Çfarë po ndodh me Barcelonën? PSG i mori Wijnaldum, Juve po i merr Depay

Barcelona rrezikon ta vuajë fatin e njëjtë me Memphis Depay si me Georginio Wijnaldum, pasi Juventusi është futur në garë për sulmuesin e Lyonit, duke i ofruar atij pagë më të lartë dhe kontratë më të gjatë sesa klubi katalonas.

Javë më parë, Barça mendoi se e kishte siguruar mesfushorin e Liverpoolit, Wijnaldumin, si lojtar të lirë, por Paris Saint-Germaini ia rrëmbeu nga duart duke i ofruar pagë dyfish më të lartë.

Barcelona e nisi furishëm afatin kalimtar të verës, duke i afruar Eric Garcian dhe Sergio Agueros si lojtarë të lirë nga Manchester City.

Synimi i presidentit Joan Laporta ishte të vepronte njëlloj edhe me dyshen holandeze, të cilët janë lojtarë të rinj nga ky muaj, pasi marrëveshjet me klubet e veta përkatëse u mbarojnë në fund të muajit.

Derisa Wijnaldumi e pranoi ofertën e PSG-së duke ia kthyer shpinën Barçës për shkak të kushteve më të mira, Depay ende nuk ka vendosur.

Por anësori në formë në Holandës mund t’i ndjekë hapat e bashkatdhetarit të vet, duke i parë kushtet e përmirësuara që ia ka ofruar Juventusi.

Sipas Mundo Deportivos, klubit të afërm me Barcelonën, Juventusi i ka ofruar pagë tri milionë euro më të lartë se Barça dhe kontratë më afatgjate, po ashtu.