Basha: Demokratët nuk dorëzohen kurrë! Regjimi Rama-Doshi ka ndaluar përkohësisht ndryshimin…

“Tani çfarë kujtojnë se do të bëjmë? Do të ulim kokën e do të pranojmë që një grusht njerëzish, përfituesit e vetëm të këtij regjimi të vazhdojnë ta mbajnë peng Fierin dhe Shqipërinë?”, iu drejtua Kryetari i PD, Lulzim Basha qytetarëve  ë Fier me të cilët zhvilloi një takim për zgjedhjet e 25 Prillit.

“Të vazhdojnë të venë bast se mund të rrinë në pushtet duke e zbrazur atë nga njerëzit që e duan vendin e tyre, duan familjet e tyre, duan një të ardhme më të mirë? Sigurisht që jo. Pa diskutim, ditët e para kanë qenë ditë shoku dhe tronditjeje jo vetëm për demokratët, për të gjithë shqiptarët. Edhe për një pjesë të mirë të socialistëve, të cilët të jeni të bindur dhe ju e dini, kanë votuar për ndryshimin. Dhe kjo është fare njerëzore, po ndryshe s’do ishim njerëz.

Në qoftë se ka diçka që e dinë fare mirë të gjithë është që demokratët nuk dorëzohen kurrë dhe tani që është fare e qartë se ndryshimi u pengua në mënyrë të paligjshme dhe kriminale, shokut, tronditjes dhe zhgënjimit po i lë vend zemërimi, vendosmëria dhe forca për t’u ngritur në këmbë dhe për ta vazhduar këtë betejë derisa ky regjim që e kemi çuar në buzë të greminës, të gremiset e të marrë fund një herë e përgjithmonë. E dinë dhe vetë. Shikoni marifetet që përdorin! Refuzojnë t’ju kërkojnë organeve shtetërore provat e manipulimit.

Besoj e keni ndjekur! Refuzojnë t’i kërkojnë kadastrës tapitë që kanë ndarë sepse krahasimi qark për qark dhe në nivel kombëtar, i nxjerr haptas dhe në mënyrë flagrante në shkelje kriminale të Kodit Zgjedhor. Refuzojnë të bëjnë të njëjtën gjë me çertifikatat e legalizimit, me sigurimet shoqërore dhe punësimet e paligjshme dhe kriminale në çdo institucion qendror, lokal dhe në kompanitë publike në fushatë.

Refuzojnë të sjellin informacionet e policisë që janë bërë maune me dokumenta, me kallëzime, me prova të bashkëpunimit të drejtpërdrejtë të krerëve politikë të Partisë Socialiste me krerët e krimit të organizuar apo të shërbimit informativ ku ka orë të tëra përgjimesh të ministrave të Ramës, duke shkelur ligjin, që do të mjaftonin për t’ju vënë prangat dhe për t’i çuar tani si të pandehur para drejtësisë.

Nuk mjaftojnë thirrjet për sy e faqe që krimet zgjedhore të zbardhen me transparencë e me shpejtësi. Të gjithë shqiptarët e dinë që 25 prilli u kthye në një ditë vjedhjesh, më të madhen në 30 vite. Nuk mjafton ndëshkimi i tyre, gjëja e vjedhur duhet t’i kthehet të zotit. Nuk na kanë vjedhur ne, kanë vjedhur shqiptarët, ndaj e vetmja rrugë përpara është që shqiptarëve t’ju kthehet një orë e më parë vullneti i tyre i lirë.

Çdo iluzion tjetër se ne mund të pranojmë si qeveri të ligjshme një regjim që ka shkelur çdo rregull, çdo ligj dhe Kushtetutën e vendit, çdo iluzion i tillë është një ëndërr e kotë me të cilën mbajnë veten me gajret. Ne vijmë pas një beteje të gjatë dhe këto javë nuk janë javë të lehta. Kam dëgjuar histori prekëse dhe tronditëse për të moshuar dhe të rinj, për mënyrën se si e kanë përjetuar arrestin e përkohshëm kardiak të Shqipërisë me 25 prill. Përpjekjen e dhunshme për të ndalur ndryshimin por kush kujton se ne tani do shtrihemi e do ulim kokën ose nuk na njeh ose i ka bërë hesapet gabim, po shumë gabim! Ne jemi treguar të drejtë dhe dinjitozë në çdo aspekt. Fushatën e bëmë me program, me qytetari.

Ekonomia dhe Europa ishin dy shtyllat e programit tonë. Ne u treguam të vendosur dhe të duruar përballë makinerisë shtetërore të terrorit, intimidimit, shantazhit dhe shitblerjes së votës. Po populli e ka një thënie “Ruaju nga zemërimi i të duruarit”. Ndaj, koha po skadon me shpejtësi që institucionet t’i përgjigjen sfidës që kanë, sfidës që kanë për të arrestuar dhe vënë prapa hekurave autorët dhe urdhëruesit e masakrës elektorale të 25 prillit, jo cironkat.

