Qarqet me kriminalitetin më të lartë zgjedhor/ PD depoziton faktet tronditëse: Shantazhi nga grupet kriminale, mbledhja e ID…

Partia Demokratike depozitoi dje në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve në KQZ me një furgon dosjet voluminoze në të cilat gjenden emrat e qindra personave të akuzuar për krime zgjedhore.

Sipas PD-së, faktet dhe akuzat që gjenden në ato dosje i bëjnë zgjedhjet të pavlefshme të paktën në 9 qarqe nga 12 që ka në total Shqipëria. Argumentet e përdorura nga ekipi i juristëve dhe specialistëve të tjerë nga fusha të ndryshme mbështeten në 4 shtylla kryesore. Shtylla e parë ka të bëjë me akuzat e ngritura nga PD-ja dhe faktet që tregojnë sipas tyre angazhimin e personave me rekorde të theksuara kriminale. Shtylla e dytë ka të bëjë me përdorimin e të mirave shtetërore në dispozicion të PS-së.

Një tjetër pikë ku mbështetet PD-ja në argumentet e saj për shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve të 25 prillit në 9 qarqe është pikërisht shpërndarja e lejeve të legalizimeve. Ndërsa shtylla tjetër ka të bëjë me punësimet elektorale. Sipas dosjeve të PD-së të depozituara në KAS, në 4-mujorin e parë të vitit 2021 Shqipëria ka paguar 20 milionë euro më shumë për paga se në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Qarku i Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit kanë marrë vëmendjen më të madhe të grupit të punës së PD-së, pasi sipas tyre, në këto qarqe ka pasur përqendrim më të theksuar të krimeve zgjedhore. Por çfarë përmbajnë dosjet e zeza të PD-së për këto tri qarqe?

Tiranë

Për kryeqytetin ekspertët e PD-së sjellin në vëmendje të anëtarëve të Komisionit të Ankesave 7 kallëzimet që kanë bërë në SPAK para ditës së zgjedhjeve. Ndërkohë, në dosjen e PD-së janë dhjetëra persona të akuzuar. Selia blu thekson me të zeza përdorimin e personave me rekorde kriminale në fushatën e PS-së. Në kryeqytet PD-ja akuzon për korrupsion zgjedhor shtetasit Aleksandër Lipivani, Emiljano Dushën, Ardian Davidhin, Rexhep Spahiun dhe Marlind Shkrelin.

Sipas PD-së, në Njësinë nr. 8 personat e sipërpërmendur ngritën një skemë të blerjes së votës në lokalin e njërit prej tyre, të cilin dosja e PD-së i përmend edhe emrin. Aktorët kryesorë të skemës, sipas grupit të punës së selisë blu, janë Aleksandër Lipivani dhe Emiljano Dusha. Për të parin, PD-ja thotë se ka përfituar tenderë korruptivë me vlerë 14 milionë euro, ndaj edhe në fushatën zgjedhore blinte vota për Partinë Socialiste. Po ashtu, pjesë e dosjes së zezë të PD-së është edhe kryetrari i Partisë Socialdemokrate, Tom Dhoshi. Në pikën 10 të ankimimit të PD-së në KQZ përmendet Tom Doshi dhe dy persona të tjerë që e mbështesin atë, që sipas PD-së, janë të akuzuar për kultivim dhe shitje të hashashit. Filip Gjeloshi dhe Pal Gjeloshi, të dy me rekorde kriminale, sipas PD-së, në fushatën zgjedhor janë angazhuar dhe kanë blerë vota në favor të kandidatit tashmë të dorëhequr Tom Doshi.

Ndërkohë të akuzuar nga Partia Demokratike për krime zgjedhore janë vetë kandidatët për deputetë, por edhe punonjësit e Policisë, të cilët supozohet se duhet të garantonin një proces zgjedhor të paanshëm. Në dosjen e PD-së përmenden Sadri Abazi, deputet në detyrë, Arli Naska drejtor në Bashkinë e kryeqytetit, Arben Ahmetaj, Marigken Qato, Arlind Hoxha, Entel Agolli, drejtor në postë, si dhe Roven Zeka, punonjës i Policisë në Komisariatin nr. 4.

