Rrjeti i think tank që përcjell fjalën e Kinës në Perëndim

Libri “Hidden Hand: Exposing How the Chinese Communist Party is Reshaping the World” i studiuesve Clive Hamilton dhe Mareike Ohlberg rindërton për herë të parë në mënyrë të detajuar sesi Partia Komuniste Kineze po arrin të ndryshojë perceptimin e forcës së saj nëpërmjet qendrave studimore dhe fondacioneve të financuara strategjikisht. Nga Uashingtoni në Davos ekziston një koalicion i nëndheshëm mendjesh të lidhura me regjimin.

Think tank janë një obektiv ideal për operacionet e influencës së Kinës, si për një periudhë afatshkurtër, ashtu edhe afatgjatë, në virtyt të liderëve politikë që janë të lidhur me të. Sjellja nga ana e saj është thelbësore për qëllimin e Partisë Komuniste Kineze (PKK) që të «ndryshojë debatin pa u dashur të dëgjohet zëri i saj». Nuk ekzagjerohet kur pohohet se PKK interesohet për çdo think tank që merret me tematika lidhur me Kinën. Shumë qendra kërkimore në Shtetet e Bashkuara që merren me Kinën janë të sponsorizuara nga elita biznesore të afërta me Kinën dhe, anipse ndonjë financim vjen drejtpërsëdrejti nga qeveria dhe nga kompani kineze, peshojnë më shumë donacionet nga “miq të Kinës”, si Goldman Sachs dhe Tung Chee-hwa. Think tank luftojnë shumë lidhur me pavarësinë e tyre: nuk mund të bëjnë ndryshe, si nga ana tjetër edhe partitë politike që pranojnë donacione nga kompanitë e mëdha. Por realiteti është më i afërt me thënien që sugjeron të mos kafshohet dora e kujt të jep për të ngrënë, që e përkthyer në fjalët e Xi Jinping bëhet: «Nuk duhet t’ia lejojmë kush e përmbys tiganin e PKK për të ngrënë ushqimin e ofruar nga PKK». Midis kinezëve dhe të huajve, Silk Road Think Tank Association numëron më shumë se 100 anëtarë. Think tank të ndryshme perëndimore kanë hapur filiale apo zyra përfaqësimi në Kinë, duke i dhënë PKK një mjet të mëtejshëm për të bërë presion ndaj përmbajtjeve të prodhuara; nga kjo rezulton një imazh i kinës që në tërësi ka mundësi të jetë më pozitiv nga sa do të ishte pa lidhje financiare.

