Anatomia e një pasdarani

Bën rrugë një gjeneratë e tretë e Gardianëve të Revolucionit, shumë më cinike se ajo e zanafillës. Trashëgimia e gjeneralit Suleimani dhe e kandidatëve për zgjedhjet presidenciale: për ta sot ka vlerë vetëm suksesi, me çdo kusht.

Në verën e vitit 1981, teksa ashpërsohet lufta me Irakun dhe toka dridhet në provincën Kerman, teksa Ajatollah Khomeini likuidon Mujaheddin-e-Khalq dhe Qassem Suleimani bën gavetën duke luftuar në Khuzestan, revista satirike “Bohlul” boton një karikaturë që e përmbledh plotësisht zbehjen e gardës së vjetër në një Iran që jo vetëm nuk i ngjan, por që edhe e përbuz me mizori. Në plan të parë duket një djalë pa qime në faqe, është i ulur këmbë për mbi këmbë. Në dorën e djathtë mban një cigare dhe me të majtën hap pëllëmbën dhe e drejton nga një kallashnikov. Qesh. Ndoshta tallet ose jo dhe zhytet në këtë ambiguitet, sepse ndërkohë një njeri po i përulet për ta nderuar dhe nuk bëhet fjalë për një djalë tjetër, por për një mesoburrë, me pamje të spikatur, me frustrimin që i lexohet në fytyrë, një zotëri që mezi e ul shpinën dhe që, kur e bën, nuk mund t’i ndalë sytë e ngurosur të vrapojnë drejt pushkës. “Në sistemin e ri mëssuesi është në shërbim të studentit dhe drejtori është në shërbim të mësuesit”, lexon shkrimi në fushën e bardhë sipër të dy figurave, pasi në vitin 1981 Republika Islamike është në kulmin e revolucionit kulturor të saj (po, modeli është ai kinez), nga 1980 deri më 1983 universitetet do të qëndrojnë të mbyllur në pritje programesh të tjera, librash të tjerë, kriteresh përzgjedhjeje të tjerë për pedagogët dhe për studentët. Nëse pallatet e pushtetit dominohen nga njerëz me çallmë, nëpër rrugët e Teheranit, ashtu si në llogoret e Khuzestanit, ata që bëjnë kohën e mirë dhe kohën e keqe janë djem të çartur me gjoksin e zbuluar, naivë dhe të zellshëm, që të kujtojnë shumë atë të Bohlul.

“Nga kanë dalë këta iranianë të rinj?”, pyesin zotërinj të tmerruar si profesori dhe zotëria me flokët e lyera me këna, të shoqëruar me ulërimën “Ya rusari, ya tusari” (mbuloje kokën ose prite një goditje në kokë). Sepse këta djem kanë pak të përbashkët me ata të lëvizjes studentore që në vitet ’70 manifestonin kundër Shahut. Nuk i përkasin elitës kozmopolitane dhe aq më pak klasës së mesme të urbanizuat, nuk janë mullahë apo intelektualë të çartur, të goditur në rrugën e Frantz Fanon, idhtarë të të drejtave apo fshikullues të mëkateve të borgjezisë comprador. Në sintezë, për ta thënë si Salvador Allende, nuk ngjajnë me ata për të të cilët “të jesh i ri e të mos jesh revolucionar është një kontradiktë deri biologjike”. Këta janë djem që nuk synojnë të ndryshojnë botën, pasi nuk kanë besim mjaftueshëm tek vetëvetja për të besuar se do t’ia arrijnë apo kur hipin në karrocën e revolucionit është kur gjithçka duket tashmë e pashmangshme.

