Ballina Politikë Refuzimi i KAS edhe për Vlorën, Ivi Kaso: Po mbulohen provat që...

Refuzimi i KAS edhe për Vlorën, Ivi Kaso: Po mbulohen provat që faktojnë shkeljen e ligjit gjatë zgjedhjeve në favor të PS

Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PD, Ivi Kaso, ka reaguar pas rrëzimit nga ana e KAS të kërkesës së opozitës për të ankimuar procesin zgjedhor në Vlorë.

Kaso është shprehur se me këto veprime, KAS nuk po lejon nxjerrjen e provave të asaj që opozita e quan masakër zgjedhore.

DEKLARATË E SEKRETARIT PËR ÇËSHTJET ZGJEDHORE, IVI KASO

Sapo ka përfunduar shqyrtimi i kërkesës tonë për pavlefshmëri të procesit zgjedhor në Qarkun e Vlorës dhe përsëri për të tretën herë radhazi, KAS me shumicë votash, ka refuzuar kërkesën tonë për marrjen e provave, të cilat Partia Demokratike ka kërkuar dhe gjenden në disponibilitetin e institucioneve të ndryshme shtetërore.

Provat e kërkuara nga ana jonë janë prova thelbësore për të provuar masakrën zgjedhore të 25 prillit sepse faktojnë dhe dëshmojnë çdo aspekt të sjelljes së institucioneve në këtë proces zgjedhor. Sjellje e cila sipas të gjitha evidencave që disponojmë ka qenë tërësisht në kundërshtim me ligjin dhe në shkelje flagrante dhe të vetë vendimmarrjeve të vetë KQZ-së.

Ky refuzim që iu bë sot kërkesës tonë për marrjen e provave nga ana e KAS është më e domosdoshëm dhe më e nevojshme se kurrë, për të zbuluar dimensionin e plotë të asaj qe ne me plot gojën e kemi quajtur masakër zgjedhore në zgjedhjet e 25 prillit.

Pasi për shkak të provave të tjera që po merren në këtë proces apo të kërkuara nga opozita, apo të marra me iniciativë të dy anëtarëve të KAS, ditë pas dite po dëshmohen parregullsi dhe shkelje të ligjit që e kanë karakterizuar këtë proces.

Prandaj kërkesa dhe nevoja për administrimin e të gjitha provave dhe veçanërisht të sjelljes së institucioneve në zgjedhjet e datës 25 prill, sot është ulëritëse dhe heshtja e KAS-it për marrjen e tyre. Refuzimi i vendosur i KAS-it është një shkelje e çdo standardi zgjedhor e cila shkon në drejtim të kundërt me atë që është interesi i qytetarëve shqiptarë sot.

Interesi i qytetarëve shqiptarë sot është një dhe i qartë, që të kenë transparencë të plotë për atë që ka ndodhur në procesin zgjedhor të datës 25 prill.

Çdo veprim i KAS për të hedhur poshtë kërkesat tona të përsëritura për marrjen e këtyre provave thelbësore dhe të domosdoshme, shkon në drejtim të kundërt me transparencën, shkon në drejtim të kundërt me interesin e qytetarëve shqiptarë për të mësuar se vërtetë çfarë ka ndodhur në procesin zgjedhor, të cilin jemi duke lënë pas.

Aq më tepër sot u vendos një standard i dyfishtë, kur vetë anëtarët e KAS artikuluan nevojën për të kryer hetim të plotë dhe të gjithanshëm të pretendimit të PS lidhur me zgjedhësit të cilët dyshohen që kanë votuar më shumë se një herë dhe po nga ana e tyre me një vendimmarrje konsekuente, për të tretën herë refuzuese nuk është pranuar kërkesa e opozitës për të marrë prova të domosdoshme, të cilat gjenden sot në disponibilitetet të institucioneve shtetërore.

Ne do të vazhdojmë në rrugën tonë. Ne do të vazhdojmë me kërkesat tona për të shpallur të pavlefshme zgjedhjet në zonat e tjera zgjedhore të cilat i kemi çuar përpara KQZ-së.

