Rruga e minuar ku ka hyrë Shqipëria pas 25 prillit

Nga Red VARAKU
Të gjithë studiuesit e shkencave politike bien dakort që kur dhunohet elementi më bazik i demokracisë, që janë zgjedhjet e lira, pasojat janë sa të paparashikueshme, aq edhe të pakontrollueshme.
Kjo sepse zgjedhjet janë një mundësi korrigjimi paqësor i problemeve politike dhe shoqërore dhe në rastin e bllokimit të këtij mekanizmi, i cili shfryn në mënyrë të kontrolluar tensionin e akumuluar në shoqëri, shoqëria do të tentojë automatikisht vetëkorrigjimin e dhunshëm dhe siç e cekëm më sipër të pakontrolluar.
Korrupsioni, kapja e shtetit, mungesa e sundimit të ligjit, kapja e drejtësisë, kriza ekonomike, kriza politike, kriza sociale dhe shumë të tjera , janë vetëm pasoja të këtij dhunimi.
Në këtë kuptim masakra zgjedhore e 25 prillit është zhvillimi dhe deformimi më i rrezikshëm në politikën shqiptare , për shkak se është një akt që tenton riskllavërimin e shoqërisë nga e njëjta pakicë që e skllavëroi për 45 vjet me rradhë.
Ky devijim që tenton haptazi asgjësimin demokracisë dhe shtetit ligjor, është eksplozivi që do të prodhojë një shpërthim, që do të rikthejë në jetë demokracinë, por me një kosto shumë të rëndë për vendin.
Kjo sepse pas këtyre zgjedhjeve nuk kemi të bëjmë thjesht me një alternativë të ndryshme qeverisëse, por kemi të bëjmë me një përpjekje të hapur për eliminimjn e opozitës dhe asgjësimin e demokracisë dhe mbrojtja e demokracisë është me rëndësi jetike për të gjithë ne.
Sigurisht, që deri tani kemi pasur probleme me zgjedhjet, kemi pasur probleme me shtetin ligjor, kemi pasur probleme me drejtësinë, por deri tani e gjitha ka qenë një proces që ka shkuar drejt përmirësimit, të paktën deri në 2013.
Por ajo që rrezikojmë sot është largimi totalisht nga vlerat perëndimore dhe vlerat demokratike. Rrezikojmë instalimin perfundimtar të një regjimi dhe rikthimin përsëri në një shoqëri të pashpresë, sërish të nënshtruar dhe skllavëruar.
Për pasojë pas 25 prillit, Shqipëria ka hyrë në një zonë të minuar, tensioni dhe pasiguria e të cilës ndjehet kudo.
Le të shpresojmë që përgjegjësit e kësaj masakre të reflektojnë dhe të tërhiqen, me qëllim që t’i ofrojnë vendit një zgjidhje politike përmes zgjedhjeve të parakohshme, përndryshe situata mund të shpërthejë dhe të degradojë në çdo moment.