Paralajmërimi i ish-ministrit socialist: Zjarri do të ndizet më 12 qershor te dera e PS!

Ish-ministri socialist, Elmaz Sherifi ka komentuar paralajmërimet e Edi Ramës për spastrime të mëdha në parti si dhe në administratë gjatë kongresit të radhës në 12 qershor. Sherifi në një shënim në Facebook paralajmëron zjarr të ndezur nga Rama në derën e PS-së. Sipas tij, e gjitha kjo bëhet për të larguar vëmendjen nga masakra elektorale që organizoi dhe kreu Rama në 25 prill.

Postimi i Elmaz Sherifit

“Zjarri do të ndizet më 12 qershor te dera e PS”!

Pasi e “ndezi zjarrin” në presidencë, Rama i paralajmëroi kundërshtarët brenda partisë, se të pakënaqurve do ua “ndezë zjarrin” ditën e themelimit të Partisë Socialistë, më 12 qershor.

Pse i kërcënoi kundërshtarët brenda partisë me 12 qershorin?

Sepse ajo datë, nuk do të jetë ditë festive, por dita e gjykimit dhe e largimit nga forumet drejtuese të kundërshtarëve të tij, dhe ata pritet që të jenë të shumtë.

Përse duhet ndezur zjarri te “pragu i vet”?

Sepse, deri atëherë, do të jetë “shuar zjarri” në Presidencë.

Ai e “ndezi zjarrin” në Presidencë, për të larguar vëmendjen e opinionit publik dhe të ndërkombëtarëve nga procesi zgjedhor, i cili po kontestohet me dosje voluminoze nga opozita.

Ai e ka shumë të qartë, se e ka të humbur edhe betejën e dytë të shkarkimit të Metës, sepse, nuk ka asnjë shkak ligjor për ta marrë nismën e shkarkimit.

Provoi ta shkarkonte Metën, kur pretendonte se Presidenti kishte tejkaluar kompetencat kushtetuese, kur ekzistonte një dekret, jo më tani, që presidenti, nuk ka prodhuar asnjë akt, nuk ka nxjerrë asnjë dekret!

Ai e di, se nuk mund të legjitimohet një Komision Hetimor për shkarkimin e Presidentit, me ish deputetë, dhe me një parlament, me ish-deputetë. Ky parlament e mbaroi misionin e vet që ditën që u shpallën zgjedhjet parlamentare, dhe duhet të mbetët formalisht, vetëm për një situatë të jashtëzakonshme.

Ai është i bindur se edhe thirrjet për të bashkëpunuar me PD-në, për zgjedhjen e Presidentit të Ri, janë thjeshtë demagogji, por, ai do të vazhdoje ta luajë atë lojë, derisa të mbarojë analiza e ankesave të opozitës nga organet e legjitimuara nga Kodi Zgjedhor.

Me krijimin e Komisionit Hetimor për shkarkimin e Presidentit, Rama shfaqet krejt ai që ka qenë, se mandati i tretë i duhet për hakmarrje ndaj kujtdo që e pengon në ëndrrën për të qeverisur deri në 2030, ashtu si i është fanepsur në ëndërr!