Rasti Brookings
Brookings Institution është një prej think tank më të mëdhenj dhe më të njohur të Shteteve të Bashkuara, përcaktohet si mbi palët dhe i besojnë në punën e tyre mbështetësve të çdo rreshtimi politik. Megjithatë fondet për kërkimet lidhur me Kinën vijnë nga një “mik i Kinës” i njohur, i quajtur John L. Thornton, ish president i Goldman Sachs, që ka subvencionuar eponimin China Center pranë Brookings Institution: është me një rëndësi të tillë për entin, që i ka drejtuar këshillin e administratorëve fiduçarë qysh nga fundi i 2018 dhe i është ende sot brenda. Në 2008 Thornton ka marrë nderimin më të lartë të dhënë të huajve nga qeveria kinze, Friendship Award. Ai kryeson këshillin administrativ e Silk Road Finance Corporation, një kompani investimesh me seli në Hong Kong, që lehtëson ndërhyrjet në vendet e prekura nga Rruga e Re e Mëndafshit. Li Shan, CEO i saj, është anëtar i CPPCC, Konferencës Politike Konsultative të Popullit Kinez. Thornton është mik me Wang Qishan, nga ana e tij anëtar i Komitetit të Përhershëm të Zyrës Politike, si edhe mbështetës i flaktë i Xi Jinping.
Veç kësaj, Thornton ka një katedër pranë Tsinghua University, ku drejton Global Leadership Program, i themeluar prej tij pasi ka dhënë dorëheqjen nga Goldman Sachs në vitin 2003. Vetë Brookings Institution ka një partneritet me Tsinghua University: Brookings-Tsinghua Center for Public Policy u hap më 2006. Në koinçidencë me vizitën e Xi Jinping në Shtetet e Bashkuara të vitit 2015, think tank miratoi Brookings China Council e tij, që shoqëronte Thornton Center të Washington dhe Brookings-Tsinghua Center të Pekinit, me presidencën e ndarë midis Thornton dhe Qiu Yong, Rektor i Tsinghua University. Duket se nipi i Xi Jinping ka bërë një stazh tek Brookings.
Brookings ka pranuar një sponsorizim nga Huawei: midis korrikut 2016 dhe qershorit 2018 ka përfituar të paktën 300000 dollarë nga Futurewei Technologies, kompania bashkëpunëtore me seli amerikane. Huawei ka paguar edhe kërkimin e bërë nga Brookings lidhur me teknologjinë e sigurtë urbane, ku raporti final nuk nuk deklaron se disa zgjidhje teknologjike të rekomanduara aty janë të realizuar pikërisht nga Huawei. Për të cituar Isaac Stone – Fish, që e botoi lajmin në “Washington Post”: «Brookings ka lavdëruar teknologjinë e Huawei në një relacion të sponsorizuar nga Huawei».

Chatam House dhe Paulson Institute
Një ndërthurje e ngjashme midis elitave gjendet në think tank më me emër të Mbretërisë së Bashkuar, Chatham House, që merr para nga shumë burime tl ndryshme, pa e përjashtuar qeverinë dhe kompani kineze si China International Capital Corporation dhe Huawei. Edhe pse kontributet financiare nga Kina janë relativisht të pakta, Chatham House është lavdëruar nga Liu Xiaoming, ambasadori kinez në Mbretërinë e Bashkuar, për «kontributin politik të sjellë në përmirësimin e kuptimit reciprok dhe të bashkëpunimit midis Kinës dhe Mbretërisë së Bashkuar». Liu nuk gabon kur thotë se Chatham House i ka bërë mirë PKK. Në vitin 2019 Robin Niblett, drejtori i tij, e ftoi kryeministrin e ri Boris Johnson që ta ofronte Britaninë e Madhe më shumë me Kinën, duke vazhduar punën e nisur tashmë nga qeveria e Theresa May dhe nga «epoka e artë» e marrëdhënieve kino – britanike me David Cameron.
Resursi më i rëndësishëm i partisë në Chatham House mund të jetë Jim O’Neill, presidenti i saj, ish kryeekonomist i Goldman Sachs. Ky ka përkrahur krijimin e «një numri gjithnjë e më të madh situatash win-win midis Britanisë së Madhe e Kinës» dhe e ka nxitur Britaninë e Madhe që të bëhet «një partnere e madhe besimi për Kinën». O’Neill ka qenë një mysafir i mirëpritur në mediat shtetit – parti kinez, ku zhytet në elozhe të papara për ekonominë e vendit, dhe është bashkuar me Stephen Perry e 48 Group Club për t’i zgjeruar lavdërimet ndaj mendimit të Xi Jinping. Për t’u bashkangjitur me tonin e përgjithshëm të diktuar think tank britanik nga presidenti i tij Jim O’Neill, Lord Browne of Madingley, Presidente i Huawei Technologies (UK), është në Panel of Senior Advisors (Komiteti i Konsulentëve Ekspertë) të Chatham House. Nga ana e tij, Chatham House është bërë aleat me think tank më të mirë kinez, il China Centre for International Economic Exchanges, për të botuar sëbashku një studim optimist lidhur me BRI (Belt and Road Initiative, Rrugën e Re të Mëndafshit), titulli i të cilit, Marrëdhëniet ekonomike Bashkim Europian – Kinë deri më 2025: Të ndërtosh një të ardhme të përbashkët i bën homazh hapur terminologjisë së Xi.

