Ballina Top 3 Vijon lufta në PS! Këshilli Bashkiak bojkoton mbledhjen mujore, reagon Dritan Leli:...

Vijon lufta në PS! Këshilli Bashkiak bojkoton mbledhjen mujore, reagon Dritan Leli: Mjaft me gjyqet teatrale!

Mbledhja e Këshillit Bashkiak të Vlorës e planifikuar për tu zhvilluar online këtë të Enjte, është anuluar. Kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli publikon në rrjetet sociale njoftimin që ka marrë për këtë zhvillim, ndërsa shprehet se po cënohen të drejtat e qytetarëve.

“Pas radhës së gjatë të kërkesave për mbledhje jashtë radhe, në emër të së mirës së qytetit, sot, këshilltarët bashkiak, kanë anulluar mbledhjen e radhës, atë të çdo muaji, ku vërtet mblidhemi për interesat e qytetit e ku përgjatë më shumë se një viti, kemi diskutuar online, siç ishte parashikuar të ndodhte edhe sot”, shkruan Leli.

“Më vjen keq që me këngën e kusureve të mia, Këshilli Bashkiak nuk po i përkrah sot fëmijët me probleme sociale të qytetit, që me miratimin e vendimit do të frekuentonin kopshtet dhe çerdhet me të ardhurat e bashkisë, nuk po miraton as ndihmën ekonomike, as listën e familjeve apo individëve që përfitojnë kredi nga të ardhurat e bashkisë dhe as po mbështet projektin e qeverisë shqiptare për rimëkëmbjen e zonës përreth sahatit, që ka nevojë për angazhimin e të gjithëve, prandaj edhe do të përfshihej sot me urgjencë, për të mos ecur me ritmin e mbajtjes së radhëve!

Të nderuar këshilltar, e pranoj haraçin e veprimeve tuaja deri në masën që më prek mua, por jo qytetin! Vlora sapo ka nisur sezonin turistik, pas muajsh të gjatë e të vështirë lufte me shëndetin! Turistët po gëzojnë lirinë dhe bukurinë e një qyteti që nuk mund dhe nuk duhet të shëmtohet prej gjyqeve teatrale! Vlora duhet promovuar, jo sakatuar! Të gjithë mund të bëjmë më shumë, mund të bëjmë më mirë, pa shterpëzuar një energji të tërë që mund ta shfrytëzonim në dobi të Vlorës! Po e marrë unë barrën e ndjesës, ndaj të gjithë banorëve të Vlorës që po penalizohen a qoftë edhe vetëm bezdisen, nga radhët tona të ngatërruara që po iu rëndojnë, por e di që deti dhe dielli i Vlorës do ta bëjnë këtë verë të ndritshme, siç kaq gjatë e dëshiruam”, shton ai.

Përplasjet mes kryebashkiakut të Vlorës dhe këshilltarëve socialistë nisën pas mosmarrëveshjeve që Leli pati me kryeministrin Edi Rama. Sipas raportimeve mediatike, shkak për këtë është bërë refuzimi nga Leli që të linte punën si kryebashkiak për të garuar në zgjedhjet e përgjithshme për t’u bërë deputet.

Këshilltarët socialistë kanë kërkuar disa herë mbledhje me pretendimin se Leli duhet të japë llogari për punët e pabëra në qytet. Mbledhje që janë cilësuar nga media si “gjyqe publike”, e që janë refuzuar nga Leli me pretekstin se grumbullimet nuk lejohet për shkak të situatës së pandemisë. Ai ka kërkuar që mbledhjet të zhvillohen online. Nga ana tjetër, këshiltarët nuk kanë pranuar.

Exit mobile version