Skandali i menaxhimit të mbetjeve të Durrësit, motra e Dakos firmosi relacionin

Motra e Vangjush Dakos dhe tre zyrtarë të arrestuar apo hetuar më parë për korrupsion janë disa prej personave që kanë hartuar skenarin, në bazë të të cilit plehrat e Durrësit do të depozitohen në inceneratorin e Sharrës.

Bashkia e Durrësit, me shumë vonesë dhe vetëm pas një raportimi kritik të “Syri TV”, publikoi vendimin e Këshillit Bashkiak, në të cilin u vendos që zgjidhja më e mirë për emergjencën e mbeturinave është pagesa miliona euro për 10 vjet në llogaritë e biznesit e shumëdebatuar, të menaxhuar fillimisht nga Klodian Zoto.

Image

Këshilltarët bashkiakë të Durrësit morën në tavolinën e tyre një relacion me 3 skenarë, të hartuar nga zyrtarë të Bashkisë së drejtuar nga Emirjana Sako.

Ky ishte një lloj dokumenti, pa asnjë lloj oponencë, në bazë të të cilit arrihej në konkluzionin se skenari për depozitimin e plehrave të qytetit në inceneratorin e Tiranës ishte zgjidhja me kosto më të ulët, e llogaritur në rreth 40 euro për ton mbeturina.

Image

Ky dokument, i hartuar me urgjencë dhe i miratuar po ashtu me shpejtësi të lartë, mban firmën e grupit, ndër të tjerë edhe motra e ish-kryebashkiakut Vangjush Dako, si edhe tre ish-zyrtarë të tjerë, të arrestuar ose hetuar për korrupsion dhe falsifikim dokumentash.

Dokumenti mban firmën e Valbona Qiriako, Drejtoreshë e Buxhetit në Bashkinë e Durrësit.

Image

Qirjako është motra e ish-kryebashkiakut Vangjush Dako, i larguar nga jeta e dukshme politike pas përfshirjes së tij në dosjen e vjedhjes së votave, të njohur me numrin 339.

Po ashtu, skenarin “pro-Klodian Zotos” e ka firmosur edhe Ardjan Iljazaj, aktualisht Drejtor i Shërbimeve Publike në Bashkinë e Durrësit.Iljazaj u arrestua dy vjet më parë, pasi prokuroria e Durrësit e kishte të dyshuar si të përfshirë në korrupsion dhe falsifikim dokumentash, në kohën kur mbante postin e Drejtorit të Hipotekës së qytetit.

Pasi fitoi lirinë dhe ndërkohë është nën hetim, Ardjan Iljazaj emërohet drejtor i rëndësishëm në Bashkinë e Durrësit dhe tashmë emri i tij rezulton në relacionin për depozitimin e mbetjeve të qytetit pranë inceneratorit të Sharrës.

Një tjetër emër që ka nënshkruar relacionin “pro-Klodian Zoto” është Arben Isaku, aktualisht Drejtor i Drejtorisë Ligjore në Bashkinë Durrës.

Isaku, ish-drejtor i ALUIZNI-t, Isaku u arrestua dy vjet më parë, i akuzuar nga Prokuroria e Durrësit, si i përfshirë në korrupsion dhe falsifikim dokumentash. Arrestimi i u shoqërua me zhurmë të madhe mediatike, pasi ai mbante edhe detyrën e drejtuesit kryesor të Partisë Socialiste në Durrës.

Pasi gjykata i ndryshoi masën e sigurisë, Isaku emërohet drejtor i rëndësishëm në Bashkinë e Durrësit dhe tashmë ka miratuar skenarin që shton me miliona euro financat e inceneratorit të Sharrës.

Më tej, relacioni rezulton se është nënshkruar edhe nga, Alfred Dhuli, drejtori jetëgjatë i Ndërmarrjes Komunale të Plazhit, në varësi të Bashkisë së Durrësit.

Dhuli është pezulluar nga detyra në vitin 2015, pasi Prokuroria e qytetit e akuzonte se kishte shtuar në mënyrë fiktive rreth 2800 persona si banorë të zonës së Plazhit, me qëllim që të votonin në favor të Vangjush Dakos, në zgjedhjet lokale të atij viti.

Ndër emrat e tjerë që kanë nënshkruar relacionin për depozitimin e mbetjeve në inceneratorin e Sharrës janë edhe funksionarë të Partisë Socialiste, të cilët, para se të bëheshin pjesë e stafit të Bashkisë, kanë mbajtur funksione të administratorëve të njësive të ndryshme lokale në qytet.

Nënshkrues të relacionit nga Drejtoria e Planifikimit të Territorit janë Shpëtim Ciku, ish-administrator i Ishmit dhe Klara Agasi, ish-administratore e njësisë Manzë.

Image