Fillimisht, siç tregon Arash Azizi në librin e tij kushtuar ngjitjes dhe rënies së Qassem Suleimani, “The shadow commander”, shokët e aventurave e ish kreut të al Quds nuk janë djem kushedi sesa fetarë. Ndoshta nuk harbojnë në K Club në vitet e disco fever persian, por nuk është se heqin dorë nga dëfrimi. Pëlqejnë filmat e John Wayne, Charlie Chaplin, serialin “Morad elektricisti” dhe këngët e dashurisë së Gogoosh. Frekuentojnë kinematë e palestrat, nëse jetojnë në fshat ëndërrojnë qytetin dhe në qytet ëndërrojnë “qytetin”, domethënë Teheranin, ku dritat shkëleqjnë më shumë dhe gjithçka duket se lëviz me shpejtësi supersonike. Kur nisin të frekuentojnë xhamitë është në momentin kur këto të fundit bëhen vende ku ndodhin gjëra, vende ku dëgjoheshin fjalë që nuk shqiptohen tjetërkund dhe ku pa lexuar Jack London e vallëzuar në K Club nuk mund ta mendosh të jesh pjesë e diçkaje më të madhe. Megjithatë, ndërsa triumfon revolucioni, për shumë Suleimani të Iranit jeta vazhdon të rrjedhë sikur të mos kish ndodhur asgjë. “Në ato ditë kaotike koteci kishte mbetur hapur dhe pulat ja kishin mbathur, rrëfen Farid, mik për kokë i Suleimani, dhe në atë pikë gjëja e vetme që donim ishte ti kapnim ato pula dhe ti shkonim në hell”. Në thelb, atyre nuk u interesonte politika, thotë Farid. “Ama politikës i interesonim ne”. Politika jo vetëm që i interesonin djemtë si Farid dhe Qassem Suleimani: për herë të parë, politika i bënte të ndjeheshin të rëndësishëm dhe atëhere, nëse revolucioni kishte vërtet për tju shërbyer të shtypurve, nëse ishte vërtet “një revolucion social në emër të Zotit”, siç e sanksionoi dekani i historiografisë marksiste Eric Hobsbawm, atëhere revolucioni jo vetë duhej duartrokitur, por duhej mbrojtur. Trupa e Gardianëve të Revolucionit lindi me këtë qëllim më 22 prill 1979.

Në fillim është vetëm një lëmsh grupesh rivale që e gjen një ekuilibër kur ekuivoku Mohsen Rafiqdoost, ish shofer dhe shefi i sigurisë së Khomeini, i jep fund grindjeve duke nxjerrë një colt. (“Nëqoftëse nuk do të arrijmë gjëkundi në fund të këtij takimi, fillimisht do ju vras ju dhe më pas do të vras veten”, përcjellin kronikat). Fakti është se pretorianët e Khomeini prodhojnë një vademekum për aspirantët pasdaran që përmban sipas renditjes: të besojë në natyrën islamike të revolucionit dhe në Republikën Islamike; të posedojë kurajo të mjaftueshme e vendosmëri dhe të jenë gati ta dmeonstrojnë nga pikëpamja fizike, intelektuale dhe shpirtërore; të refuzojnë imperializmin, sionizmin, diktaturën dhe çdo formë racizmi. Megjithatë, kur djemtë si Suleimani paraqiten përpara komandantëvë të parë pasdaranë nuk mendojnë për luftën kundër imperializmit. Ajo që i motivon është premtimi i Khomeini, ideja e një shoqërie që vendos në qendër të saj nevojat e të shtypurve.

Pjesa e mbetur është një thashetheme dhe herën e parë që 22 vjeçari Gholam Reza Karami, përgjegjës rekrutimi i pasdaranëve të Kerman, takon udhëheqësin e ardhshëm të Quds, ai ka ende pamjen e dikujt që pëlqen kinemanë dhe palestrën më shumë sesa xhaminë. “Kishte veshur një këmishë të gjerë, me mëngë të shkurtëra, flokët kaçurrel dhe një rrip të trashë, rrëfen Karami. Nuk mendoja do to duhej të pranonim një personazh të kësaj natyre!”. Faktikisht, në tentativën e parë Suleimani skartohet dhe më pas, kur kandidatura e tij do të rishikohet (është tashmë pranvera e 1980), faktori përcaktues nuk është zelli fetar, por trupi i stërvitur prej karatesë dhe është për tu pyetur se çfarë do të kishte ndodhur me këtë ushtri djemsh të dëshiruar për shpërblim, adoleshentë pak më shumë se 20 vjeçarë, të shtyrë nga shija e hakmarrjes, sikur të mos kishte ndodhur lufta, sepse është lufta ajo që e transformon këtë gjeneratë dhe e lidh me fill të dyfishtë me regjimin. “Lufta është dhuratë nga qielli”, thotë Khomeini dhe, praktikisht, nga këndvështrimi i tij është tamam kështu.

