E vërteta duhet thënë hapur, pa ngurrim!

Nga Ndriçim MEHMETI

Nuk kam ndërmend të marrë në analizë maturën e këtij viti, apo të ndonjë prej viteve të fundit, pasi që dihet se ku jemi e ku po shkojmë. Shkas për këtë shkrim ishte ankesa e disa prindërve në inboksin e Facebook, në lidhje me provimet e maturës së këtij viti. Ata ngrinin me të drejtë (sipas gjykimit tim) shqetësimin për së paku dy vite që fëmijët e tyre ishin ndodhur në vështirësi dhe provimet duhet të ishin të atilla, që të merrnin në konsideratë këtë rrethanë shumë të veçantë, sidomos për vendin tonë. Përtej të gjithë këtij parashtrimi dhe përgjigjeve nga ana ime, që motivonin modestish prindërit të kishin besim se fëmijët e tyre do të kishin sukses, një shqetësim më brente e më trazonte gjumin, e që sigurisht nuk mundet dot të mos e ndaj me publikun e gjerë:

Përse prindërit kujtohen në fund të shkollimit dhe jo gjatë gjithë ciklit të arsimit të fëmijëve të tyre, për cilësinë e dijeve të marra?

Këtu duhet të filloj diskutimi ynë. Po pritëm që suksesi i nxënësve tanë të varet nga notat e marra në provimet e klasës së 5-të, të lirimit apo të maturës “e ka marrë ferra uratën”, thotë populli. Prindërit, publiku, shteti, partitë politike, shoqëria civile (nëse në Shqipëri ka një të tillë), nuk mund të presin të ankohen nxënësit, të dalin në rrugë së bashku me studentët, të bërtasë dikush se iu prish aveniri fëmijës, nga eseja e letërsisë, nga “ngatërresa e Kutelit me Lasgushin, nga pyetjet pa kuptim, në këtë apo në atë lëndë”. Sigurisht që nuk mund të përjashtohet fakti se provimi ka shkallën e tij të subjektiviteti e që duhet studiuar, analizuar e nxjerrë përfundime sa ndikon në vlerësimin e nxënësve. Por vetëm kjo është jo vetëm e pamjaftueshme, por një analizë sa për të kaluar radhën.

E vërteta duhet thënë hapur e pa ngurrim: Ne kemi një sistem arsimor copë-copë, që nuk ke ku ta kapësh. Ky sistem është në ditën më të keqe të tij, krahasuar jo me 30 vitet, por sikurse ka dëshirë të thotë Komandanti, por edhe me 80 vite e kusur nëse duam. Kurrë më parë interesi i publikut, shoqërisë, prindërve, pushtetit nuk ka qenë në nivele kaq të ulëta. Kurrë më parë nuk ka ndodhur që krimi, qejfi në studio, rrugaçëria në emisione persverse, batutat e shpifura e tërësisht bajate të kryeministrit të kenë më shumë vëmendje se arsimi. Ja kemi mbërritur ditës, që të etiketojmë të shkolluarin budalla, të diturin gomar, të lexuarin abdall që nuk kupton se ku jeton e si ka ardhur koha, rrugaçin, horrin, maskarain, qeveritarin e korruptuar vlerë e shoqërisë dhe shembull për t’u ndjekur. Të rinjtë janë lëshuar rrugëve, me auto-gënjeshtrën e pranuar si të vërtetë, që po shkojnë në shkollë.

Në fakt ata nisen nga shtëpia me “plane të mëdha” në kokë: Kush e ka shtëpinë bosh për festën a mundësinë për seks me dashnoren e radhës, a do të na vijë furnitori i barit pas dy orëve të para, kë do të ngacmojmë sot, kujt i kemi vënë syrin për t’i zhvatur lekët, me kë do të shkojmë në fundjavë në jug, me këto të klasës, apo do gjejmë ndonjë rrugës, për të ndërruar shijen e deri më tashme. Po pse nuk ka që mësojnë? Ka o posi. Porse këta që nuk duan t’ia dinë për asgjë po shtohen në progresion gjeometrik. Prindërit gënjejnë veten që u duket se i çojnë në shkollë. Në atë shkollë që më shpejt mbaron se fillon mësimi, kuptohet vetë, se cilat janë mundësitë e fëmijëve, për marrjen e dijeve, socializmin dhe veprimtari argëtuese, në shërbim të mendjes dhe trupit të tyre. Mësuesit në pjesën më të madhe pajtohen me situatën, pasi sipas tyre “nuk hapin dot gojë se i pushojnë nga puna”. Sindikata është ende e tronditur nga pandemia, ndërsa shteti i lumtur që askush nuk i kërkon as më voglën llogari për të ardhmen e fëmijëve dhe të rinjve, e cila po vritet dita-ditës. Duket se ka një marrëveshje të heshtur mes palëve, që të mbyllim gojën e të ulim kokën.

