Vokshi: Shqipëria po i humbet liritë dhe të drejtat çdo vit e më shumë nën pushtetin e Ramës!

Nga Vjollca VOKSHI

“Our liberty depends on the freedom of the press, and that cannot be limited without being lost”. Thomas Jefferson

Fatkeqësisht Shqipëria jonë po i humbet liritë dhe të drejtat çdo vit e më shumë nën pushtetin e Ramës.

Liria e medias, si një prej standardeve kyçe të shtetit të së drejtës dhe një shoqërie demokratike po pëson pikiatë të fortë. Treguesi më flagrant ishin zgjedhjet e kapura të 25 Prillit ku presioni politiko ekonomik i qeverisë dhe financimet e dyshimta, cënuan rëndë pavarësinë dhe rolin informues të mediave televizive të shtypit dhe portaleve.

Po citoj vetëm një nga paragrafet e raportit paraorak të OSBE ODHIR ku thuhet:

“PS arriti 27 apo 35% të hapësirës, PD arriti 26 deri në 32% të mbulimit. PS u mbulua me tone më pozitive se PD. Në 9% të edicioneve informative dhe të programeve të monitoruara, Rama u raportua në cilësinë e tij si kryeministër. PS mori një 15% më shumë hapësirë dedikuar ministrave dhe institucioneve publike”

Shqipëria ka hyrë në një fazë tejet kritike dhe të errët. Liritë e individit dhe e tërë shoqërisë, mes tyre e drejta kushtetuese e shprehjes dhe informimit të lirë është në pikëpyetje thelbësore. Mediat e kapura janë pasojë e terrorit të pushtetit.

Mirënjohje për të gjithë gazetarët që kontribuan për të vertetën dhe nuk iu nënshtruan presionit të qeverisë. Për fat të keq, nën qeverisjen brutale të Edi Ramës, këta gazetarë nuk janë sot shumica.

Autocensura, pasiguria për vendin e punës, kërcënimet dhe kanosjet e kanë përkeqësuar lirinë e medias.

Heshtja e medias e vret demokracinë, prandaj inkurajoj këdo që ndikon në informimin e publikut ta bëjë atë në mënyrë të drejtë dhe profesionale.

Beteja jonë, edhe për të kthyer pavarësinë dhe lirinë e medias është kauzë kombëtare përtej asaj politike.