Sulmi i Saddam Hussein dhe indiferenca e bashkësisë ndërkombëtare ndaj një Irani që anipse revolucionar, është megjithatl pala e dëmtuar, i mundësojnë Republiks Islamike të sapolindur të rivitalizojnë koncepte të dashura për shiizmin si martirizimi, rezistenca heroike dhe më pas t’i konvertojë në instrumenta të mrekullueshme propagande. Sepse fëmijëve të gardës së vjetër që i kalonin pushimet në kaspik këto apelime i tingëllojnë boshe, por për ata si Suleimani çdo referim, çdo fjalë është menjëherë e kuptueshme – edhe kush nuk ka studiuar e njeh parabolën e trishtuar të Imam Hossein – dhe detyrimi për ti zmbrapsur pushtuesit bën të lulëzojnë ndjenja të thella. Kështu, teksa në front djemtë bëhen burra, rreth idesë të “mbrojtjes së shenjtë” kristalizohet etosi i pasdaranëve, që nuk ka më nevojë të jetë i kulturuar apo i kërkuar, që nuk i duhet të turpërohet më se është një dehati, një katundar, sepse janë ata ba kelas, me klas, që nuk vlejnë më asgjë. Dhe regjimi e bën ta mendojë, i krijon iluzionin se është zemra e vërtetë e kombit, filma, libra dhe dokumentarë ekzaltojnë aktet e pasdaranëve dhe, paralelisht me sistemin e welfare të trashëguar nga Shahu, rritet një tjetër lloj fondacionesh, organizatash dhe komitetesh, të titulluar pas Ajatollahut Khomeini, martirëve e të shtypurve, dhe ky rrjet u shpërndan premio dhe subvencione luftëtarëve dhe familjeve të tyre.

Midis viteve 1976 dhe 1986, shkruan Kevan Harris në librin e tij “A social revolution. Politics and the welfare state in Iran”, analfabetët dhe sektorët e popullsisë me një nivel arsimor të ulët apo shumë të ulët kanë një fuqi blerëse dërrmuese karshi qytetarëve të pajisur me një nivel arsimor të lartë dhe kjo shpërputhje midis të ardhurës dhe përgatitjes kulturore është një pasojë e saktë e politikave të Iranit të ri revolucionar. Deri pa përfunduar lufta, të mbijetuarit kthehen në shtëpi dhe bota nuk është më kurrë e njëjta. Më 1986 ka rënë çmimi i naftës dhe regjimi, i detyruar që nga njëra anë të mbështesë përpjekjen luftarake dhe nga ana tjetër atë të welfare revolucionar, është me shpatulla pas muri. Më pas vdes Khomeini dhe leitmotivi i ri është rindërtimi. Ndërkohë janë kthyer në modë ekspertët, kualifikimet dhe diplomat. Të shtypurit e favorizuar nga korsitë preferenciale për aksesin në universitete kanë filluar të studiojnë dhe askush nuk ka më dëshirë të dëgjojë historitë e veteranëve që tregojnë për të vdekurit dhe martirët. “Nuk ka asgjë antiislamike në mirëqenien dhe akumulimin e parasë (…) Mendimi fatalist sipas të cilit është detyrë e Zotit që të sigurojë çdo gjë është i gabuar”, nënvizon presidenti Ali Akbar Hashemi Rafsanjani më 1990 gjatë një diskutimi që shkakton shumë zhurmë.

Por përveçse sugjerojnë se rrënjëshkulurit duhet të bëjnë një lëvizje, Rafsanjani ka guxuar deri të vërë menjanë fetishet e kundërkulturës pasdaran. “Kemi arritur në pikën ku stili i jetesës dhe dukja e një hizbollahi (një mbështetësi të revolucionit, shënimi im.) konsiderohen të papëlqyeshme dhe kjo nuk është mirë. Nuk është e drejtë se duhet të jetë i shëmtuar dhe arrogant, që një hizbollahu i ngjiten si i papranueshëm. Është vetë islami që e dënon këtë sjelljes, që e quan mëkat. Sepse feja jonë na thotë që të jemi të kuruar, (…) të krehim flokët, të hedhim parfum, të veshim rroba të pastra. Mos harroni se edhe profeti e shikonte refleksin e tij në ujë për tu siguruar se ka pamjen e duhur për sytë e të ftuarve të tij”.

