Borati dhe “Çeku” 1 milion

Nga Erion DASHO

Pas disa ditësh, Borati do të njoftojë “suksesin” e 1 milion vaksinimeve si prolog të mandatës së tretë që u poftisi shqiptarëve.

Kjo situatë më kujton filmin humoristik me Gregori Pek ku thjesht posedimi i një çeku me vlerë 1 milion stërlina e ktheu një person nga marinar të varfër në një antar të nderuar të shoqërisë së lartë angleze!

Të njëjtën gjë po bën edhe Borati me shqiptarët! Ai pret dhe shpreson që 1 milion vaksinat do ta transformojnë përgjigjen shqiptare ndaj COVID-it, nga një përgjigje skandaloze dhe me pasoja tragjike, në një histori suksesi!

Vetëm se kjo përpjekje duhet të kapërcejë një sërë pengesash.

Së pari, 1 milion vaksina nuk janë ndonjë sukses në Europë. Ky numër e vendos Shqipërinë në vendin e 85-të në botë dhe në 5-6 vendet e fundit në Europë.

Së dyti, ky numër është arritur në mbi 90% me vaksinat kineze. “Efektin” ose më saktë mungesën e efektit të vaksinës CoronaVac, e ka treguar tashmë Kili, Indonezia, Bahrejni, etj. Kudo ku ajo është aplikuar nuk ka parandaluar as infektimet, as sëmundjet, as vdekjet.

Së fundi, por më e rëndësishmja, Shqipëria po i aplikon këto 1 milion vaksina në një popullatë tashmë të imunizuar, ose si kofini pas të vjeli. Janë 2 milion shqiptarë të imunizuar pasi kanë kaluar sëmundjen, ndërkohë që të vaksinuar me një dozë janë rreth 500 mijë, kurse me dy doza rreth 300 mijë.

Me programin e vet të vaksinimit, Borati po arrin “suksese” imagjinare, duke shpërdoruar paratë e shqiptarëve dhe kohën e personelit shëndetësor për një fushatë totalisht të panevojshme!

Sikundër marinari amerikan që hutonte aristokratët anglezë me çekun një milionësh në kuletë, edhe Borati po e nis mandatën e tretë sikundër mbylli dy të parat, duke mashtruar dhe manipuluar qytetarët shqiptarë!

Nuk ka faj! Shqiptarët e meritojnë një lider të tillë…