Masakra zgjedhore/ Manjani: Më shumë sesa çdo herë tjetër. Një makineri gjigande shtetëtore u vu në dispozicion të pushtetit

Nga Ylli MANJANI

Tashmë e kam mendjen e mbledhur se:

  1. Liria për të zgjedhur u godit rëndë. Më shumë sesa çdo herë tjetër. Një makineri gjigande shtetëtore u vu në dispozicion të pushtetit për të ndikuar tek vullneti dhe liria për të zgjedhur.

Para buxheti, policia e madje edhe ushtria, të dhënat personale e jeta private u përdorën dukshëm për vota. Krahas mjeteve klasike si të fortë, para nën dorë, propagande eksesive dhe media jo e lirë.

Të gjitha këto janë pjesë e lirisë për të zgjedhur, e cila nën presion shtetëror bëhet e vështirë.

  1. Mbi të gjitha zgjedhjet ishin TË PANDERSHME, më shumë sesa çdo herë tjetër më parë. Grisja e marrëveshjes së konsensusit të 5 qershorit 2020 në sy të Ambasadores Amerikane, e cila e negocoi atë dhe, ndërhyrja në sistem pa konsensus kur loja kishte nisur, i bëjnë zgjedhjet të pandershme.

Asnjëherë më parë nuk kishim mbajtur zgjedhje me ligj jokonsensual.

Ndërhyrja e njëanshme paracaktoi rezultatin zgjedhor në favor të pushtetit. Nëse gara do ishte lejuar siç ishte ligji para 5 qershorit, do kishim një rezultat zgjedhor krejt tjetër.

Duke u nisur edhe nga votat e hedhura në kushte të lirisë së cunguar për të zgjedhur, prap janë të paktën 7 mandate devijim nga vullneti i popullit. Janë të paktën 7 mandate që pushteti i mori pandershmërisht me sistem të njëanshëm.

Sa i takon përgjegjësisë së partive, në raport me zgjedhjet është tema e dytë. Meriton vemendje si temë sepse publikut i intereson balanca politike jo mbifuqia e të fortit..

Legjitimiteti dhe pranueshmëria e rezultatit duhet të jenë konkluzione të një arsyetimi të pjekur, të ftohtë e jo emocional. Duhen lexuar mirë zgjedhjet e duhet shterruar çdo argument, prove e fakt.

Por në fillim është Liria për të zgjedhur dhe ndershmëria e zgjedhjeve. Janë kritere universale këto.

Në vijim arsyetuam mbrëmë mbi këto tema me Adi Krastën.