Coca-Cola reagon ndaj Ronaldos për heqjen e shisheve të pijes së saj nga konferenca e Euro 2020

Coca-Cola ka këmbëngulur se, të gjithë kanë të drejtë ta zgjedhin pijen e parapëlqyer, pasi Cristiano Ronaldo i Portugalisë i largoi dy shishe të pijes gazuese nga tavolina e një konference për media e Euro 2020.

Sulmuesi 36-vjeçar, i fiksuar pas shëndetit, u ndje i fyer pasi pijet gazuese u vendosën në tavolinën e tij para se ai të mbërrite për intervistë të hënën, prandaj edhe i largoi të dy shishet dhe iu bëri thirrje tifozëve të pinë ujë në vend të saj.

Kompania e vlefshme miliarda euro, e cila është sponsore e Euro 2020, i ka reaguar portugezit, duke thënë se të gjithë kanë shije dhe nevoja.

Një zëdhënës i Coca-Colas ka thënë se lojtarët mund të zgjedhin çfarë të pinë në konferencë.

“Lojtarëve iu ofrohet ujë, përveç Coca-Colas dhe Coca-Colas pa sheqer, sapo të mbërrijnë për konferencë për media”, tha një zëdhënës i kësaj firme.

Ylli i Juventusit e bëri atë veprim në konferencën për media para ndeshjes së Portugalisë kundër Hungarisë në turneun e verës, të cilën e fituan portugezët 3:0.

Ronaldo i shënoi dy prej tri golave të fitores së kombëtares së tij në ndeshjen hapëse.

Për më tepër, Coca-Cola e humbi rreth 4 miliardë vlerë në treg dhe aksionet e saj ranë për 1.6 për qind.