Ata akuzohen se kanë ushtruar shantazh ndaj personave të cilët angazhoheshin në fushatë me Partinë Demokratike. Duke qenë se personat e mësipërm janë persona me funksione shtetërore, ushtronin shantazh në mënyra të ndryshme. Po ashtu, sipas PD-së, personat e sipërpërmendur akuzohen se kanë shpërndarë kuponë  për pajisjen me karta identiteti dhe ID për persona të ndryshëm në këmbim të votës.

Në zonën e Kamzës, sipas fakteve të mbledhura nga specialistët e PD-së, janë përdorur metoda për të blerë vota përmes shpërndarjes së pakove me ushqime dhe të punësimit zgjedhor. Muajt e fundit, sipas të dhënave që PD dokumenton në dosje, administrata e Bashkisë së Kamzës është rritur me 100 punonjës më tepër, ndërsa ajo e Rrogozhinës me 200. Ndër të tjera, si një provë të rëndësishme PD evidenton faktin që në Bashkinë e Rrogozhinës u përfshinë në skemën përfituese nga dëmtimet e tërmetit edhe 870 familje të cilat në fillim nuk ishin kategorizuar si përfituese, pasi nuk kishin dëmtime të rënda. Të gjitha akuzat PD-ja i ka të referuara me prova, të cilat ia ka vendosur në dispozicion edhe KAS.

1 14

Durrës

Në qarkun e Durrësit autorët e masakrës zgjedhore, sipas PD-së, janë Lefter Koka, Rrahman Rrahja, Artur Bushi, Ardian Çela, Plator Mehmeti dhe persona me rekorde të rënda kriminale, të cilët evidentohen në dosjen e PD-së si Durim Keçi, Altin Hajri, Artur Fetaj, Xhelal Rraja, Bert Hoxha, Fetah Mataj, Rroni Shqopa, Arbër Koka, Gentian Thartori dhe Emilian Lako. Sipas dosjes së PD-së, në të cilën thuhet se ka prova të depozituara në SPAK dhe KAS, ish-kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, Ardian Çela dhe drejtori i Policisë së Durrësit janë takuar në lokalin “Artur” me një person me rekorde kriminale, të njohur si Mond Çekiçi.

Sipas ekipit të PD-së, edhe më herët personat e përmendur më sipër janë angazhuar edhe në fushatat e mëparshme duke shpërndarë para në këmbim të votës. Në dosjen e Partisë Demokratike evidentohet fakti i publikuar nga “open data” se vetëm javën e fundit të zgjedhjeve në qarkun e Durrësit u shpërndanë 6 milionë euro si dëmshpërblim nga tërmeti i nëntorit të vitit 2019.

Elbasan

Në qarkun e Elbasanit, sipas PD-së, ka përqendrim më të theksuar të grupeve kriminale që kanë ndikuar në zgjedhjet e 25 prillit. Sipas PD-së, edhe kandidatët për deputetë janë me mbështetje të grupeve kriminale. Klevis Xhoxhi është nipi i gruas së ish-kryebashkiakut të Elbasanit, Qazim Sejdini. Ndërkohë Desantila Tahiraj, sipas PD-së, me pozicion drejtor i Spitalit të Elbasanit akuzohet për punësime të paligjshme dhe për korrupsion.

Ndërsa në Peqin drejtuesi politik i PS-së, Taulant Balla, ka bashkëpunuar me një person me rekorde të rënda kriminale. Ndërsa kandidati Sajmir Hasalla është dhëndri i ish-deputetit Aqif Rakipi, të cilit iu hoq mandati nga dekriminalizimi. Ndërkohë, persona të identifikuar si Suel Çela, Klement Xhaferri, Ernold Metaj, sipas dosjes së depozituar nga PD-ja në KQZ, kanë kanosur dhe shantazhuar personat që angazhoheshin në fushatën e PDsë dhe qytetarët e thjeshtë, në mënyrë që të mos mbështesnin Partinë Demokratike.

Këto janë vetëm disa nga gjetjet në dosjet voluminoze të PD-së të depozituara dje në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve. PD-ja do të ndjekë edhe në Kolegjin Zgjedhor çështjen në fjalë. Ata kërkojnë pavlefshmërinë e zgjedhjeve në 9 qarqe./Panorama/