Koço Buzo e kishte marrë në polici armën që ekzekutoi gruan

Ish-polici Koço Buzo ka përdorur një armë të shtetit për të ekzekutuar gruan e tij Liljana Buzon, pranë gjykatës së Elbasanit. Kallashnikovi i marrë gjatë viteve 1988-1999, në magazinën e armatimit të komisariatit të Elbasanit, është përdorur në këtë krim nga Koço Buzo, i cili në këtë periudhë ka shërbyer si punonjës policie në qytetin ku ndodhi krimi.

“Ora Neës”, zbardh ekskluzivisht dëshminë e autorit të krimit Koço Buzo, i cili tregon para gjyqtarit Bujar Musta dhe prokurorit Petref Asllani, se ku e kishte gjetur automatikun, duke shfaqur dhe habinë se si i ishte vrarë gruaja.

Në një rrëfim kontradiktor Buzo ka treguar në sallën e gjyqit se nuk dinte asgjë se çfarë i kishte ndodhur bashkëshortes së tij, Liljana.

“…Nuk e kam bërë unë ngjarjen në datën 5. Unë kam marrë vesh për ngjarjen kur kam qënë në polici. E mësova nga shokët në polici. Kisha përvjetorin e djalit të madh, Klajdi, që më ka vdekur para 20 vjetësh…”, ka treguar në gjykatë ish polici Buzo.

Automatikun e kam marrë në degën e komisariatit gjatë viteve 1988-1999 dhe nuk e kam dorëzuar. Ndërsa armën e ftohtë nuk e mbaj mënd se ku e kam marrë. Habitem shumë që është vrarë gruaja dhe kundërshtoj të gjitha aktet që ka sjellë prokuroria në këtë gjykim….”, ka pohuar më tej i arrestuari.

Më tej Koço Buzo ka thënë se ka qenë në depresion. “Gruan ma quajnë Liljana dhe kam 3 fëmijë. Unë e di që gruaja është në Tiranë dhe nuk ka ardhur për të më takuar dhe deri në nëntor të vitit të kaluar nuk kemi pasi mosmarrëveshje. Ka 6 muaj gruaja është në Tiranë dhe e di policia pse është atje, pasi policia i bën presion gruas, kam 6 muaj që i kam shërbyer fëmijëve dhe të përballem vetëm me ligjin duke kërkuar drejtësi…”.

Liljana Buzo, u qëllua me dymbëdhjetë plumba në trup sapo kishte dalë nga gjykata e Elbasanit, ku ishte thirrur në procesin gjyqësor për “Dhunë në familje” kundër burrit të saj.

Buzo, ka qenë nën shoqërinë e dy djemve, kur është sulmuar befasisht nga Koço Buzo, i cili priste me armë në dorë gruan sapo ajo të dilte nga gjykata.

Ngjarja e rëndë tronditi Elbasanit, pasi ndodhi shumë afër policisë dhe prokurorisë së këtij qyteti dhe për më tepër në të njëjtën lagje ku mbeti i vrarë me 5 plumba, Pjerin Xhuvani.