Basha me demokratët e Mallakastrës: Të dielën do vendosim të vazhdojmë betejën kundër regjimit Rama-Doshi

Kryetar i PD në detyrë, Lulzim Basha gjatë një takimi me demokratët e Mallakastrës, u shpreh se të dielën do vendosim të vazhdojmë me gjithë forcën tonë betejën kundër regjimit Rama-Doshi, do t’i kthejmë vendit demokracinë dhe përmes saj ndryshimin.

Basha tha se, ne nuk dorëzohemi përballë maskarës zgjedhore, duke shtuar se së bashku me shumicën e shqiptarëve do sjellim ndryshimin që njerëzit duan dhe meritojnë

“Të dielën do vendosim të vazhdojmë me gjithë forcën tonë betejën kundër regjimit Rama-Doshi, do t’i kthejmë vendit demokracinë dhe përmes saj ndryshimin. Nuk dorëzohemi përballë maskarës zgjedhore. Së bashku me shumicën e shqiptarëve do sjellim ndryshimin që njerëzit duan dhe meritojnë”, u shpreh Basha.

Mallakastër
Zoti kryetari i partisë, zoti drejtues politik, zonja dhe zotërinj, vëllezër dhe motra mallakastriot, demokrate dhe demokratë, së pari ju falënderoj nga zemra për praninë tuaj dhe për mikpritjen tuaj!
Përkundër masakrës zgjedhore të 25 prillit që u shtri anembanë Shqipërisë, përkundër veçorive historike që i dimë fare mirë dhe avantazheve që ato veçori historike presupozojnë shpesh për kundërshtarin tonë historik, Partinë Socialiste të Shqipërisë.
Ka qark tregoi se demokratet dhe demokratët e Fierit, Mallakastrës dhe mbarë degëve tona në këtë qark, ditën që përballë furisë së makinerisë së agresionit dhe operacionit më të madh të blerjes së votës nga shteti dhe nga bandat, jo vetëm që nuk u përkulën, por ditën të regjistrojnë përmes pjesëmarrjes masive të qytetarëve që ju ndoqën pas në një betejë të pashembullt, përpara një masakre të paprecedentë të këtyre 30 viteve, një rezultat të jashtëzakonshëm.
Ndaj ndodhem këtu së pari për t’ju shprehur nga zemra gjithsecilit prej jush këtu në këtë sallë, mirënjohjen time më të thellë si dhe zotimin tim që sa të kem frymë, nuk do ta harroj sakrificën tuaj dhe do të bëj gjithçka që asnjë pikë djersë, e demokratëve, e në veçanti e djelmërisë mallakastriote demokratë, të mos shkoj dëm.
Ju ishit në këtë betejë  pa asnjë pushtet institucional apo fizik por ju u sollët me madhështinë, fisnikërinë dhe trimërinë e demokratëve që në këtë betejë qytetarët iu shkuan me pastërtinë e zemrave iu shkuan me pastërtinë e qëllimeve, iu shkuan me forcën më të madhe që zoti mund t’i falë njeriut, forcën morale dhe bindjen se këtë betejë nuk po e bënim për karrigen time, nuk po e bënim për karriget tona, por po e bënim për Mallakastrën, për mallakastriotët, për fierakët, për Shqipërinë dhe për shqiptarët.
Në këto ditë të vështira ku zhgënjimi dhe tronditja ka pësuar të njëjtat dimensione si me 31 marsin e largët, të vitit 1991. Unë kam parë po kështu një proces normal që ndodh në shpirtin dhe mendjen e njerëzve të tronditur, që kalon nga faza e mosbesimit për atë që po ngjan tek e zhgënjimit dhe dëshpërimit në kufijtë e depresionit dhe pastaj tek zemërata e ligjshme që buron nga zemra e çdo njeriu të drejtë për padrejtësinë që është bërë dhe padrejtësia nuk u është bërë vetëm demokratëve. Padrejtësia i është bërë Shqipërisë, u është bërë shqiptarëve. Me 25 prill nuk ka ndodhur thjesht dhe vetëm një garë e pabarabartë se për këtë ne ishim të përgatitur, madje e kishim paralajmëruar. Nuk ka ndodhur thjesht dhe vetëm një vjedhje apo një blerje e votave por një masakër totale zgjedhore me rezultat jo thjesht ndryshimin e numrave por tjetërsimin e vullnetit të shqiptarëve për ndryshim. Kjo me dy fjalë do të thotë, rënie e demokracisë.
Demokracia, miqtë e mi, është një koncept  kompleks por në thelb të saj qëndron një e vërtetë e thjeshtë, e qartë. Do të thotë shumica vendos. Me 25 prill nuk ka vendosur shumica. Me 25 prill shumicës i është mbivendosur pakica ndaj 25 prilli ka hyrë në historinë 31 vjeçare të pluralizmit si një ditë e zezë, ku përkohësisht ka ndaluar jo vetëm shpresa për ndryshim e shqiptarëve por ka ndaluar dhe tik-taku i zemrës së demokracisë. Në betejën për ndryshim ne demokratët, ju drejtuesit e kësaj beteje kishit mbi supe barrën e rëndë t’i provonim shqiptarëve që ka rrugë, ka shpresë, ka mundësi që pasuritë e saj të panumërta ti kthehen shqiptarëve dhe t’i kthejnë në mirëqenie për shqiptarët dhe këtë e bëtë më së miri por tanimë mbi supet tona rëndon një barrë e dyfishtë, ajo e ndryshimit që nuk erdhi sepse 25 Prilli ishin zgjedhje pa zgjidhje, njësoj si 31 Marsi I 91”-shit dhe njësoj si  në atë datë një barrë tjetër rëndon edhe më shumë, barra e kthimit të legjitimitetit, barra e kthimit të demokracisë në vend. Kjo është tani  beteja me të cilën duhet dhe do të përballemi.
