Ish-ministri i PS: Rama e ktheu partinë në shërbëtore të oligarkëve

Ish-ministri socialist, Arben Malaj uron 30-vjetrin e PS në një mënyrë ndryshe nga ish-kolegët ministra e deputetë. Në një reagim në rrjetet sociale, përveç kujtimeve e urimeve për socialistët, Malaj përcjell dhe kritika për Partinë Socialiste.

Ish-numri 1 i Financave në vend shprehet se PS duhet të vazhdojë të jetë partia politike më frymëzuese, demokratike, transparente dhe e përgjegjshme, partia ku mendimi ndryshe dhe bashkëjetesa duhet të inspirohen, nxiten, mbështeten dhe jo te vriten nga lufta e brendshme për pasuri dhe  pushtet absolut të pak individëve në kupolën drejtuese të saj.

PS duhet të ruhet si sytë e ballit nga nepotizmi, babëzia, arroganca, korrupsioni dhe kapja e shtetit, shton Malaj.

PS duhet të kishte mbetur dhe duhet të jetë  përfaqësuesja e denjë e 99% të njerëzve të popullit të saj dhe jo shërbëtore e 0,01% që përfaqësojnë disa politikanë dhe oligarkë të pakënaqur me fitimet varfëronjese të popullit të tyre, shton ai më tej.

“Socialistë të thjeshtë dhe fisnikë, ndjehuni krenarë për gjithçka që keni bërë për Partinë Socialiste, për familjet tuaja dhe vendin tuaj !! Mos u nënshtroni dhe mos u keq përdorni nga arrogantët, autokratët e korruptuar nga babëzia për pasuri dhe pushtet absolut. Sfida jonë e përbashkët është – të prodhojmë e ndajmë çdo ditë dhe kudo në Shqipëri mirësi, pozitivitet, kohezion dhe solidaritet social,  për të lehtësuar të ardhmen e shqiptarëve dhe veçanti të rinjve në vendin e tyre, pikërisht në Shqipërinë tonë të dashur! Ndjehuni krenar!!!”, e mbyll reagimin ish-ministri.