“Real Madridi pagoi 160 milionë euro për një trashaluq”

Ish-sulmuesi i Chelseat, Damien Duff, e ka kritikuar Eden Hazardin për mungesë profesionalizmi që prej se iu bashkua Real Madridit në vitin 2019.

Hazard ka vuajtur shumë nga lëndimet që prej se iu bashkua Madridit nga Chelsea në verën e vitit 2019 për 160 milionë euro.

Anësoi belg është kritikuar në Spanjë edhe për peshën trupore kohë pas kohe.

Duff beson se mungesa e profesionalizmit dhe mentaliteti kanë ndikuar në gjendjen e Hazardit.

“Është shqetësuese për të ardhmen. Ai është 30 vjeç, ai mbështetet në mprehtësinë e vet, në të qenet driblues i shpejtë. Të gjithë e kemi se pas moshës 30-vjeçare është tatëpjetë”, tha Duff.

“Ai kurrë nuk ka qenë profesionist i madh dhe kurrë nuk e ka pas vullnetin e Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos. Ai erdhi mbipeshë në përgatitjet e para sezonale me Real Madridin – si një galaktik 160 milionë eurosh. I trashë, quajeni si të doni”, shtoi ai.

“Kur Real Madridi të blen për 160 milionë euro, duhet të jesh në formën e jetës tënde”.

Hazardi i ka zhvilluar vetëm 38 ndeshje që prej se iu bashkua Real Madridit duke i shënuar katër gola dhe shtatë asiste.