Shqipëria ndodhet përsëri në udhëkryq të rrezikshëm. Një perde e re e hekurt ka rënë siç ju kam paralajmëruar, jo thjesht midis vendeve komuniste dhe vendeve të lira si përpara vitit 90-të  por midis vendeve që bëjnë sikur bëjnë zgjedhje po mbajnë pushtet të njëjtët autokratë të korruptuar që  pastaj vazhdojnë kapin institucionet, të mbledhin më shumë para në publik, të varfërojnë më shumë popullin  që të ja blejnë më lirë votën, të blejnë median, të kapin të gjitha institucionet  e pavarura.
E pra miqtë e mi sot, pas masakrës zgjedhore Edi Rama nuk ka as një përgjigje për njerëzit. E vetmja përgjigje politike që dëshiron që ti japë krizës që është bërë edhe më e thellë është të rrëzojë vlerën e vetme politike që ka sot kjo shoqëri. Të rrëzojë Partinë Demokratike që pavarësisht gjithçkaje doli nga kjo masakër zgjedhore jo më e vogël, as më e tkurrur, as kokë ulur, por më e madhe, më e shtrirë dhe këtu nuk e kam fjalën vetëm për numrat e qytetarëve që na ndoqën, as për mandatet në parlament por mbi të gjitha e kam fjalën për madhështinë morale me të cilën dolëm nga kjo betejë.
Miqtë e mi gjatë këtyre ditëve e javëve jemi përfshirë në këtë garë të brendshme, statutore, diktuar nga rregullat dhe nga vendimet e institucioneve të partisë. Dhe me gjithë avantazhet kjo garë ka, me bukurinë e saj që është shpalosur para gjithë shqiptarëve si partia e vetme që ka konkurrencë, ka garë, ka debat të brendshëm, ekziston dhe një rrezik i cili është rreziku i dorëzimit para atyre që 25 Prillin për interesa afatshkurtra nuk e konsiderojnë masakër zgjedhore por e konsiderojnë fitore të Edi Ramës apo humbje të Partisë Demokratike. Të bësh këtë, të ngutesh, të vraposh drejt kësaj do të thotë ti biesh me shkelm sakrificës tuaj, sakrificës të demokratëve të Mallakastrës, të Fierit dhe të mbarë Shqipërisë. E vetmja gjë që kam kërkuar është që për një gjë të kemi një qëndrim dhe kjo është 25 prilli sepse nga kjo varet dhe fati i aksionit tonë politik, varet jo thjesht fati i Partisë Demokratike dhe i demokratëve, varet fati i Shqipërisë dhe i shqiptarëve.
Të dielën sytë e shqiptarëve do të jenë sërish të drejtuar nga Partia Demokratike, ashtu siç i kanë drejtuar përherë në udhëkryqet e vështira të historisë dhe këto ditë të vështira për vendin shqiptarët presin nga ne një përgjigje të qartë dhe të fortë për masakrën zgjedhore, për ndalimin e vullnetit të shqiptarëve për ndryshim, për rënien e demokracisë.
Nëse ne pranojmë kokë ulur padrejtësitë që iu janë bërë jo vetëm demokratëve por gjithë shqiptarëve, nëse pranojmë në heshtje modelin e Edi Ramës, modelin e shtetit të bërë njësh me partinë dhe oligarkisë të bërë njësh me pushtetin atëherë vendi do të hyjë në një natë të gjatë, errësira e të cilës përngjan me atë natë të gjatë të diktaturës që e shpoi përmes sfidave të themeluesve tanë drita e shpresës, drita e ndryshimit demokratik 31 vite më parë.
Ndaj ne nuk kemi rrugë tjetër, ne nuk mund dhe as nuk do të dorëzohemi, ne nuk tërhiqemi nga kjo betejë. Ne e mirëpresim atë sepse në fund të fundit kjo është shënuar në fatin e çdo  demokrati dhe çdo demokrateje, beteja për liri, beteja për demokraci, beteja për zgjedhje të lira, janë vlerat me të cilat kjo parti i ka mbijetuar sfidave të kohës dhe nuk është bërë më e vogël, por më e fortë, nuk është bërë më e dobët por më e madhe dhe kështu do të vazhdojë.
Jetëve tona kuptim më të lartë i ka dhënë fakti kur kemi luftuar jo thjesht për veten tonë dhe për familjet tona, por për qytetarët tanë. Prandaj dhe përgjigjja jonë ditën e diel për gjithë shqiptarët duhet të jetë e qartë, e fortë dhe e prerë për atë sfidë që vetëm ne mund të mbajmë mbi supe.
Për këtë të diel me forcën që na buron nga besimi që shqiptarët na dhanë me 25 prill përkundër masakrës zgjedhore ti themi jo rënies së demokracisë, t’i themi jo penguesve të ndryshimit, të vazhdojmë së bashku këtë të diel me gjithë fuqinë tonë betejën kundër regjimit të Edi Ramës, të Tom Doshit me shokë, të kësaj pakice dhe ti kthejmë vendit demokracinë dhe përmes saj ndryshimin që mallakastriotët, shqiptarët dhe Shqipëria e deshën me 25 prill dhe e duan akoma më shumë edhe sot.

2 22