Varianti Delta i afrohet Shqipërisë, konfirmohen 2 raste pozitive në Kosovë

Ministria e Shëndetësisë në Kosovë konfirmoi të martën dy raste të të prekurve me variantin delta të koronavirusit.

Rastet u konfirmuan pas analizës së 22 mostrave të dërguara në Institutin e Virologjisë të Klinikës Unversitare Charite në Berlin.

“Të dyja rastet kanë shfaqur simptoma, mirëpo tashmë janë shëruar dhe gjenden në shtëpi. Izolimi i tyre ka përfunduar”, thuhet në njoftimin e ministrisë së Shëndetësisë.

I identifikuar fillimisht në Indi, në dhjetor të vitit 2020, varianti delta është klasifikuar si shqetësues nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe veçohet si i tillë, meqë cilësohet simë ngjitës, më vdekjeprurës ose më rezistent ndaj vaksinave.

Zyrtarë të OBSH-së, thonë se vaksinat ekzistuese kundër koronavirusit, “janë efektive”, kundër variantit delta.

Konfirmimi ndodhi në një periudhë rënieje të numrit të përgjithshëm të të prekurve nga koronavirusi.

Të martën Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë raportoi gjashtë raste të infektimit pas 1 mijë e 933 testeve.

Që nga 13 marsi i vitit 2020, kur janë regjistruar rastet e para të të infekturëve, janë konfirmuar 107 mijë e 749 të prekur nga të cilët 2 mijë e 258 veta kanë humbur jetën.

Deri të martën janë dhënë 170 mijë e 98 doza të vaksinës.

Ministria e Shëndetësisë tha se të martën ka arritur një tjetër kontingjent me 106 mijë e 470 vaksina kundër koronavirusit, të prodhuara nga Pfizer/BioNTech. Një ditë më parë arritën 81 mijë e 900 vaksina të tilla.

Autoritetet thanë se ditët në vijim, pritet që Kosova të marr edhe doza tjera të vaksinës sipas marrëveshjes me kompaninë Pfizer/BioNTech

Kosova deri tash ka zhvilluar fushatën e vaksinimit përmes donacioneve të siguruara nga programi COVAX, i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, që shpërndan vaksina për vendet e varfra, apo nga Bashkimi Evropian.

Qeveria e Kosovës është zotuar që deri në fund të këtij viti, të vaksinojë 60 për qind të popullsisë.