Si u vra dhe u hodh në rezervuar 25 vjeçari, pistat e hetimit

Ende nuk ka asnjë të ndaluar nga policia për vrasjen e 25 vjeçarit Fridman Xhaferraj, i cili u gjet ditën e djeshme i mbytur në një rezervuar në Korçë.

Sipas burimeve nga policia, janë 2 pista hetimi, ajo kryesorja e prishjeve të pazareve të drogës, dhe nuk përjashtohet as pista e vrasjes për motive banale.

Sipas burimeve viktima është gjetur i lidhur nga duart në momentin që ka dalë në sipërfaqe të rezervuarit të Gjancit. Në trupin e 25-vjeçarit janë konstatuar shenja dhune në trup e kokë, çka dëshmonte se i riu para se të hidhej në ujërat e rezervuarit të Gjençit është dhunuar deri në vdekje diku tjetër. Në bazë të informacioneve ai njihet si person problematik nga policia e Fierit dhe Lushnjës, si dhe përdorues i lëndëve narkotike.

25-vjeçari, Fridman Xhaferraj kishte thyer arrestin shtëpiak, pasi në datën 21 maj ishte liruar nga dhomat e paraburgimit duke u lënë në arrest shtëpie në fshatin Plug të Lushnjës, Xhaferraj gjithashtu ishte i akuzuar për zjarrvënie të pronës së tjetrit, përfshirë 3 makina pranë një qendre tregtare.