Për veteranët bëhet fjalë për një një zgjim të hidhur. 10 vite nga revolucioni afshi i mobilizimit është shuar, etika e suksesit po zëvendëson tashmë atë të sakrificës dhe për ushtarët e thjeshtë, që e përshkojnë luftën pa u bërë Suleimani, Republika Islamike rezervon surpriza të hidhura. Për shembull, protagonisti i filmit “Ariu i kuq” të Jafar Panahi është një ish pasdaran në krizë me jetën, nuk ka mjaftueshëm para sa për t’u martuar dhe ja del duke shpërndarë pica nëpër shtëpi. Një ditë një porosi e çon në shtëpinë e komandantit të tij, por njeriu që ndërkohë ka bërë pasuri nuk e njeh, pasi djaloshim i shpërfytyruar nga shenjat që i kanë lënë armët kimike, është i mbytur me kortizon. Në fund, i dëshpëruar, tenton të rrëmbim, dështon dhe vret veten.

Por ka edhe peshq të vegjël që e kuptojnë se muzika ka ndryshuar. Studiojnë, bëhen inxhinierë, hakerë, spiunë, kandisës apo rrahës profesionistë. Ndërtojnë diga dhe ura. Ashensori social është i ngadaltë, por në 2005 Mahmoud Ahmadinejad e fiton ppresidencën duke sulmuar revolucionarët e salloneve dhe për pak kthehet në modë estetika e zdruguar që urrente Rafsanjani. Ndërkohë, fëmijët e padukshëm e viteve ’70 kanë hedhur rrënjë në lagjet e mira të veriut të Teheranit dhe ajka e pasdaranëve banon në një kompleks rezidencial ekskluziv afër Lavizan Jungle Park. Por pasiguria nuk është daravitur akoma. Gratë e pasdaranëve veshin xhinse të ngushta nën fustanet e tyre jo pse janë rebele, por sepse dëshirojnë të ngjasin me të tjerat.

Pazaret gëlojnë nga suvenire me emblemën e sovranëve të dinastisë Qajar dhe jashtë vendit “rich kids” e nomenklaturës pasdaran preferojnë të mos thellohen mbi origjinën e tyre. Ndërkohë, përkrah pasdaranëve të gjeneratës së parë e të dytë, bën rrugë një gjeneratë e tretë pasdaranësh shumë më cinike se ajo e debutimeve.
Suksesi është mantra e re, suksesi me çdo kusht dhe teksa kalon në revistë ekipi i kandidatëve që po bëjnë nxemjen për presidencialet e qershorit të vjen të mendosh se fëmija me buzëqeshjen e hidhur në karikaturën e “Bohlul” vërtet ka fituar. Pse vallë si këtë vit, i shënuar nga mungesa e Suleimani, ka pasdaranë për të gjitha shijet: Mohammed Bagher Ghalibaf, ish kryebashkiak i Teheranit dhe Kryetar i Parlamentit, është një pasdaran që pëlqen avionët dhe xhupat e lëkurës; kurse Hossein Dehgan është një pasdaran – burokrat me militim të qëndrueshëm, këshilltar ushtarak i Khamenei, ka qenë ministër i Hassan Rohani, nuk do të tolerojë diskutimet dhe, nëse mundet, shmang që të marrë partinë; Parviz Fattah është pasdarani kokënxehtë, mina me sahat, drejton Fondacionin e të Shtypurve dhe ka hyrë aq fort në rol, sa që ndërmerr beteja jakobine një ditë po e një ditë jo; Said Mohammed është pasdarani – CEO me shikimin e butë, drejton holdingun Khatam al Anbiya dhe, po t’u besosh zërave, do të shkojë larg. Megjithatë, Gardianët e Revolucionit e kanë reputacionin e plagosur për vdekje prej vitesh ku represioni i ka shtypur të shtypurit e rinj si mizat, aq sa ministri i Brendshëm Abdolreza Rahmani Fazli ka rrëfyer se është i preokupuar nga apatia e iranianëve. Klima që mbizotëron pak orë nga votimet, ka thënë ai, nuk ka qenë kurrë “më e qetë dhe më e ftohtë”. Sikur, pavarësisht gjithçkaje, pasdaranët të mos arrrinin megjithatë të siguronin atë që po e kërkojnë prej 40 vjetësh.
(Tatiana Boutourline për Il Foglio)

Përgatiti
ARMIN TIRANA