Lidhja me Chicago
Paulson Institute i Chicago është një tjetër shembull tipik i elitave biznesore prokineze që sponsorizojnë kërkime lidhur me Kinën. I krijuar më 2011 nga Henry Paulson, ish Sekretar amerikan i Thesarit, ish President dhe ish CEO i Goldman Sachs, enti i është «kushtuar rtitjes së marrëdhënieve Shtetet e Bashkuara – Kinë që shërbejnë për të ruajtur rendin global në një botë në evolucion të shpejtë». Blogu i tij ekonomik MacroPolo mbështet bashkëpunimin ekonomik e vazhdueshëm dhe ka tendencën që të theksojë stabilitetin e ekonomisë kineze dhe konerencën e reformave të saj. Ashtu si Thornton, edhe Paulson është i mirëparaqitur ne lidershipin e PKK qysh nga koha kur administronte Goldman Sachs. Në prillin e 2019 është takuar me Han Zheng, anëtar i Komitetit të Përhershëm të Zyrës Politike, për të diskutuar për lidhjet bilaterale midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara. Një përmbledhje e botuar në uebsajtin e administratës bashkiake të Pekinit e përmendëte Paulson si një «mik të vjetër» të kryebashkiakut pekinas Chen Jining.

Berggruen: më të pacipët
Think tank proPekin ndoshta më i pacipë është Berggruen Institute i Los Angeles, i krijuar më 2010 nga miliarderi gjermano – amerikan Nicolas Berggruen. Qysh nga ditët e para të aktivitetit, Berggruen Institute ka shfaqur simpati të hapur për idealet autoritare të PKK dhe ka gëzuar raporte të mira me elitat e Kinës. China Central Television e ka nxjerrë në pah opinionin e Berggruen, sipas të cilit partia dhe qeveria kineze synojnë që të bëjnë një gjë të vetme, domethënë «t’u shërbejnë qytetarëve». Shpesh artikujt e shkruar nga ana listë të lidhur me Berggruen Institute mbështesin ose mbrojnë modelin politik të Kinës; për shembull, një deklaratë e institutit lidhur me sistemin politik të vendit vlerësonte se legjitimiteti i PKK në Kinë «buron nga prosperiteti dhe nga dija e saj».
Nëpërmjet serive të konferencave “Understanding China”, të organizuara nga Zheng Bijian, ish shefi operativ i Deprtamentit Qendror të Propagandës së PKK, anëtarë të Berggruen Institute kanë takuar Xi Jinping dhe udhëheqës të tjerë të nivelit të lartë (edhe Zheng ka pasur raste të ndryshme për ta takuar lidershipin e Berggruen Institute). Konferenca ka thirrur pjesëmarrës shumë të rëndësishëm, si ish kryeministri britanik Gordon Brown, ish kryeministrja daneze Helle Thorning – Schmidt dhe Arianna, Huffington, themeluesja e Huffington Post. Në dhjetorin e 2018 instituti ka bashkëpunuar me Universitetin e Pekinit për të themeluar Berggruen Research Center, që e ka selinë në këtë universitet. Berggruen Institute është bashkuar me “Washington Post” për të botuar “The WorldPost”, i kuruar nga Nathan Gardels, me komente dhe thellime të shkruar nga «bashkëpunëtorë të përhapur në të gjithë botën».

