Drejtonte trafikun e kokainës në Gjermani e Zvicër, lihet në burg punonjësi i Bashkisë

Gjykata e Tiranës ka lënë në burg, Ndriçim Harkën, punonjësin e Bashkisë Tiranë që u vu në pranga si drejtuesi i trafikut të kokainës në Gjermani dhe Zvicër. Harka u vu në pranga tre ditë më parë kur u shkatërrua një grup kriminal që drejtohej nga vetë ai.

Harka ishte edhe punonjës i zjarrfikëses së Bashkisë Tiranë, e që prej vitit 2015 drejtonte transportimin e kokainës me makina nga Gjermania në drejtim të Zvicrës. Në kërkim është shpallur dhe kunati i tij Etmond Merja, i cili akuzohet se ishte organizator i trafikut të kokainës së bashku me Hakën.

Si u bë arrestimi i Ndriçim Harkës alias ‘Çimit të Rizait’?

Në dokumentin e prokurorit Bledar Valikaj i cili firmosi urdhër ndalimin e zjarrfikësit, punonjës së bashkisë së Tiranës Ndriçim Harka pas një hetimi disa vjeçar.

Ky shtetas në bashkëpunim me persona të tjerë, duke vepruar në mënyrë të fshehtë ka ngritur një skemë të mirëfilltë dhe mirëfunksionuese në formën e degëve të një peme të trafikut të lëndëve narkotike, droga të forta të llojit kokainë dhe heroinë, duke përdorur dhe paguar persona të tjerë, si shtetas shqiptarë ashtu edhe të huaj, ndërkohë që vetë si persona organizatorë të këtij trafiku qëndronin në hije duke i shpëtuar kështu goditjeve nga organet ligjzbatuese’thuhet në dokumentin e urdhërndalimit të firmosur nga prokurori Bledar Valikaj dhe mban datën 21 qershor 2021

Fillesat e hetimit nisin në 2015. Më 7 janar 2015 kishte nisur hetim në kantonin Valisi Zvicër, ndaj Florian Moko për trafik kokaine.

Në fund të muajit prill përgjimet telefonike zbuluan se Moko do të siguronte një ngarkesë të madhe kokaine në mbështetje të një shtetasi shqiptar të quajtur ‘Tony’ i cili sapo kishte mbërritur në Zvicër.

Më 5 maj 2015 në makinën që drejtohej nga një shtetas gjerman u sekuestruan 3 kg kokainë, e paketuar në tre pako 1 kg, me pastërti 20% . Së bashku me shtetasin gjerman Michael Schmiedel, u arretua dhe ‘Tony’ Elton Meta, të cilët po dilnin së bashku nga një kafe e po shkonin të merrnin kokainën në makinë. Më pas u ndalua dhe Ilir Shella, personi i cili do të merrte drogën dhe do ta ruante në banesë për tia transportuar më pas Florian Mokos. Kur iu kontrollua banesa Florianit i gjetën 500 gr kokainë dhe një shumë prej 15 mijë frangash të fshehura në divan.