“Shpejt, shpejt se e vranë”, flasin fqinjët për atentatin në Tepelenë

Gjurmët e gjakut në shkallët e katit të dytë të pallatit në lagjen “15 shtatori” në Tepelenë kanë mbetur si dëshmi e ekzekutimit me armë të zjarri të Çajup Selimit.

Familja e tij hapi sot dyert e mortit. Vetë fqinjët e njohin si familjar dhe njeri të rregullt. Një zonjë tregon si e mori vesh për ekzekutimin e fqinjit.

“Dëgjuam një zhurmë dhe menduam se është një komshi në kat të dytë që acarohet ndonjëherë. Ai tha shpejt shpejt se e vranë Çajupin. Erdhi ambulanca dhe e mori. Se qysh, se kush nuk e dimë.Ai banon në kat të tretë dhe është vrarë në kat të dytë ndërsa ngjitej lart. Njeri shumë i mirë, familje e mirë, punonte për bukën e gojës. Familjar, njeri i rregullt. Ka dy vajza, një e ka studente dhe një në gjimnaz”.

45-vjeçari ka qenë edhe më herët objektiv sulmesh. Për plagosjen e tij në 12 shtator 2018 është ndaluar Risiano Abedini, 27 vjeç nga Tepelena.

Familja e tij mësohet se ka biznes me profil të njëjtë me aktivitetin e Çajup Selimit në tregtimin e materialeve të ndërtimit, shkruan ora.

Policia po vazhdon ende pa rezultat kërkimet për kapjen e autorëve të vrasjes së tregtarit të materialeve të ndërtimit.