“Ushtria sekrete” e SHBA me 60 mijë agjentë

Një “ushtri sekrete” prej rreth 60 mijë pjesëtarësh është duke kryer operacione të brendshme dhe të jashtme për Pentagonin si pjesë e një programi që e ka për qëllim zvogëlimin e rreziqeve ndaj sigurisë së ShBA-së, raporton gazeta amerikane, “Newsweek”.

Kjo forcë, për të cilën thuhet se është dhjetë herë më e madhe se grupi i fshehtë i CIA-s, përbëhet nga agjentë që punojnë në mënyrë sekrete. Disa prej tyre madje janë të angazhuar në kompani të mëdha në vende të ndryshme të botës, transmeton Gazeta Express.

Agjentët e programit “Signature Reduction”, të zhvilluar nga Pentagoni gjatë dhjetë viteve të kaluara, janë të angazhuar me detyra në terren por edhe në internet. Në këtë grup ka ushtarë, kontraktorë dhe civilë, të cilët e shmangin identifikimin nga autoritetet e vendeve të huaja përmes identiteteve të rreme.

Rusia, Irani dhe Koreja Veriore besohet se janë vetëm disa nga shtetet që shihen si armiqësore për ShBA-në, ku janë angazhuar agjentët e kësaj force. Raportohet se agjencia ka buxhet prej 900 milionë dollarësh dhe se është duke vepruar pa dijeninë apo pëlqimin e Kongresit.

Një oficer i inteligjencës thotë se kjo forcë operon nën termin “Signature Reduction”, ndonëse kjo shprehje nuk është e njohur zyrtarisht nga Departamenti i Mbrojtjes.

Ndonëse disa prej agjentëve punojnë nën hije, revista amerikane e theksoi rastin e agjentit Ryan Fogle, i cili u kap nga autoritetet e shtetit ku vepronte. Fogle besohet se është agjent i CIA-s. Ai u ndalua në Rusi nën dyshimin se u përpoq të rekrutonte një oficer të inteligjencës ruse.

Gjësendet dhe pajisjet që i ishin gjetur amerikanit Ryan Fogle, i arrestuar në Rusi
Në maj të vitit 2013, televizionet ruse i kishin publikuar pajisjet që i janë konfiskuar këtij personi, ku përfshiheshin disa mjete spiunimi të dala jashtë mode, përfshirë dy paruka, një kompas, një hartë të Moskës dhe një grumbull me bankënota të 500 eurove./Gazeta Express