Rama nis hakmarrjen ndaj policëve që paditën Pjerin Ndreun

Kryeministri Edi Rama dje në konferencën për mediat e ka quajtur “gabim të madh” sjelljen dhe veprimet e kryebashkiakut të Lezhës, Pjerin Ndreu ndaj një patrulle policie që kërkonte zbatimin e rregullave në një hotel ku gjendej ai.

Madje pasi është pyetur dy herë për skandalin ku Ndreu iu thoshte policëve “nuk e rruaj për ju dhe ligji jam vetë”, Rama deklaroi se këtë çështje duhet ta zgjidhë gjykata pas padisë së tre policëve dhe se se gjithsecili mban përgjegjësi para ligjit nëse ofendon punonjësin e policisë.

Por duket se këto deklarata të Ramës kanë qenë sa për të kaluar skandalin e radhës të zyrtarëve të tij, pasi policët që guxuan që të padisin kryebashkiakun Ndreu, nga paditës janë kthyer në të paditur.

Kështu mësohet se policia e Lezhës ka nisur hetim disiplinor ndaj efektivëve, të cilët paditën kryebashkiakun Ndreu, pasi pretendohet se e penguan që të ushtronin detyrën në një ambient biznesi në Shëngjin vendoste muzikë me zë të lartë jashtë orarit të lejuar.

Përmes një shkrese, efektivët e policisë që kanë qenë në atë patrullë janë njoftuar se janë vendosur nën akuzën e dështimit të ushtrimit të detyrës së tyre.

“Më datë 24.06.2021, rreth orës 23: 13 minuta patrulla e Policisë e turnit të tretë e Policisë Shëngjin, e përbërë nga punonjësit e Policisë, në Shëngjin pranë hotelit, ka konstatuar se gjenerohet muzikë me volum të lartë, gjë kjo që bie ndesh me aktin normativ nr/ 23 datë 26.05.2021. Për këtë konstatim ky shërbim ka njoftuar me telefon eprorin e drejtpërdrejtë, duke e sqaruar atë, se në këtë lokal është një aktivitet i Bashkisë Lezhë ku është i pranishëm dhe kryetari i Bashkisë Lezhë dhe disa ambasadorë.

Eprori i drejtpërdrejtë i tyre iu ka komunikuar nëpërmjet telefonit se duke qenë përpara faktit ku në atë ambient zhvillon një aktivitet kryetari i Bashkisë Lezhë, hartoni procesverbalin mbi kundërvajtjen administrative të evidentuar në moment sipas ligjit dhe lëvizni prej aty. Jo vetëm që keni kundërshtuar urdhrin e dhënë në telefon nga eprori i drejtpërdrejtë, por keni vazhduar të qëndroni në ambientet e lokalit duke insistuar që të ndërpritej aktiviteti që po zhvillohej nga kryetari i Bashkisë Lezhë duke komunikuar jashtë etike qytetare dhe policore. Në rastin konkret ju jeni njëri nga punonjësit e Policisë që keni qenë prezent dhe keni dështuar në përmbushjen e detyrave dhe përgjegjësive të caktuara”, thuhet në shkresën e Policisë së Lezhës për efektivët.

Por rrugës institucionale që ndoqi patrulla e Policisë në Lezhë, duke paditur penalisht kryebashkiakun e Lezhës, Pjerin Ndreu, ky i fundit iu përgjigj me akuza dhe ofendime në rrjetet sociale.