Po ku vajtën premtimet e arsimit të ndritur të Rilindjes dhe strategët e planeve të mëdha, të vetëgraduar gjeneral të arsimit?

5% i PPB, u zëvendësua me 2.89%, shifra më e ulët prej vitit 2007 e deri më sot. Infrastruktura shkollore përshtatet më së miri me stallat e lëna pas dore diku në provincat e humbura të Kinës apo në periferi të kryeqytetit të Koresë së Veriut. Digjitalizmi ishte një mundësi e artë për të zhdukur milionat e për t’i kthyer në vila luksoze dhe pagesa pa qeder për shkollimin e fëmijëve qeveritarë në Francë, Angli a gjetiu. Reforma e famshme e mësimit me kompetenca u shfrytëzua në mënyrë kreative nga gjenerali pa ushtar i ministrisë së arsimit, për botimin, shitjen dhe mbledhjen e fitimeve të pa ëndërruar ndonjëherë, e që tani i japin mundësi të përjetojë një periudhë idilike, sipas parimit “pas pensionimit fillon jeta”. Kryeministri premtonte duke skërmitur dhëmbët ndaj Spiropalit, se “ishte reforma , vullneti dhe mendja e tij, që do të shndërronin arsimin e lart”. Në fakt ne sot e kemi krejtësisht të rrënuar çatinë e dijes dhe me shiun e parë, do të mbytemi të gjithë, në gjumin tonë letargjik. Kampuse, konvikte, banesa, soba, tualete moderne, ishin një premtim i madh, për të cilat bëjnë të gjithë sikur nuk i kanë dëgjuar a më keq akoma i kanë harruar. 40% paga e rritur për mësuesit e premtuar nga deputetja aktuale e Lezhës, dikur ministre e arsimit Nikolla, mbeti vetëm një kujtesë e kronikave televizive. Sart-up, vlerësim i mësimit onllajne, arritje të larta në PISA, Besa i mori me vete në Prishtinë dhe nuk dihet se në cilin sirtar i ka kyçur, për të mos dalë më.

Ndërkaq ne, shoqëria që vuan depresionin, që shohin të rinjtë në rrugë pa krye, dhunimin e të drejtës së fëmijës për arsimim, mungesën e teksteve cilësore, programeve bashkëkohore, infrastrukturës së denjë për vatrën e dijes dhe edukimit siç det të jetë shkolla, rrimë e vështrojmë. Dikush nga prindërit mendon se e ka zgjidhur problemin me taksën mujore, apo pushimet që i paguan drejtoreshës në Turqi a Dhërmi, dikush ngaqë partia e tij është në pushtet e tani ka më shumë fuqi e të tjerë që bien pre e mësuesve mashtrues, “se fëmija ka potencial”, por duhet që ta marri ai nja 6 muaj në kurs privat e të vijë aty ku duhet. Ndryshuam ligjin për ngritjen e Këshillit Kombëtar të Prindërve, i cili, do të qante hallet e prindërve me Ministrinë e Arsimit, por që në fakt askush nuk e di se çfarë është ky organizëm dhe për çfarë shërben. Bëmë një goxha Këshill Kombëtar të Arsimit Parauniversitar, por përveç atyre që morën lekët si të tillë ndonjë produkt tjetër nuk njohim.

Ndërsa për parlamentin, apo ndonjë autoritet tjetër të tipit ASCAP, apo Drejtori e Përgjithshme e Edukimit, do të ishte reklamë e padobishme të merret ndokush. Kështu që prindër të dashur, shoqëri, njerëz që mendoni se e doni arsimin, vijoni të flini dhe mos u çoni më kot njëherë në sene. Që në gusht e nga një grusht. Nuk ua kanë fajin provimet e maturës, por cilësia mizerabël që u imponohet fëmijëve tuaj dhe të rinjve tanë në të gjitha ciklet e shkollimit të tyre.