Zgjedhjet e 30 qershorit/ Qeveria kërkon pezullimin e çështjes, Gjykata Kushtetuese tërhiqet për vendim

Ditën e sotme në orën 10:00 ka nisur seanca në Gjykatën Kushtetuese, për shqyrtimin e kushtetutshmërisë së zgjedhjeve lokale të 2019. Në seancën që po zhvillohet janë pjesëmarrës përfaqësues të qeverisë, të bashkive dhe këshilltari i presidentit.

Jordan Daci, i cili përfaqëson shoqatën e autonomisë vendore ka kërkuar që çështja të mos merret në shqyrtim pasi është jashtë afateve dhe gjithashtu ka kërkuar që pushteti vendor të mos jetë pjesë e këtij procesi sepse është i pavarur.

Nga ana tjetër, këshiltari i presidentit, Bledar Dervishaj, ka thënë se shoqata e autonomisë vendore është përpjekur me kohë që të ndalte këtë proces.

Ndërsa përfaqësuesja e qeverisë, Edlira Kokona tha se nuk u është vënë në dispozicion statuti i bashkive dhe për këtë arsye kërkon pezullimin e çështjes.

Jordan Daci: Nuk duhet të marrë pjesë si subjekt i interesuar, pasi janë në konflikt interesi. I kërkojmë Gjykatës Kushtetuese që mos ta pranojë pasi është jashtë afateve.

Kryeministria nuk mund të jetë palë e interesuar, pasi pushteti lokal është i pavarur. Edhe avokatura e shtetit, nuk mund të jetë palë në këtë proces, pasi i shërben gjithë shtetit dhe nuk mund të përfshihet.

Gjykata Kushtetuese: Pozicionimet e palëve janë në diskrecionin e tyre.

Bledar Dervishaj: Vullneti i shoqatës për autonomi vendore është i besuar dhe kanë punuar për ta sfumuar këtë proces.

Përfaqësuesja ligjore e qeverisë, Edlira Kokona: Ne nuk na është vënë në dispozicion statuti i shoqatës së bashkive. Kërkojmë kopjen e prokurës për zonjën Ademi si përfaqësuese e shoqatës. Këshilli i Ministrave kërkon pezullimin e çështjes, derisa gjykata e Tiranës të shprehet për organet drejtuesve të shoqatës.

Gjykata Kushtetuese tërhiqet për vendim për të pranuar apo jo kërkesat e qeverisë.