Konceptimi i privatësisë
Një artikull në “The WorldPost” thekson se shoqëritë perëndimore duhet t’i përshtaten «kuptimit të ndryshëm» të privatësisë që ka populli kinez (e përmbledhshme në sloganin «asnjë privatësi nga qeveria»), për t’u arritur kështu në «norma privatësie vërtet globale, edhe pse duken të ndryshme nga ajo me të cilën jemi mësuar». Një artikull tjetër, i firmosur nga Song Bing (ish drejtuese e Goldman Sachs, sot zëvendëspresidente e Berggruen Institute dhe drejtore e China Center të tij) përshkruan sesi Perëndimi e ka keqkuptuar sistemin e kreditit social të Kinës.
Song Bing është e martuar me Daniel Bell, drejtor i Philosophy and Culture Center të Berggruen Institute, që bashkëpunon me universitete prestigjioze për të promovuar «punën transkulturore» mbi qeverisjen dhe tema të tjera. Mbrojtës absolutisht i bindur i PKK, Bell është mbi të gjitha i njohur për librin e tij The China Model: Political meritocracy and the limits of democracy, që lavdëron shumë PKK dhe ku thekson se Perëndimi duhet të mësojë nga «disiplina meritokratike» e PKK: ngjitja e Xi Jinping është interpretuar si një produkt i kësaj meritokracie. Daniel Bell ka edhe një post si docent në Schwarzman Scholar Program pranë Tsinghua University të Pekinit.
Edhe “China Daily” rivendikon një partneritet me Berggruen Institute, me qëllimin, sipas një artikulli të botuar në uebsajtin e Cyberspace Administration të Kinës, e krijimit të një grupi komentatorësh përtejdetit «për t’i transmetuar botës së jashtme energjinë pozitive të Kinës». Falë partneritetit, që vetë “China Daily” thotë se ka me shumë think tank të tjerë, e përditshmja ka botuar 300 komente në uebsajtin e saj, të firmosur nga rreth 200 ekspertë të think tank përtejdetit, për të «influencuar një numër të madh lexuesish dhe për ta shpjeguar mirë historinë e Kinës».

Para të partisë për Brukselin
Misioni Kinez në Bashkimin Europian ka rezultuar një donator i madh për think tank që punojnë me Kinën apo me argumente që i interesojnë PKK. Madariaga – College of Europe Foundation ishte një prej think tank me seli në Bruksel të financuar pjesërisht nga qeveria kineze; në vijim është shkrirë me College of Europe me seli në Bruges, që sipas një vëzhguesi do të ishte «Harvard i elitave europiane». Fondacioni është ngritur nga Pierre Defraigne, ish shefi i Drejtorisë së Përgjithshme të Tregëtisë i Komisionit Europian. Sipas tij, Madariaga «zhvilloi një raport pune konstruktiv dhe të ekuilibruar me Misionin Kinez», duke lehtësuar vizita midis liderëve të rangut të lartë të partisë dhe homologëve të tyre pranë Parlamentit Europian, Komisionit Europian dhe Ministrisë së Mbrojtjes e të Punëve të Jashtme të Bashkimit Europian. Në vitin 2014 20% e bilancit të fondacionit vinte nga Misioni Kinez në Bashkimin Europian; por gjëja akoma edhe më domethënëse ishte se një 40% tjetër jepej nga një kompani e quajtur Beijing Peace Tour Cultural Exchange Center, presidentit të së cilës, Shao Changchun, i është dashur ta lërë Belgjikën pasi që një hetim lidhur me organizatën e tij nga ana e sigurisë së shtetit duket se kishte gjetur prova ndërhyrjeje dhe spiunazhi.
Veç kësaj, Shao menaxhon mjaft fondacione të tjera, përfshi China – Europe Culture, Education Foundation dhe Silk Road Peace Prize Foundation. Në fund edhe Defraigne e kuptoi për fondet e derdhura nga Peace Tour, duke pranuar se «i ka dhënë fjalën fund këtij diskutimi kur kuptova se do të mund të ishim përdorur si një lob për interesa specifike». Madariaga i mbylli dyert në Bruksel, por College of Europe, që e absorboi, dhe EU-China Research Center i tij, i krijuar më 2014, vazhdojnë të punojnë në kontakt të ngushtë me Misionin Kinez pranë Bashkimit Europian, duke pranuar sponsorizime financiare dhe duke organizuar seminare e konferenca lidhur me BRI dhe raportet kino – europiane me grupe të tjera. College of Europe mban edhe seminarin Europë – Kinë lidhur me të drejtat e njeriut, i krijuar nga China Society for Human Rights Studies. Kjo kompani, e lidhur me Zyrën për Propagandën me jashtë të PKK, u krijua në vitin 1993 për të minimizuar kritikat ndaj statistikave lidhur me të drejtat e njeriut në Kinë duke e larguar debatin global nga çështja e të drejtave individuale dhe politike.

