Përgjakja e rrugëve nga aksidentet, protestë para Ministrisë së Brendshme

Aksidenti tragjik që ndodhi sot në aksin Fier-Vlorë, ku u shua një familje me 4 anëtarë të saj, të cilët kishin ardhur nga Greqia për të kaluar pushimet me të afërmit, padyshim që preku zemrat e gjithë shqiptarëve.

Nga aksidenti humbën jetën Eduart Gushi, 44 vjeç, gruaja e tij, Silvana Gushi dhe dy vajzat e tyre të mitura, Anastasia dhe Eva dhe u plagosën 3 të rinj që udhëtonin në një mjet tip Audi, i cili thuhet se ka goditur mjetin e viktimave nga pas, ndërsa ishte me shpejtësi të lartë.

Në shenjë proteste kundër këtyre ngjarjeve, ku thuajse çdo ditë në rrugët e vendit humbasin jetë njerëzish, qytetarët janë sensibilizuar dhe janë hedhur në një protestë para Ministrisë së Brendshme.

Siç shihen disa të rinj që në shenjë protestë kanë bllokuar rrugën para Ministrisë së Brendshme, duke u shtrirë përtokë bashkë me biçikletat e tyre.

Ndërkohë, mbrëmjen e sotme një çift bashkë me dy fëmijët e tyre në shenjë homazhi për viktimat e aksidentit ndezën qirinj para ministrisë së Brendshme. Sipas tyre kjo pasi është ky institucion që duhet të marrë masa për parandalimin e aksidenteve.

“Një njeri që udhëton me 150-200 km/h në orë në një rrugë, sado që të jetë limiti i saj, mendoj se është vrasës potencial. Se ai nuk u aksidentua, por vrau, mori në qafë dikë tjetër. Ka diçka që nuk funksionon këtu. Ne shohim kudo policë, por këta njerëz e lëvizin me mbi 150 km në orë janë aktiv”, tha qytetari.