4 të vdekur/ Kush ishte familja nga Patosi që u shua në aksident, publikohen emrat

Një familje është shuar nga një aksident tragjik që ka ndodhur mëngjesin e sotëm në autostradën Fier-Vlorë. 4 persona kanë humbur jetën, mes tyre dhe dy fëmijë të mitur, ndërkohë që tre të tjerë janë dërguar në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Burime bëjnë me dije se familja me katër anëtarë që ndërroi jetë në aksidentin tragjik në Levan është familja Gushi nga Patosi i Fierit. Ndërkohë në ‘Audi-n’ që i përplasi nga mbrapa udhëtonin 3 të rinj, njëri prej tyre në gjendje të rëndë dhe 2 të tjerët jashtë rrezikut.

Si pasojë e aksidentit kanë ndërruar jetë 4 personat që udhëtonin me mjetin “Toyota”, shtetasit Eduart Gushi, Silvana Gushi, Anastasia Gushi dhe Eva Gushi.

Një makinë tip ‘Audi’ e cila ka qenë duke udhëtuar me shpejtësi në drejtim të Vlorës, dyshohet se ka goditur nga pas një makinë tip ‘Toyota’, dhe për pasojë të dyja kanë dalë nga rruga dhe kanë përfunduar në kanal.

Njoftimi zyrtar i policisë

Në vijim të informacionit paraprak të dhënë pak më parë, ju bëjmë me dije se: Si pasojë e aksidentit kanë ndërruar jetë 4 personat që udhëtonin me mjetin “Toyota”, shtetasit E. G., 44 vjeç, S. G., 33 vjeçe, A. G., 14 vjeçe dhe E. G., 9 vjeçe.

Ndërkohë, në spitalin e Vlorës po marrin mjekim 3 shtetasit që udhëtonin me mjetin “Audi”, I. M., F. L dhe G. S., të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Vijojnë veprimet nga grupi hetimor për sqarimin e rrethanave të aksidentit.