Ballina Editorial Çfarë rrezikon të prodhojë dështimi i zgjidhjes së krizës shqiptare

Çfarë rrezikon të prodhojë dështimi i zgjidhjes së krizës shqiptare

Nga Red VARAKU

Vjedhja e zgjedhjeve të 25 prillit është ngjarja dhe sprova më e rëndë për demokracinë shqiptare që prej 1990.

Kjo vjedhje ka disintegruar tërësisht jo vetëm politikën shqiptare, por dhe shoqërinë tonë, sepse ka eliminuar plotësisht të vetmin proces vetëkorrektimi të shoqërisë që janë zgjedhjet politike.

Në këtë mënyrë këto zgjedhje jo vetëm nuk korrigjuan deformimet e qeverisjes së korruptuar tetë vjeçare të socialistëve , por i thelluan ato më tej duke prodhuar kështu pasoja shumë të rënda që rrezikojnë deri dhe stabilitetin politik të vendit.

Është e qartë që pas kësaj ngjarje rruga e Shqipërisë është tërësisht e panjohur dhe e minuar dhe çdo moment mund të hedhë në erë gjithçka, sepse dihet që ‘normaliteti politik’ që pason ngjarje të tilla është një ‘anormalitet’ i rrezikshëm i mbushur me befasi nga më të paparashikueshmet dhe më të hidhurat.

Përpjekja për të kontrolluar demokracinë përmes mekanizmave artificialë dhe okultë qoftë edhe përmes mbështetjes së disa përfaqësive ndërkombëtare të korruptuara, ka rezultuar kudo një përpjekje e dështuar, sepse në fund është demokracia ajo që merr në dorë fatin e një kombi dhe kontrollon dinamikat e zhvillimeve shoqërore dhe politike, të cilat në thelb janë impersonale .

Këto zgjedhje jo vetëm që nuk zgjidhën krizën politike për të cilën Yuri Kim kishte marrë angazhim para senatit amerikan dhe nuk sollën paqe në politikën shqiptare, por ato sollën një qetësi të frikshme që më së shumti i ngjan qëtësisë para një stuhie dhe ligjësitë politike janë si ligjësitë e natyrës, ato nuk tolerojnë asnjë deformim.

Le të urojmë që faktorët ndërkombëtarë, që hynë garant që opozita të merrte pjesë në zgjedhje me Ramën kryeministër, të bëjnë presionin e duhur mbi institucionet shqiptare siç është SPAK, Gjykata e Posaçme apo KAS.

Kësisoj të korrigjojnë gabimin fatal që u bë me vjedhjen në mes të ditës vullnetit të qytetarëve dhe t’i japin sërish mundësi shoqërisë shqiptare, përmes përsëritjes së zgjedhjeve në nëntë qarqet ku opozita pretendon se është vjedhur vullneti i tyre, në mënyrë që vullneti i tyre të respektohet.

Kjo jo vetëm si detyrim ndaj sjelljes korrekte të opozitës dhe si mundësi e fundit për të korrigjuar me mjete politike gabimin e madh të trafikimit të vullnetit të qytetarëve, por dhe si një mundësi e fundit për të shmangur përplasjen dhe ‘vetëkorrigjimin’ e dhunshëm të shoqërisë.

 

Exit mobile version