Sfidës që ka institucioni zgjedhor deri në nivelin e Kolegjit Zgjedhor. Edhe një herë nuk duhet të kemi asnjë iluzion, është i njëjti KAS sot, ai që ishte dje dhe pardje. Ishte KAS-i që hoqi emrat e kandidatëve nga fleta e votimit siç urdhëroi Edi Rama, i njëjti KAS që votoi për të mos i kërkuar prova institucioneve shtetërore. Por detyra jonë është të konsumojmë çdo hap dhe betejën ta shtrijmë në çdo fushë, ta shtrijmë në çdo rrugë, në çdo qytet e në çdo fshat.

Fundi i kësaj beteje do të jetë fitorja për arsyen e thjeshtë sepse ne nuk do ta humbim asetin më të vyer, më të çmuar që mund të ketë një forcë politike që është ai momenti magjik kur njerëzit e besojnë që betejën nuk po e bëjmë për veten tonë por po e bëjmë për ta. Ndaj ajo që ju kërkoj sot janë dy gjëra, së pari si drejtues, si kapiten të betejës këtu në qarkun e Fierit, t’ia drejtoni këtë mesazh çdo bashkëluftëtari tuaj, çdo anëtari të strukturave tona, çdo mbështetësi, simpatizanti, vullnetarëve të fushatës, të rinjve në veçanti, dhe t’i thoni se ajo që duket si fundi i betejës për Edi Ramën me 25 prill, është fillimi i një makthi që do të përfundojë vetëm me rrëzimin e tij dhe të regjimit të tij.

Ndërsa porosia e dytë, është po kaq e rëndësishme dhe pak më e vështirë, mos harroni se çfarë e ngriti këtë dallgë shprese dhe besimi te ndryshimi. Po jua përsëris dhe një herë; frymën e ndryshimit e ngriti pikërisht ajo magji që bën bashkë një forcë politike, e cila normalisht me program siç ishte rasti ynë, me struktura synon pushtetin dhe një tërësi qytetarësh që kurrë nuk do trokasin në derë ditën që Partia Demokratike do të jetë në pushtet, për të kërkuar punë por që besuan se luftën nuk po e bëjmë për pushtetin tonë por po e bëjmë për ta, për fëmijët e tyre, për familjet e tyre, për Shqipërinë dhe për pushtetin e tyre. Edhe një herë, askush të mos ketë asnjë dyshim, rezultati i masakrës elektorale të 25 prillit është i papranueshëm dhe nuk do të pranohet kurrë. Shanset për të bashkëpunuar me hajdutin e shpresës së shqiptarëve, me njeriun, me regjimin Rama-Doshi, që ka ndaluar përkohësisht ndryshimin që e duan të gjithë, po them të gjithë, edhe socialistët, shanset, pra, opsioni për të bashkëpunuar me këtë krim që u krye faqe gjithë shqiptarëve dhe botës, janë zero.

Kush nuk e ka dëgjuar, le ta dëgjojë. Kush nuk e ka kuptuar, le të ngrejë dorën! Partia Demokratike ka lindur si një parti e lirisë dhe kjo na ka mbajtur një parti të madhe edhe në kohë të vështira dhe kjo na ka zmadhuar edhe më shumë në betejën tonë për t’i kthyer shqiptarëve shpresën dhe për të luftuar dhe punuar për ta. Ne jemi pra, një shtëpi e madhe ku nuk ka njerëz të tepërt. Padiskutim, gjithsecili ka mendimet e veta, ka qëndrimet e veta, ka idetë e veta, gjithsecili këtu ka kontributin tuaj, investimin tuaj, sakrificën tuaj personale dhe jo vetëm, gjithsecili prej nesh ka dhe të metat dhe gabimet e veta nga i pari tek i fundit.

Ndaj, le të jemi konstruktiv dhe mendje hapur ndaj çdo ideje mendimi dhe kritike konstruktive. Ju të gjithë jeni eksoficio anëtarë të kuvendit kombëtar. Ju i keni shkruajtur rregullat më demokratike që ka një parti politike në Shqipëri dhe në Ballkan. Ju e dini fare mirë se pushteti për të zgjedhur ata që ju përfaqësojnë dhe ju drejtojnë kanë qenë në dorën tuaj dhe së shpejti do të jetë prapë në dorën tuaj, vendimi do të jetë i juaji. Por tani gjëja më e rëndësishme është të shohim njëri-tjetrin në sy dhe pasi ta ndajmë vështrimin, mos të kemi asnjë pikëpyetje se ku qëndrojmë. Zgjedhjet nuk do të njihen, objektivi ynë politik është rrëzimi një orë e më parë i regjimit Rama-Doshi, me të cilin nuk do të ketë asnjë bashkëpunim, por vetëm betejë, asnjë minutë paqe deri në shporrjen e tij dhe deri në kthimin Shqipërisë shqiptarëve”, u shpreh Basha.

2 16

4 3