Njeriu i referimit: Gambardella
Pak përpara samitit Bashkim Europian – Kinë të qershorit 2017 Euractiv, rrjeti i mediave europiane me seli në Bruksel, botoi një raport të titulluar Eu-China: Mending differences, i sponsorizuar nga Misioni Kinez dhe përmbante një intervistë me Luigi Gambardella, lobistin proKinë, në të cilën i thurte elozhe BRI dhe afirmonte se «Kina ka pretenduar gjithmone politika me përfitim reciprok». Në vitin 2015 Gambardella krijoi ChinaEu, qëllimi zyrtar i të cilës është ai i promovimit midis Bashkimit Europian dhe Kinës në ekonominë dixhitale. I përshkruar në Politico si «Zotëria Kinë në Europë» dhe «lobisti më i dukshëm në Bruksel», Gambardella ka takime me anëtarë të Parlamentit Europian për të rritur bashkëpunimin midis Kinës dhe Bashkimit Europian. Si të tjerë “miq të Kinës”, ai shkruan shpesh për mjetet e komunikimit të partisë, që nga ana e tyre e citojnë shpesh, dhe është bërë i ftuar i zakonshëm në World Internet Conference për Kinën që mbahet çdo vit në Wuzhen. Think tank Friends of Europe, me seli në Bruksel, organizon bashkë me Misionin Kinez Europe – China Forum, si edhe Europe – China Policy and Practice Roundtable. Në marsin e 2019 Friends of Europe, Misioni Kinez dhe China Public Diplomacy Association e CPPCC kanë organizuar sëbashku një takim Bashkim Europian – Kinë të nivelit të lartë me titullin “A mundet bashkëpunimi ta mundë konkurrencën?”. Edhe Shada Islam, drejtore politike e think tank, shfaqet shpesh në mjetet e komunikimit të partisë – shtet. Kuadri për think tank të tjerë me seli në Bruksel të impenjuar lidhur me Azinë është krejtësish analog. Për shembull, UE – Asia Centre pranon para nga Misioni Kinez dhe punon në kontakt të ngushtë me autoritetet e Pekinit.

Në Davos
Në Zvicër, Pekini ka një mik tek World Economic Forum dhe e ka përdorur për të krijuar një rrjet të ngjshur lidhjesh me elitën biznesore globale. Në një njoftim me pagesë në “New York Times”, “China Daily” ka njoftuar se Klaus Schwab, themeluesi dhe presidenti i Forumit, ishte një nga 10 ekspertët e huaj që ka marrë prestigjiozen China Reform Friendship Medal pse ka mbështetur «përpjekjet e Kinës për të riprojektuar rendin ekonomik global». Schwab, që kishte lavdëruar «shpirtin e hapur dhe bashkëpunues» të Xi, ka thënë se Forumi do të vazhdojë ta ndihmojë Kinën «të realizojë ëndrrën e përbashkët për paqe, lumturi, barazi globale dhe dashurie që triumfon mbi varfërinë». Duket se Pekini ka neutralizuar apo ka marrë kontrollin e pjesëve të konsiderueshme të think tank europianë, duke kultivuar zërat e favorshëm dhe shuar ato kritikë, përfshi ato që studiojnë aktivitetet e tij të ndërhyrjes në Europë.
(nga Domani)

Përgatiti
ARMIN TIRANA