Zvicra e pafat, Spanja në gjysmëfinale

Spanja është gjysmëfinalisti i parë në Kampionatin Evropian. 120 minuta lojë u mbyllën me rezultatin e barabartë, 1-1 dhe gjithçka u vendos pas ekzekutimit të penalltive.

Nga 11 metershet më të mirët i treguan spanjollët, duke triumfuar 3-1.

Ishte një ndeshje e zjarrtë për 120 minuta.

Pjesën e parë dominoi më shumë Spanja dhe kështu e gjeti golin e epërsisë në minutën e tetë, që u shënua si autogol pas devijimit të Zakarias. 1-0 për Spanjën u mbyll pjesa e parë.

Në pjesën e dytë Zvicra u duk krejt tjetër skuadër dhe pas një loje të bukur dhe disa tentimeve, e gjetën golin e barazimit, shënoi për 1-1 Xherdan Shaqiri për 1-1 në minutën e 68’.

Pak minuta më vonë, në atë të 78’ Zvicra mbeti me një lojtar më pak në fushë, Remo Freuler ndërhyri ashpër në Gerrard Moreno, duke u përjashtuar direkt me të kuq.

Sikur nuk i mjaftoi kjo Zvicrës që pak më vonë, mbeti edhe pa Xherdan Shaqirin, i cili u zëvendësua shkaku i disa shqetësimeve në gjurin e djathtë.

Ashtu si koha e rregullt, edhe 30 minuta vazhdime u mbyllen me rezultatin e barabartë 1-1.

Me një lojtar më shumë në vazhdime, Spanja e kërkoi vazhdimisht golin duke sulmuar non stop portën e Sommer, por portieri i Zvicrës bëri pritje fantastike duke pritur goditje të njëpasnjëshme.

Kështu, gjysmëfinalisti i parë u mësua pas ekzekutimit të penalltive, ku Spanja gaboi dy penallti, por shënoi tre herë, derisa Zvicranët nga katër tentime, realizuan vetëm njëherë.

Në gjysmëfinale, Spanja do të presë fituesin e duelit që luhet nga ora 21:00, mes Italisë dhe Belgjikës.