci.

Me shpirt dhe mendje jam sot familjarisht pranë prindërve të tij znj. Sofije dhe z. Aqif, pranë Marinelës dhe vajzave Biorit dhe Rashelës, Dorit dhe gjithë familjarëve të tjerë që humbën njeriun e tyre të dashur.

Ndërsa vetë do ta kujtoj përherë mikun tim të shtrenjtë, buzagaz e plot dritë në sy, me lutjet që të prehet në Paqen e Përjetshme!