Detaje të reja nga operacioni ndërkombëtar, i penduari: Trafiku i drogës drejt Italisë bëhej me leje nga policia

Ilirian Zaimi është një nga drejtuesit e grupit kriminal që trafikoi tonelata me drogë nga Shqipëria drejt Italisë dhe që etiketohet nga skafistët e penduar si Daja apo Lani. Arrestimi i tij u bë gjatë operacionit të koduar ‘Shpirti’.

Bashkëpunëtorët e drejtësisë, Mariglen Shusha dhe Donial Drolli rrëfejnë se si grupi i Dajës ndërveproi me mafian bavareze dhe se si shefi kultivoi platancione të tëra në zonën e Skraparit dhe nën bekimin e policisë lokale.

Kjo ngarkesë që më pas u transportua nga të penduarit u kap dhe nga DIA italiane në dhjetor 2016. Pikërisht për këto platancione droge, i penduari tregon se Daja kultivoi drogë me lazaratas kryesisht me një person të identifikuar si Liloshi i Lazaratit, të cilit daja i jepte përqindje për fitimin e mbledhjes.

Në një rast, dëshmitari Shusha shton se Ilirian Zaimi duke u kthyer nga platancioni i Çepanit, i shoqëruar me punëtorët e Liloshit të Lazaratit që rezulton se është Ilir Gaba kishin shkuar në komisariatin e policisë për të zgjidhur një keqkuptim me shefin e komisariatit.

Keqkuptimi sipas dëshmitarit nuk ishte gjë tjetër përveçse pagesa që Daja kishte kryer në polici për të mos u bezdisur.

Këtë dëshmi e konfirmon edhe i penduari Drolli që shton se gjatë qëndrimit në tokat me hashash nuk ishin kontrolluar asnjëherë nga policia.

Ndërkohë dëshmitarët e drejtësisë rëndojnë edhe pozitën e dy ish-truprojave të Saimir Tahirit sipas të cilëve ata trafikuan mbi një ton droge drejt Italisë që ju përkiste shoqëruesve gjatë kohës që ata mbanin detyrën e rëndësishme.

Dëshmitarët tregojnë se truprojat e kishin kultivuar drogën në Memaliaj në një platancion ku punëtorët paguheshin nga 15 deri në 20 euro.