U kap me 1 milion paund në Portin e Durrësit, kush është shoferi i ndaluar nga policia

Jetmir Ismaili, personi i ndaluar pas sekuestrimit të sasisë së kartëmonedhave paund në një fugon në Portin e Durrësit këtë të Mërkurë, shprehet se s’ka dijeni për paligjshmëri.

Ismaili ishte shoferi i kamionit që vinte nga Anglia, ku u gjetën paratë e padeklaruara dhe që sipas hetuesve, dyshohet se u përkasin grupeve kriminale.

Burime pranë grupit hetimor thanë se, shoferi është shprehur se ai i mblidhte porosi në pako nga qytete të ndryshme të Anglisë për t’i sjellë në Shqipëri dhe nuk ka qenë në dijeni të pranisë së parave brenda tyre.

Në deklaratën e parë të dhënë për policinë, Ismaili është shprehur se nuk ka lidhje me paratë e sekuestruara dhe se kryen vetëm importin e mallrave. Furgoni ku u kap sasisa rekord e parave, vinte nga Porti i Ankonës dhe mbërriti në Portin e Durrësit, ditën e sotme në orën 12.00.

Ndërsa paratë ishin të fshehura në dyshemenë e furgonit. Policia bëhet me dije se kishte sinjalizime më herët për paratë që po vinin nga Britania.