U qëllua me 20 plumba, kush është biznesmeni që u plagos rëndë

Pronari i një lokali të njohur në Sarandë është qëlluar me breshëri automatiku në orët e para të mëngjesit të së dielës. Spiro Iljadhi, 35 vjeç, i njohur edhe me emrin Ermal Iljazi, ndërsa shkurt njihej me emrin “Ero”, ka mbetur i plagosur rëndë pas të shtënave me armë zjarri, ndërsa plumbat kapën edhe një kalimtar të rastit, i identifikuar si Mario Jani, 33 vjeç, shqiptaro-amerikan.

Edhe ky i fundit ka përfunduar në spital, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Policia tha se ngjarja ka ndodhur për shkak të një konflikti të çastit midis biznesmenit dhe tre autorëve të dyshuar.

Pas hetimeve paraprake në vendin  ku ndodhën të shtënat në afër- si të lokalit të 35-vjeçarit, policia arriti të identifikojë autorët e ngjarjes së rëndë, dy  prej të cilëve vëllezër. Ata janë shtetasit Andrea Çaushi, 35 vjeç, vëllai i tij, Visi Çaushi, 33 vjeç, ndërsa në kërkim është shpallur edhe 33-vjeçari Redjan Hadëri, të tre banues në Tepelenë.

Ngjarja

Ka qenë ora 03:50 e mëngjesit të së dielës, kur në lagjen Nr.1 të qytetit të Sarandës breshëri plumbash u shkrepën në drejtim të biznesmenit të lokalit të natës ndër më të njohurit në qytetin e Sarandës, i njohur si lokal “Orange”. Ende nuk dihet konkretisht se cili ka qenë shkaku kryesor që çoi në përshkallëzimin e konfliktit midis biznesmenit dhe tre personave deri në përdorimin e  armëve të zjarrit.

Pas të shtënave, forcat e rendit shkuan në vendin ku ndodhi sherri, duke gjetur në vendngjarje rreth 20 gëzhoja të armës automatike. Tre autorët e dyshuar kanë qëlluar me breshëri në drejtim të biznesmenit Spiro Iljadhi, ndërsa në vendin dhe kohën e gabuar ka qenë edhe Marin Jaho, për të cilin policia thotë se banon në Tiranë, ndërsa kishte shkuar në Sarandë për të kaluar disa ditë pushimi. “Këta shtetas, rreth orës 03:50, në lagjen Nr.1, Sarandë, në afërsi të një lokali, në bashkëpunim me njëri- tjetrin, dyshohet se kanë plagosur me armë zjarri shtetasin S. I., 35 vjeç, banues në  Sarandë dhe një kalimtar të rastit shtetasin M. J., 33 vjeç, banues në Tiranë, të cilët ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën”, sqaron Policia Lokale.

Nga breshëria e plumbave është dëmtuar edhe një automjet tip “Range Rover”. Shenjat e plumbave janë konstatuar edhe nëpër muret e ndërtesave rreth e rrotull. Ndërsa  mblodhën provat materiale në vendin e ngjarjes, tre autorët arritën të largohen në  drejtim të paditur. Policia i identifikoi dhe i shpalli më pas në kërkim. Ndërkohë, biznesmeni dhe kalimtari u dërguan me urgjencë në spital. Ndërsa i plagosuri Jaho ndodhet në Spitalin e Sarandës, 35-vjeçari u dërgua me helikopter drejt Spitalit të Traumës në Tiranë ku i është nënshtruar një operacioni. Ai ka marrë disa plumba në pjesën e barkut.

Hetimet

Biznesmeni i plagosur me armë zjarri në orët e para të  mëngjesit të djeshëm nuk njihet si person problematik në zonë, ndërsa nuk ka precedentë të mëparshëm penalë.  Policia e konsideron ngjarjen si shkak të një konfliktit të çastit, ndërsa nuk dihet  ende nëse vrasja në tentativë mund të ketë ndodhur për  arsye konkurrence, pasi Iljadhi kishte hapur edhe një filial tjetër të lokalit të tij në Ksamil. Krahas gëzhojave të gjetura në vendin e ngjarjes, Policia ka sekuestruar edhe kamerat e sigurisë në zonë në përpjekje për të mësuar më shumë rreth asaj që ndodhi fare pranë lokalit të njohur në  qytetin e Sarandës, ku organizohen edhe aktivitete të  “VIP-ve”. Lokali ndodhet në rrugën Turizëm-Kanali Cukës në qytetin bregdetar.  Pasi qëlluan me armë automatike në drejtim të 35-  vjeçarit, dy vëllezërit dhe shoku i tyre u larguan me  shpejtësi nga vendi i ngjarjes, duke arritur t’u shpëtojnë prangave të Policisë.  Forcat e rendit ngritën pika kontrolli në zonë.

Njëri nga tre të kërkuarit, me precedentë për plagosje

Zbardhet ngjarja e ndodhur mëngjesin e djeshëm, në lagjen Nr.1, Sarandë, ku mbetën të plagosur me armë zjarri shtetasit S. I., dhe M. J. Identifikohen dhe shpallen në kërkim tre autorët e dyshuar të ngjarjes. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë nën drejtimin e Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Sarandë, pas një pune intensive hetimore për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur mëngjesin e sotëm, kanë bërë identifikimin dhe shpalljen në kërkim të autorëve të dyshuar, shtetasit: A. C., 35 vjeç; V. C., 33 vjeç (vëllezër) dhe R. H., 33 vjeç, të tre banues në Tepelenë. Këta shtetas, rreth orës 03:50, në lagjen Nr.1, Sarandë, në afërsi të një lokali, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se kanë plagosur me armë zjarri shtetasin S. I., 35 vjeç, banues në Sarandë dhe një kalimtar të rastit shtetasin M. J., 33 vjeç, banues në Tiranë, të cilët ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa nuk dihet saktësisht se kush qëlloi në drejtim të biznesmenit 35-vjeçar, një nga autorët e dyshuar është edhe shtetasi Redjan Hadëri, 33 vjeç, i cili rezulton person me precedentë penalë. Ai është një emër i njohur për Policinë në zonën e Tepelenës. Më 19 janar të vitit 2017, Hadëri është arrestuar nga Policia pasi ndaj tij Gjykata e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Plagosje e lehtë me dashje” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit”./Panorama