Berisha i shkruan “Vatrës”: Nuk do t’ju zhgënjej, asgjë nuk e zbeh besimin tim tek Amerika

Të dashur dhe të nderuar antarë të Bordit Ekzekutiv të Vatrës!/
Të dashur anëtarë të Vatrës!

Lexova me kënaqësi deklaratën e Bordit Ekzekutiv të Federatës Pan – Shqiptare të Amerikës, Vatra, në lidhje me shpalljen time, persona non grata, nga Sekretari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Për këtë ju falenderoj të gjithëve emër për emër.

Një masë e tillë e aplikuar ndaj familjes time dhe ndaj meje përsonalisht, më ka lënduar shumë. Kjo përveç tjerash edhe se ndjehesha dhe ndjehem luftëtari më i paepur kundër komunizmit në Shqipëri, i asaj ideologjie dhe sistemi kriminal të cilin Ronald Regan e ka quajtur “Perandoria e të Keqes”. Po ashtu ndjehem edhe miku më i madh i Juaji dhe i atdheut tuaj të dytë – ShBA – së.
Jam ndjerë dhe ndihem edhe sot si promotori i hapjes së Shqipërisë ndaj perëndimit dhe veçanërisht ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si mikja më e madhe e kombit shqiptar.

Që në ditët e para të angazhimit tim politik – pro – amerikan dhe pro – perëndimor, kam ndjerë afërsinë e Vatrës, si organizata shqiptaro – amerikane më e njohur dhe më aktive në mbrojtjen e të drejtave të popullit shqiptar në Ballkan. Ju, si patriotë të vërtetë, keni influencuar me mjetet tuaja legale, mbi politikën e jashtme të shtetit amerikan ndaj popullit tonë. Unë e ndjej se principet dhe qëndrimet e Vatrës janë edhe sot e kësaj dite të njëjta që në kohën e themelimit të saj.

Shpalljen time persona ‘non grata’ e konsideroj si një veprim aksidental, të ndërmarrë tërësisht pa bazë, pa fakte dhe pa prova. Nuk ka ekzistuar kurrë dhe nuk ekziston asnjë akuzë e adresuar ndaj meje, bashkeshortes dhe fëmijëve të mi prej ndonjë entiteti ligjor as në Shqipëri dhe as në botë. Gjithçka në atë vendim është bazuar në trillime të sajuara prej atyre që në vitet 1990 flaknin flamurin amerikan si leckë ndërsa sot hiqen si dashnorët më të mëdhenj të vendit tuaj.

Ata që kanë trilluar fallcitete të tilla, çdo gjë mund të jenë por jo miq të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ata janë armiq të demokracisë dhe lirisë për të cilën ne luftuam së bashku me ju vatranë të dashur, që në ditët e fundit të dhjetorit 1990 e deri më sot. Kapja e shtetit sot shkon në drejtim krejt të kundërt me atë që Ju ëndërronit dhe ne punuam për Shqipërinë.

Fatkeqësisht, tërë ata që në atë kohë ishin kundërshtarët më të egër të Amerikës, e kanë ndërruar lëkurën e ujkut dhe në një mënyrë iluzicioniste dhe të paqartë për Amerikën e vërtetë, janë maskuar dhe shiten si miq të Amerikës. Ndërkohë, njerëzit tuaj, të persektuar për gjysëm shekulli vetëm se e donin Amerikën, dhe ju kishin juve atje, sot janë thjeshtë të shokuar, të tëhuajtur në vendin e tyre, të pashpresë dhe të paqartë me qëndrimet toleruese që mbahen nga ata që më kanë shpallur mua ‘non grata’ ndaj keqbërjeve të falangave post – komuniste, në Shqipërinë e sotme.

Dua t’ju siguroj, të dashur vatranë, patritotë, shqiptaro – amerikanë, se nuk do t’ju zhgënjej kurrë! Ju siguroj se shpallja ime persona ‘non grata’, nuk e zbeh besimin tim të patundur te miqësia që kam personalisht, familjarisht dhe politikisht me Amerikën dhe me Juve. Ndërkohë ju siguroj që nuk do t’ju zhgënjej në besimin që ju keni se asnjë nga hamendjet që janë dhënë në atë arësyetim të thatë dhe atë vendim absurd, nuk qëndrojnë.
Unë i sfidoj trilluesit e një vendimi të tillë me mbrojtjen ligjore, me nderin dhe dinjitetin tim dhe të familjes time, me krenarinë e një patrioti shqiptar, dhe të një dashamirësi të patundur ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Duke ju falenderuar nga zemra, mbetem,
I Juaji,
Dr. Sali Berisha