Kush është i forti i Tiranës që u aksidentua sot për vdekje me motor, i përfshirë në disa krime

Fatmir Avdillari i njohur ndryshe si ‘’Xubi’’ i Yzberishtit është viktima i aksidentit në bulevardin ‘’Migjeni’’, raporton gazetarja Dorjana Bezat. Ai ishte duke udhëtuar me motor teksa u përplas me dy automjete të tjera.

Ai është dënuar më parë për vrasje, teksa pasi përfundoi dënimin u arrestua sërish për trafik droge në Kombinat, Kashar e Yzberisht në vitin 2017.

Ai dyshohej si ishte kapoja i një grupi që shpërndante drogë në këto zona, teksa gjatë operacionit ”Qelqi” iu kapën 30 kg hashash dhe një armë pa leje.

Avdillari ishte dënuar për vrasjen e biznesmenit italian Stefano Rossi teksa ka qenë edhe pjesë e bandës së Yzberishtit në vitet 97′ e 98′. Vrasja u krye më 27 janar të vitit 1998, në momentin kur Rossi kishte tërhequr 30 milionë lireta nga banka dhe u ekzekutua vetëm 100 metra larg fabrikës së tij.

Xubi, i tmerrshmi i Kasharit

Xubi ka qenë dënuar me 12 vjet burg, ndërsa doli nga qelia në 2008. Një vit pasi doli ai ekzekutoi Ardian Tahirin në 11 prill 2009. Tahiri u vra me një plumb në kokë në rrugën “Irfan Tomini” në Tiranë. Në atë kohë ‘Xubi’ pranoi në gjykatë krimin dhe deklaroi se Tahirin e kishte ndjekur prej një jave. Arsyet sipas policisë lidheshin me hakmarrjen, pasi Avdillari ka pasur dyshime se emigranti Ardian Tahiri i kishte vrarë vëllain, Fiqiri Avdillarin në Athinë.

Vëllezërit janë akuzuar edhe për shumë veprat të tjera penale, mes të cilave renditet edhe shitja e lëndëve narkotike në zonën e Kombinatit, Yzberishtit dhe Kasharit, ku edhe banda vepronte. Një tjetër vrasje ku akuzohen vëllezërit Avdillari, është edhe ajo e Shkëlqim Xhabaftit, i njohur si i forti i Selitës. Në vitin 1998 u dyshua asokohe se Xhabafi ishte vrarë nga vëllezërit Avdillari, të njohur si të fortët e Yzberishtit, pas hasmërisë mes dy bandave, asaj të Yzberishtit dhe asaj të Selitës. Pas vrasjes së Shkëlqim Xhabaftit, familja Xhabafti ka qenë në hasmëri edhe me familjen Avdillari. Xubi ishte krahu i djathtë i Kartelës.

Si ndodhi vrasja?

Vrasja e Shkëlqim Xhabaftit u krye për një konflikt që lidhej me makinën e një biznesmeni italian. Vëllezërit Nazmi e Ilir Avdillari i kishin grabitur makinën një biznesmeni italian dhe ky i fundit i kërkon ndihmë Xhabaftit. Kapoja i Selitës, së bashku me një inspektor rendi shkuan te rivalët e Yzberishtit për të biseduar se si mund t’ia kthenin makinën të huajit, por në bisedë e sipër debati është nxehur dhe vëllezërit Nazmi e Ilir Avdillari kanë vrarë Xhabaftin.