Ballina Sport Danimarka fundos Uellsin dhe kualifikohet në çerekfinale

Danimarka fundos Uellsin dhe kualifikohet në çerekfinale

Danimarka ka arritur ta sigurojë kualifikimin në çerekfinale të Kampionatit Evropian pasi mposhti me rezultat të thellë 0:4 Uellsin.

Dolberg realizoi golin e parë në minutën e 27-të të ndeshjes. Ai pranoi një top nga Damsgaard dhe bukur u lirua nga lojtarët dhe me një goditje precize nga distanca mposhti portierin uellsian.

Me të filluar pjesa e dytë, Dolberg shënoi sërish. Ishte minuta e 48-të kur pas një gabimi në mbrojtjen uellsiane, Dolberg u gjend më së miri për ta shënuar golin e qetësisë për Danimarkën.

Uellsi nuk arriti të bënte më shumë, ndërsa Danimarka pati edhe disa mundësi tjera të mira shënimi, ndërsa golin e tretë e arriti tek në minutën e 89-të.

Në minutën e 90+1 Harry Wilson u ndëshkua me karton të kuq pas një ndërhyrje të ashpër dhe të panevojshme, shkruan Gazeta Express.

Krejt në fund të ndeshjes Martin Braithwaite e shënoi edhe golin e katërt duke e vulosur fitoren e madhe të danezëve.

Kështu, Danimarka arrin të sigurojë kualifikimin në çerekfinale të Kampionatit Evropian, ndërsa për Uellsin mbaron këtu aventura e tyre.

Në çerekfinale, Danimarka do të takohet me fituesin e takimit mes Holandës dhe Çekisë.

Exit mobile version