Rama-Veliaj zhdukin 35 objekte “Monumente Kulture” në Tiranë, do të ndërtohen kulla

Ish-blloku i vilave të ndërtuara në vitet 1920 në rrugën ‘Kont Urani’ në Tiranë po shkon drejt zhdukjes, ku shumë prej këtyre objekteve janë shembur për t’i hapur rrugë ndërtimit të pallateve shumëkatëshe.

Ish-godina e Radio Tiranës vijon të rezistojë, ndërkohë ky objekt është lënë të degradojë nga institucionet

Babëzia e ndërtuesve nuk kursen vlerat historike dhe trashëgiminë kulturore në Tiranë, ku në 6 vitet e fundit 35 objekte që kanë pasur statusin e monumentit të kulturës tani nuk janë më.

Të fundit që u përballën me ruspat që hapin gropa të reja për ndërtime shumëkatëshe është blloku i vilave në rrugën ‘Kont Urani’ pranë ish-Radio Tiranës, të ndërtuara në vitet 1920.

Objektet me vlera historike dhe arkitektonike ishin lënë të degradonin, ndërkohë gjyqet për pronësinë ndikuan jo pak për të penguar restaurimin e tyre.

Shembja e ketyre vilave është bërë për t’i hapur rrugë pallateve të reja në një zonë jo pak të lakmuar të kryeqytetit, ndërsa e vetmja që vijon t’i mbijetojë rrënimit total është ish-godina e Radio Tiranës.

Kjo godinë e njohur ndryshe si ‘Vila 46’, monument kulture, kategoria dytë, sicc duket në këto pamje që sjell Syri Tv është drejt degradimit total, ndërsa institucionet kanë zgjedhur heshtjen, teksa edhe për këtë objekt nuk mungojnë konfliktet e pronësisë.

Vila Lezo, e njohur ndryshe si “Piccadilly Tirana”, është shembur totalisht, ndërsa Vila Heminguey, vijon të rezistojë.

Kryeqyteti shqiptar numëron 260 monumente kulture ku gjysma e tyre janë vila dhe banesa private, shumë prej të cilave janë drejt degradimit total.

Me shembjen e këtyre vilave varroset një pjesë e Tiranës së vjetër, që do ta kishte zili çdo kryeqytet i Ballkanit, por makineria e ndërtimit tashmë nuk di të ndalet, duke bërë që ndërtuesit të dalin edhe mbi ligjin.