Kush janë ish-drejtuesit e PS të përfshirë në trafikun e 400 kg kokainë

Biznesmeni kavajas, Bledar Habili i akuzuar si i përfshirë në trafikun e 400 kg kokainë të kapur në Kosovë, rezulton ortak biznesi me ish-drejtorë të Partisë Socialiste në Kavajë dhe i përfshirë në skandalin e pronave në Spille, ku të akuzuar ishin edhe Elvis Roshi dhe ish-kryetari i PS-së në Kavajë, Gentjan Daja. Habili dhe biznesmeni kosovar Izet Sheqiri regjistruan kompaninë e bananeve me të cilin u realizuar trafiku i kokainës, vetëm pak muaj pasi ish-drejtorët e PS-së dhe të afërm të Elvis Roshit regjistruan së bashku me Habilin një firmë ndërtimi

 SYRI TV

Biznesmeni shqiptar, Bledar Habili citohet në median shqiptare të ketë mohuar përfshirjen në trafikun e 400 kilogramë kokainë, ndërkohë që ortaku i tij në kompaninë ‘MC Food’, Izet Sheqiri, raportohet si një ndër të arrestuarit e operacionit të zhvilluar nga autoritetet në Kosovë.

Shefi i policisë kosovare, Samedin Mehmeti, deklaroi në një konferencë për median mbrëmjen e së hënës në Prishtinë se janë arrestuar 7 persona, të gjithë të shtetësisë kosovare. Ndërkohë, Mehmeti pranoi se ka edhe persona të tjerë të përfshirë, pa zbuluar shtetësinë e të dyshuarve si organizatorë dhe pjesëmarrës në trafikun e kokainës nga Brazili, fillimisht drejt Shqipërisë e më tej u stacionua në magazinat e ‘MC Food’ në Lipjan.

Bledar Habili dhe Izet Sheqiri regjistruan në nëntor 2020 kompaninë ‘MC Food’ pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit në Shqipëri, me seli në Kavajë. Pak muaj më parë, në shtator 2020, Bledar Habili ishte regjistruar edhe si ortak në shoqërinë e ndërtimit ‘Fokus 2020’. Sipas të dhënave publike, 35-vjeçari Habili është përfshirë zyrtarisht vonë në botën e biznesit.

Megjithatë, emri i tij ka rezultuar në kronikat mediatike që në vitin 2017, kur Prokuroria e Kavajës zhvilloi hetimet për tjetërsimin e tokave në zonën bregdetare të Spillesë.

Një dokument i Ministrisë së Brendshme, i hartuar në korrik 2017, e rendit Bledar Habilin, së bashku me familjarë të ish-kryebashkiakut Elvis Rroshi dhe ish-kryesocialistit të qytetit, Gentian Daja, në listën e personave që kanë përfituar tokë në mënyrë të dyshimtë, nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve nga ish-drejtues të rëndësishëm lokalë në qytetin e Kavajës.

Në çështjen ‘Spilleja’ u përfshinë një numër i madh zyrtarësh e qytetarësh, disa prej të cilëve rezultojnë aktualisht si bashkëpronarë me Bledar Habilin në shoqërinë e ndërtimit ‘Fokus 2020’. Në këtë kompani, ortak është Daniel Rroshi, djali i xhaxhait të Elvis Rroshit. Ky i fundit ishte kryetar Bashkie, kur Prokuroria e Përgjithshme konstatoi se ai prekej nga ligji ‘Për Dekriminalizimin’.

Verifimet e prokurorisë zbuluan, ndër të tjera, se Elvis Rroshi, gjatë kohë që jetonte në Zvicër, kishte qenë në ndjekje nga DEA Amerikane, e njëjta agjenci që udhëhoqi zbulimin e fundit të 400 kilogramë kokainë në Kosovë.

Në ‘Fokus 2020’ është ortak edhe Altin Çopa, ish-drejtues i ALUIZNI-t në Kavajë, fillimisht i arrestuar për skandalin e tokave bregdetare në Spille. Ortak fillestar në këtë kompani ka qenë edhe Ervin Dulla, një biznesmen ndërtimi nga Kavaja, i cili gjithashtu rezulton se ka përfituar tokë në mënyrë të dyshimtë në ‘skemën’ e Spillesë.

Hetimi paraprak për rastin ‘Spilleja’ zbuloi një prej skemave më skandaloze të tjetërsimit të tokave në bregdetin shqiptar. Personazhi kryesor në atë çështje rezultoi ish-drejtuesi i Hipotekës së Kavajës, Seid Cikalleshi, njëkohësisht familjar i ish-kryetarit të Partisë Socialiste të qytetit, Gentjan Daja. Hetimi u nis nga prokurori Gentian Habazaj, i cili kërkoi arrestimin e 11 personave, ndërkohë që shumë tjerë ishin nën hetim. Më pas, Habazaj u largua dhe hetimi u vijua nga prokurori Kreshnik Ajazi. Në përfundim të hetimeve të tij, Ajazi reduktoi ndjeshëm numrin e personave nën hetim, duke përjashtuar nga përgjegjësia penale të gjithë përfituesit e tokave.

Pas këtij hetimi të pjesshëm, Kreshnik Ajazi caktohet drejtues i Prokurorisë së Elbasanit dhe tashmë është nën akuzë publike nga opozita për favorizim të ndjeshëm të Partisë Socialiste, për shkak se vëllai i tij ishte kandidat për deputet i maxhorancës në zgjedhjet e 25 prillit 2021.