Juventusi e konfirmon: Cristiano Ronaldo nuk do të largohet

Presidenti Andrea Agnelli dhe drejtuesit më të lartë të Juventusit, dolën sot në një konferencë për shtyp, ku folën për planet e klubit bardhezi dhe prezantuan administratorin e ri, që do të jetë Maurizio Arrivabene.

Vëmendja maksimale natyrisht që lidhet me merkaton, e cila është hapur zyrtarisht, ndërsa Federico Cherubini zbuloi se e ardhmja e Cristiano Ronaldos pritet të jetë ende në Torino, pasi ylli portugez nuk ka folur asnjëherë për largim.

“Mund të them se Ronaldo është një pikë e rëndësishme e projektit tonë dhe ka ende edhe një vit kontratë me Juventusin. Deri tani ai nuk na ka shprehur dëshirën për t’u larguar, ndaj nuk ka pse të jemi të shqetësuar. Nuk mund të parashikoj çfarë do të ndodhë në ditët në vijim, por për momentin mund të them se Ronaldo qëndron te Juventus”, u shpreh Cherubini.

Sezonin e kaluar ra dominimi 9-vjeçar i Juventusit në kampionat, megjithatë njeriu i merkatos te bardhezinjtë është i bindur që organika e klubit është shumë e fortë dhe thekson se përforcimet do të vijnë vetëm duke shfrytëzuar ndonjë rast interesant që mund të sjellë merkatoja.

“Unë mendoj se kemi organikë mjaft të fortë dhe për fat të mirë të njëjtin mendim ka edhe trajneri Allegri. Nuk kemi ndërmend të bëjmë çmenduri në merkato, pasi situate që po kalojmë nuk na e lejon, por natyrisht do të shfrytëzojmë çdo mundësi për t’u përforcuar”, deklaroi Cherubini.

Një tjetër çështje që shqetëson drejtuesit e klubit bardhezi është edhe rinovimi I kontratës me Paulo Dybalën, një futbollist i cilësuar mjaft i rëndësishëm nga trajneri Allegri, ndërsa për këtë situatë foli çeku Pavel Nedved.

“Paulo aktualisht është me pushime dhe nuk e kemi shqetësuar për asgjë. Kemi nisur bisedimet për rinovimin e tij dhe do t’i vijojmë menjëherë sapo të rikthehet për fazën përgatitore. Nuk jemi të shqetësuar, pasi ai është shumë i rëndësishëm për ne dhe për më tepër, nuk ka shfaqur asnjëherë dëshirën për t’u larguar, ndaj do ta gjejmë gjuhën e përbashkët për të rinovuar”, tha Nedved.

1