Nuk do të rreshtim së bëri publike fakte apo prova të cilat i kemi çuar përpara KQZ-së, nuk do të reshtim së bëri publike faktet dhe provat por edhe ato fillime provash, ose indicie që ne i disponojmë nëpërmjet strukturave tona, por nga ana tjetër do të donim që institucioni që gjykon krimet zgjedhore, të ngrihej në lartësinë e detyrimeve të veta ligjore dhe të administronte çdo provë të cilën ne si opozitë e kemi sot të pamundur ta sigurojmë, ose që na është refuzuar të na vihen në dispozicion, nga institucionet, që qëllim të vetëm sot kanë fshehjen e sjelljes së tyre në kundërshtim flagrant me ligjin që kanë bërë për të përgatitur [procesin zgjedhor të datës 2 prill.

Pyetje: Edhe për qarqet e tjera do të ketë një shqyrtim nga ana e KAS, a keni besim se do të ndryshojë, apo do të vijojë e njëjta gjë të cilën ju e cilësonin, KAS-in, në kundërshtim me ligjin?

Ivi Kaso: Ne, ashtu siç na është kërkuar dhe na është thënë në seancën e mbledhjeve të KAS-it, që nuk duhet të kemi paragjykim në lidhje me vendimmarrjen e tyre, e fillojmë çdo proces ankimor të shqyrtimit jo vetëm të kërkesave tona, por edhe të kërkesave të subjekteve të tjera, pa asnjë lloj paragjykimi, duke shpresuar gjithmonë që KAS të na provojë që e kemi ne gabim që mund të artikulojmë kërkesa ose qëndrime të cilat mund të jenë paragjykuese në raport me vendimmarrjen e KAS-it, në çdo vendimmarrje shpresojmë që ata të na provojnë që ne e kemi gabim që i paragjykojmë. Siç e keni parë, në mënyrë të vazhdueshme kjo është vendimmarrja e tretë në të njëjtën linjë, del qartë që nuk jemi ne që paragjykojmë KAS-in, por KAS-i është në një linjë të vazhdueshme atë të mosbërjes transparencë mbi aspekte të ndryshme të këtij procesi zgjedhor, të cilat në një mënyrë ose në një tjetër që falë KAS-it, ose institucioneve të tjera, qofshin institucione të shqyrtimit të kërkesave ankimore, qofshin institucione të tjera ligjzbatuese, ka për t’u hedhur dritë e plotë mbi çdo aspekt të shkeljeve të mëdha që kanë karakterizuar dhe masakruar procesin zgjedhor të 25 prillit.

Pyetje: Nesër jepet vendimi për Beratin, a keni pritshmëri nga ana e KAS-it?

Ivi Kaso: Ne kemi pritshmëri të ligjshme mbi atë që KAS-i të bëjë atë çka duhet të bëjë përsa i përket kërkesës ankimore që do të shqyrtohet nesër, pra për rinumërim dhe rivlerësim të votave të caktuara në qarkun e beratit. Jemi të bindur që KAS ka detyrimin të bëjë transparencë, më pas nuk është më çështja jonë, është çështja e vullnetit të qytetarëve i cili gjendet në kutitë e votimit. Nqse vullneti i qytetarëve shkon në drejtim të një subjekti politik ose të një subjekti tjetër, nuk kemi absolutisht asnjë lloj paragjykimi dhe asnjë lloj komenti për këtë, por ajo çka kemi kërkuar që në fillim të këtij procesi dhe vazhdojmë t’i qëndrojmë me forcë, është vullneti i qytetarëve të mos tjetërsohej përpara procesit zgjedhor, të mos tjetërsohej gjatë procesit zgjedhor dhe të mos tjetërsohej në procesin e numërimit dhe të nxjerrjes së rezultatit. Do të kemi mundësi, shpresojmë, në zbatim të detyrimeve që Ligji i njeh institucioneve që shqyrtojnë ankimimet zgjedhore, që të shohim si është vullneti i vërtetë i qytetarëve i cili gjendet në kutitë e votimit dhe më pas kur sovrani të ketë folur, askush nuk do të ketë të drejtë të komentojë.

Exit mobile version