Prokurori kërcënohet me plumb, reagon presidenti Meta

Presidenti Ilir Meta ka reaguar ashpër pas kërcënimit që iu bë prokurorit të Përmetit, Asllan Bajrami, të cilit i kishin çuar plumb në dritaren e zyrës së tij. Meta thotë se, kjo është një ngjarje e rëndë që duhet dënuar, dhe kërkon marrjen e masave të menjëhershme për zbardhjen e saj.

Sipas Metës, revanshi i krimit duhet të ndalet njëherë e mirë, dhe duhen çuar para drejtësisë të gjithë ata që pengojnë punën e funksionarëve publike.

Postimi i plotë i presidentit Meta

Kërcënimi për shkak dhe në krye të detyrës i Prokurorit të Përmetit, z.Asllani Bajrami, është një ngjarje tepër e rëndë dhe e dënueshme.

Nevojitet një hetim i shpejtë për vendosjen para ligjit të kujdo, që guxon të kërcënojë përfaqësuesit e shtetit, për t’i penguar ata të ushtrojnë detyrën të pandikuar.

Revanshi i krimit kërkon masa të menjëhershme efektive, reaguese dhe parandaluese, nga të gjitha institucionet e ngarkuara me ligj për mbrojtjen e rendit dhe të sigurisë publike.

Prokurori i Përmetit, Asllan Bajrami është kërcënuar në krye të detyrës së tij. Prokurori ka depozituar një kallëzim ndërsa janë nisur hetimet e menjëhershme për ngjarjen e ndodhur. Mësohet se gjatë ditëve të fundit, prokurori, ka marrë edhe thirrje në celular nga numra privatë. Po zhvillohen hetime edhe për këto telefonata që ai ka marrë.

Fisheku i gjetur është model 56. Dyshohet se këto veprime janë kryer nga persona të cilët kanë pasur çështje që mund të jenë hetuar nga prokurori i cili ka qenë me detyrë në rrethe të ndryshme të vendit.

Për ngjarjen e ndodhur ka folur edhe vetë prokurori i cili është shprehur se plumbin e kishte gjetur në dritaren e zyrës së tij dhe menjëherë sapo e kishte konstatuar një gjë të tillë, kishte bërë kallëzimin në polici.

“Plumbi ishte në pjesën e jashtme të dritares së zyrës. Zyra ime është brenda godinës së Gjykatës së Përmetit, ku ushtrojnë detyrën edhe tre gjyqtarë, dhe që është pronë e Ministrisë së Drejtësisë. Menjëherë sapo kam parë plumbin, i jam drejtuar policisë”, ka thënë prokurori Asllan Bajrami.